
Real Madrid mund të ketë një mundësi të vetme për të transferuar mbrojtësin e Liverpoolit, Ibrahima Konate, gjatë kësaj vere.
Xabi Alonso ka sjellë tre mbrojtës të rinj në “Santiago Bernabeu”. Interesimi për mbrojtësin francez ka marrë jehonë që nga muaji korrik, mes zërave se ai po refuzon të nënshkruajë zgjatje të kontratës me “The Reds”.
Konate ka qenë në bisedime për kontratën me Liverpoolin që nga fillimi i vitit 2025, pasi marrëveshja e tij aktuale skadon në fund të sezonit 2025/2026. Drejtuesit e klubit anglez duan një përgjigje përfundimtare para fundit të muajit gusht.
Liverpooli dëshiron me çdo kusht të shmangë një situatë ku Konate largohet si lojtar i lirë në vitin 2026, por kjo është pikërisht strategjia e Real Madridit për të.
“Los Blancos” mbeten të pakënaqur me faktin që iu desh të paguanin një tarifë transferimi për të liruar Alexander-Arnold nga javët e fundit të kontratës së tij, pasi ishin të bindur se do ta transferonin atë si lojtar të lirë.
Sipas raportimit nga Mundo Deportivo, kampionët e Anglisë kanë caktuar çmimin për Konaten, pasi nuk pranuan kërkesat e tij për pagë më të lartë.
Liverpooli ka bërë të ditur se do të dëgjojë ofertat që sillen rreth 35 milionë euro në ditët e fundit të afatit kalimtar, ndërkohë që Real Madridi ka vendosur një tavan prej 21 milionë eurosh, shumë larg kërkesës së “The Reds”.