×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Pi për çdo ditë” – Deklarata e Gjikos para hetuesve ku e pranon se është përdorues i drogave

    Insajderi
    21 April 2022 - 13:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Thekson se është përdorues i narkotikëve, ku për çdo ditë përdorë 0.25 gram kanabis dhe shton se cigaret të cilat janë gjetur në banesën e tij me rastin e bastisjes janë konsumuar nga ai”, kështu shkruan prokuroria në aktakuzën ndaj Asdren Gjikollit.

    Pas publikimit të detajeve të aktakuzës ndaj Gjikos e dëshmisë së viktimës, në këtë pjesë Gazeta Insajderi sjellë detaje të dëshmisë së këngëtarit para hetuesve dhe gjetjeve të policisë gjatë bastisjes në banesën e tij në lagjen Arbëria.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në detaje ky insitucion ka përshkruar se çfarë ka gjetur e konfiskuar policia në shkurt të vitit 2016, gjatë bastisjes në banesën e Asdren Gjikollit, i njohur si reperi Gjiko.

    Përmenden video, fotodokumentacione, substanca narkotike dhe armë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Janë siguruar edhe prova tjera nga të cilat vërtetohet se i pandehuri Asdren Gjikolli është përfshirë në aktivitetet kriminal, ku në banesën e tij shihen persona të ndryshëm duke konsumuar substance narkotike”.

    “Po ashtu shihen edhe femra të ndryshme të cilat xhirohen nga i pandehuri duke kërcyer e të cilat dyshohet se janë të moshës së mitur e po ashtu nën ndikim të narkotikëve, mirëpo që Gjikolli dhe V. kanë fshehur identitetin e tyre, me qëllim të mos zbulimit të të dhënave nëse të njëjtat janë të moshës së mitur, dhe këtë e kanë bërë me qëlim të ikjes së përgjegjësisë penale”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë të cilën e posedon Gazeta Insajderi.

    Prokuroria specifikon se policia gjatë bastisjes në banesën e Gjikollit, ka gjetur dhe konfiskuar substancën narkotike të llojit marihuanë.

    “Është vërtetuar se me datën 02.02.2016 i pandehuri Asdren Gjikolli ka poseduar pa autorizim substance narkotike të llojit marihuanë të cilat me rastin e bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar në banesën e tij”.

    “Si prova materiale janë siguruar edhe konfiskuar mbetje të cigareve të shënuar si dëshmitë 2, 2.2, 3.1, 3.2 dhe 3.3 që përmbajnë kanabis (marihuanë) që përmbanë tetrahidrokanabinol”, thuhet më tej në aktakuzë.

    Lidhur me këto gjetje, Gjikolli ngarkohet me veprën penale, posedim i pa autorizuar i narkotikëve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Prokuroria pretendon se reperi Gjikolli e ka pranuar në dëshminë e dhënë para tyre se është përdorues i narkotikëve.

    “Thekson se është përdorues i narkotikëve, ku për çdo ditë përdorë 0.25 gram kanabis dhe shton se cigaret që të cilat janë gjetur në banesën e tij me rastin e bastisjes janë konsumuar nga ai”, thuhet në aktakuzë.

    Më tej në dëshminë e tij Gjiko, tregon edhe se për çka i nevoiteshin disa qese që i ishin gjetur në banesë.

    “Qeset e zbrazta të vogla të cilat janë gjetur në banesën time, i kam blerë në jumbo për t`i përdorur për video klipin tim “si me def”, ku aty shihem duke i marrë CD-jat dhe duke i future në ato qese, me mesazhin se duhet shpërndar art e jo lëndë narkotike, e kjo mund të shihet në video klipin “si me def.””, kishte deklaruar Gjiko para hetuesve.

    Reperi është i akuzuar edhe për armë mbajtje pa leje.

    “Me 02.02.2016 pa autorizim dhe leje përkatëse të organeve kompetente ka mbajtur në pronësi një armë të tipit “ekol” cal.9mm e cila është gjetur në shtëpinë e tij dhe i është konfiskuar e që nga raporti mbi ekzaminimin rrjedh se arma është pistoletë e gasit e cila është funksionale”, thuhet në aktakuzë.

    Prokuroria jep detaje tjera për këtë armë e cila sipas tyre është prodhuar në Turqi.

    “Nga raporti i ekzaminimit të arëmës -pistoletës e gjetur dhe konfiskuar në banesën e të pandehurit Asdren Gjikolli Gjiko e tipit Ekol Jackal Dual, vërtetohet se kjo pistoletë është e prodhuar në Turqi dhe është funksionale gjithashtu është ekzaminuar edhe një karikator i cili ka kapacitet prej 13 fishekësh dhe është i dizajnuar për pistoletën në fjalë”, thuhet më tej në aktakuzë.

    Sipas prokurorisë, nga prova materiale në këtë çështje penale “pa asnjë mëdyshje vërtetohet se Gjiko ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, posedim apo kontroll i paautorizuar i armës”.

    Gjikolli kur është pyetur për armën ka deklaruar se ajo është revole e gazit falsë. Sipas tij është përdorur në videospotin e tij për efekte speciale.

    “Sa i përket armës të cilën e kanë gjetur policia është revole e gazit dhe false, të njëjtën e kemi përdorë në një video klip të shoëbizit. Nuk e dij se e kujt është kjo armë pasi që V. e ka marrë në huazim për tu shërbyer për efekte speciale në video”, ka deklaruar Gjiko në polici.

    Shteti posedon video që dëshmon përfshirjen e Gjikos në dhunimin e të miturës

    Përveç këtyre dy veprave, Gjiko akuzohet edhe për dhunim dhe mos deklarim i veprave penale.

    Me 8 prill Gazeta Insajderi, ka raportuar për detajet kryesore të aktakuzës që është ngritur në mars 2017. Paraprakisht për rastin ka raportuar edhe Front Online.

    Organet e drejtësisë në Kosovë, posedojnë dëshmi me video se reperi Asdren Gjikolli, i njohur si Gjiko, është i përfshirë në një rast të dhunimit të një vajze të mitur. Rasti dyshohet të ketë ndodhur në banesën e tij në Prishtinë, pasi që fillimisht sipas prokurorisë ai e kishte droguar viktimën.

    Në aktakuzën që e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se të miturën Gjikolli e kishte mashtruar se do ta bënte këngëtare.

    Vajza e mitur, që dyshohet se është viktima e dhunimit nga Gjiko, ka deklaruar para organeve të drejtësisë, se “Sa herë që kam kryer marrëdhënie seksule me Asdrenin kam qenë nën ndikim të narkotikëve”.

    Përveç kësaj ajo në deklaratën e saj e konfirmon se Gjiko ka bërë edhe fotografi dhe videoincizime derisa kanë kryer marrëdhënie seksuale.

    Pretendimet e prokurorisë për dhunimin e të miturës nga reperi Gjiko, i ka konfirmuar edhe dëshmitarja A.H.

    Ajo thotë se nga ballkoni e kishte parë se Gjiko po kryente marrëdhënie seksuale më të miturën dhe se ishte duke e gjiruar në skena të rënda.

    “Gjatë kohës sa unë e V. qëndronim në ballkon e banesës nga dritarja e kam vërejtur [vitikmën] duke bërë seks me Gjikon dhe po ashtu e kam vërejtur Gjikon duke e incizuar atë tërësisht të zhveshur duke bërë disa skena që mua nuk më janë dukur normale dhe kam vendosur të largohëm dhe ajo ka mbetur aty”, thotë A.H lidhur me rastin.

    Gjikolli e mohon se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Nuk është e vërtetë që unë kam kryer marrëdhënie seksuale me të. Të nesërmën unë jam ngritur herët dhe jam dal nga banesa me femrën time dhe ajo ka mbetur në banesë duke fjetur, më vonë jam dëgjuar në telefon me V. dhe e kam pyetur se a kishte shkuar ajo vajzë. Ai më njoftoi se kishte ngrënë një picë dhe ishte larguar”, tha Gjikolli. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark