Mjafton të përmendësh emrin Matthew Simmons dhe Eric Cantona ndizet. Ish-lojtari francez nuk e ka harruar tifozin, të cilin e ka goditur me një shkelm gjatë ndeshjes Crystal Palace-Manchester United të zhvilluar në 1995-ën.
Ai që konsiderohet “The King” i Mançesterit, gjatë një evenimenti të organizuar në nder të tij, në qytetin anglez, është kthyer te flasë për atë episod, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë pyetjeve që i janë bërë në lidhje me atë gjest, i cili i ka kushtuar atij plot nëntë muaj skualifikim.
“Kanë qenë shumë muaj dhe e kam pasur shumë të vështirë. Por falë Ferguson kemi arritur gjithsesi të fitojmë Premier League dhe Kupën e Anglisë, me një brez të ri. Siç kam thënë në të kaluarën, mendoj se duhej ta kisha goditur më fort”, ka thënë Cantona.
“Por ndoshta nesër do të mendoj ndryshe. Nuk mund të pendohem, ka qenë një ndjesi shumë e bukur. Kam mësuar shumë nga ajo që ka ndodhur dhe besoj se edhe ai (Simmons) ka të njëjtin mendim”, ka thënë Cantona.