Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë edhe deputet i saj, Driton Çaushi, ka thënë se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është në gjendje të bëjë çdo gjë vetëm që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.
Kështu ka shkruar Çaushi në llogarinë e tij në facebook, duke i komentuar deklarimet për ndryshimin e formatit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Është paralajmëruar ndryshim i formatit të dialogut me Serbinë. Tanimë me shumë gjasë ai do të kalojë në nivel presidentësh”, ka shkruar ai.
“Gjithçka është në gjendje të bëjë Thaçi vetëm e vetëm që Gjykata Speciale të jetë e mëshirshme me të. Pra, ashtu qysh e bëri normalizimin me Daçiqin, tash po e synon pajtimin me Nikoliqin”, ka shkruar më tej Çaushi.
“Ai nuk heziton të premtojë se do ta bosnjëzojë Kosovën, ta bëjë atë që s’i eci Mustafës me ‘Zajednicën’. Ta ndalësh Thaçin dhe ta ndalësh Serbinë tashmë nuk janë dy gjëra të ndryshme”, ka përfunduar nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi./Insajderi.com