
Avdil Ibishi, në moshën 2 vjeçare, humbi aftësinë për të ecur. Ai, si shkak i mos trajtimit të temperaturës së lartë, u paralizua.
Për vite me radhë kërkoi ilaç në spitale të ndryshme, por askund nuk e gjeti. Si përfundim, zgjidhja e vetme që kishte ishte të përdorte karrocën për të lëvizur.
Për shkak se jetonte në fshat dhe kishte distanca të largëta që duhej t’i kalonte për të shkuar në shkollë, ai u detyrua ta ndërpresë shkollimin në klasën e pestë.
Një nga pengjet më të mëdha për të ishte mos përfundimi i shkollës. Megjithatë, ai nuk e la që sëmundja të “rrëmbente” ëndrrën e tij.
Në vitet e tij të 50-ta, ai regjistroi klasën e pestë dhe me shumë sukses e përfundoi shkollën fillore.
Në një intervistë të realizuar nga gazetarja e Insajderit, Dijellza Preniqi, ai ka rrëfyer sfidat që ka hasur në jetë si person me nevoja të veçanta, luftën për pavarësi ekonomike, dhe vuajtjet për të realizuar ëndrrat e tij, ndër të tjera.