Udhëtimi i famshëm i Behxhet Pacollit me një ‘delegacion’ prej 128 vetash në Libi të Afrikës, në vitin 2010 vazhdon të përmendet edhe 13 vite pas, sa herë që përplaset skena politike në Kosovë.
Vizitë kjo e sponzorizuar nga kreu i AKR-së, kishte dërguar këtë ekip prej 128 vetave në kryeqytetin liban, Tripoli, e më pas edhe në vendlindjen e ish-diktatorit të shtetit afrikan, Muammar Gadafi.
Arsyeja e vizitës së Pacollit atje ishte njohja e pavarësisë së Kosovës. Por, jo gjithçka kishte shkuar siç ishte planifikuar. Gadafi i kishte kërkuar delegacionit kosovar që të vallëzojnë pandërprerë në mes të shkretëtirës.
Mediat kishin raportuar se delegacioni kosovar ishte urdhëruar që të mos i merrnin me vete telefonat dhe aparatet fotografike, për faktin se përdorimi i tyre nuk ishte i lejuar brenda tendës së Gadafit.
E vizita nuk u kishte shpëtuar edhe mediave ndërkombëtare. Gazeta “The Economist” kishte raportuar rreth episodit poshtërues të vitit 2010, të delegacionit të AKR-së në Libi.
Përveç se u poshtëruan, diktatori liban iu kishte thënë se ‘kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës‘.
“Me të arritur, Gadafi urdhëroi ata që të këndonin dhe të kërcenin. Kur ata u lodhën dhe u ndalën, u qortuan nga një ndihmës. Më vonë koloneli i mirë u tha se mund të ndalonin, para se t’i linte për të shtuar se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës derisa liderët e tyre vazhdojnë të mbesin kukulla të Amerikës. Me këtë kosovarët e poshtëruar u kthyen në shtëpi”, shkruante Economist.
Ndërsa në Kosovë, ky vallëzim identifikohej me Mimoza Kusari –Lilën, edhe pse atje Pacollin e shoqëronin pothuaj të gjithë këshilltarët e tij.
Deputetja Kusari-Lila tash e sa vite është pyetur disa herë rreth vallëzimit të famshëm në Libi.
Ky udhëtim u përmend edhe sot nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Abazi e ka cilësuar Mimoza Kusari-Lilën “çadra e Gadafit”.
Sipas Abazit, Mimoza Kusari-Lila ka votuar marrëveshje të dëmshme për Kosovën.
“Këtë valle ne e kemi parë të kaluarë, çadra e Gadafit ka shkatërru parti politike, ka bërë përçarje politike. Çadra e Gadafit ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme që dikur kanë qenë kauza të VV-së. Çadra e Gadafit është nënshkruar edhe e marrëveshjes së Demarkacionit”, ka thënë Abazi gjatë një konference për media.
Kujtojmë se, Libia ka njohur Kosovën në vitin 2013 pas rënies së diktatorit Muammar Gaddafi.