
Ish-portieri i Real Madridit, Kiko Casilla, ka ndarë një kujtim të veçantë nga ditët e tij në “Los Blancos”, duke përshkruar një moment që tregon anën njerëzore të Cristiano Ronaldos, përveç madhështisë së tij si futbollist.
Në një intervistë të fundit, Casilla tregoi një histori të panjohur më parë, të ndodhur gjatë fazës përgatitore në Shtetet e Bashkuara, që la të gjithë të pranishmit të befasuar.
“Kur shkuam në Shtetet e Bashkuara për stërvitje parasezonale, ai bleu për të gjithë stafin, përfshirë fizioterapistët dhe rojet e sigurisë, iPhone-in më të fundit dhe Apple Watch”, tregon Casilla.
Sipas tij, ky gjest është një dëshmi e qartë e karakterit të Ronaldos dhe përkushtimit të tij ndaj njerëzve përreth.
“Ai është një fenomen, një supermen, i cili ndihmon edhe fëmijën e fundit që ka dalë nga akademia e të rinjve. Kërkoji çdo gjë dhe ai do ta japë”, shtoi ish-portieri.
Kiko Casilla, i lindur në Tarragona, ka luajtur për një sërë klubesh gjatë karrierës së tij si Real Madrid, Espanyol, Cádiz, Cartagena, Leeds United, Elche dhe Getafe.
Ai ka regjistruar 43 paraqitje zyrtare me Real Madridin dhe një ndeshje me Kombëtaren e Spanjës.