×
Analiza

Bulliqi shoqërohet në kafe me ndërtuesin e lagjes luksoze në Podujevë

Insajderi
26 September 2022 - 17:19
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shpejtim Bulliqi gjatë mandatit të tij si kryetar i Podujevës ka shpërfaqur mos durim me kryeinspektorët, tre prej të cilëve i ka shkarkuar. Por, mosdurim nuk është duke shfaqur ndaj atyre që ndërtojnë. Biznesmenëve multimilionerë.

Pasditen e ditës së dieles, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka kaluar në njërën nga qendrat tregtare të kësaj komune. Bashkë edhe me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, Bulliqi është parë i shoqëruar në kafe me biznesmenin llapjan, Faton Maqani.

Maqani është pronari i sallës së dasmave “Ilira Delux” dhe lagjes luksoze të njohur si “Resorti Turistik Iliria” në Podujevë.

Gazeta Insajderi, ka siguruar fotografi të dyshes Bulliqi-Maqani duke shijuar rrezet e diellit, në këtë ditë vikendi.

Biznesmeni Maqani, është pronari i lagjes luksoze milionëshe që është ndërtuar së fundmi në fshatin Shamallukë të Komunës së Podujevës.

Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me biznesmenin Maqani për ta pyetur lidhur me temën e takimit të së dieles me kryetarin Bulliqi.

“Takimi ka qenë spontan, Bulliqin e kam dost, e nuk është hera e parë që rri me të, përditë rri me të. Takim i çastit ishte, as që e kemi ditë që kemi me u taku, unë hangar bukë në restoranin aty. Po me Shpejtimin unë rri përditë. Shok e kam pas edhe përpara kur su kanë kryetare, e kam edhe tash, por nuk kam pas kurëfar takimi as zyrtar”, tha Maqani.

Maqani mëtej tha se me Shpejtim Bulliqin, takohet për çdo ditë dhe se përveç shoqërisë nuk i lidh diçka tjetër.

“Për çdo ditë unë rri me të [Shpejtim Bulliqin]. Unë s`kam as biznis as kurgja me të, s`na lidhë kurgja tjetër përpos shoqnisë. Edhe ma herët kemi pas shoqni edhe tash që është kryetar kam shoqni, nuk ka diçka tjetër që na lidhë. Fotografia ka mujt me ju ardhë, na në publik jemi kanë s`jemi kanë msheftas kurkund, në taras jemi kanë ulun s`ka pas diçka tjetër. Përveç takim i rastësishëm nuk ka pas najsen tjetër me rëndësi”, tha Maqani për Insajderin.

Gazeta e ka pyetur Maqani, se pse në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi. Ai tha se edhe me Selimin të njihet moti, e ka shoqëri.

“Edhe Bahrin unë e kam dost, takimi u kanë i rastësishëm as që e kam ditë që kemi me u taku. U kanë ditë e dielë, unë e kam pushim se unë punoj me salla të dasmave. Kam dalë, rastësisht jemi taku me ta”, tha më tej Maqani.

Lidhur me shoqërimin në kafe të Bulliqit e Maqanit, Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe tek kryetari. Por i njëjti deri në publikimin e shkrimit nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Për projektin milionësh të lagjes luksoze në Shamallukë të Podujevës, Maqani e kishte njoftuar kryetarin Bulliqi edhe në takimin që kishin pasur në objektin e komunës, vitin e kaluar.

Në fotografitë që ka ndarë në Facebook Maqani nga ky takim shihet se si ai bashkë me ekipin e tij, i prezantojnë detaje të projektit milionësh Bulliqit.

Për projektin e Maqanit dhe ndërtimin e shtëpive luksoze, pati njoftuar edhe Bulliqi në nëntor të vitit 2020, atëherë kur e kishte vizituar bashkë me Albin Kurtin.

“Në mëngjesin e ditës së sotme, bashkë me Kryetarin Albin Kurti në brezin kufitar në Shamallukë, me Podujevën e shtrirë poshtë nesh, vizituam punimet për fshatin turistik Iliria…. Faton Maqani i ka nisur punimet tash 2 muaj me një investim që mbulon 7 hektarë dhe që pritet të punësojë mbi 70 punëtorë. Investimet private kanë nevojë për një komunë e cila nuk i lë vetëm dhe u bëhet krah me investime në infrastrukturë publike”, ka shkruar Bulliqi në postimin e nëntorit të vitit 2020.

Çështja e ndërtimeve në Komunën e Podujevës, ka qenë temë diskutimi muajve të fundit, sidomos pas shkarkimit të kryeinspektorit Besnik Mulliqi.

Mulliqi, pasi ishte shkarkuar, në një deklaratë për Gazetën Insajderi, ka deklaruar se Bulliqi ka pasur tendenca që të pengoj punën e inspektoratit me mbindërtimet e përplotë punë të tjera, derisa edhe pas rezistencës së Mulliqit që t’i ndalojë ato, kryetari vendosi për shkarkimin e tij.

Përveç ndërtimeve në zonën turistike në Orllan, për cka edhe thuhej se u shkarkuar ai, Mulliqi kishte përmendur se ka edhe probleme edhe me ndërtime tjera.

“Ka ndodhur një orë ose dy pasi që është kryer procesi i rrënimeve të objekteve në Orllan, dy objekte më saktë. S’ka qenë veç ky problemi, ka pasur edhe tjera probleme të patejkalueshme. Ka mbindërtime, ka tendencë për pengës te inspektoratit me zhvillu punën e vet. Unë këto nuk i kam lejuar dhe ai ka vendosur për shkarkim”, kishte thënë Mulliqi për Insajderin. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark