Shkruar nga Agelos Delis & Sami Bensassi
Herën e fundit që Donald Trump ishte president i SHBA-së, hyri në luftëra tregtare ndaj Kinës dhe Evropës. Por pavarësisht guximit dhe tarifave të tij, deficiti tregtar i SHBA-së nuk u ul. Madje u thellua nga 195 miliardë dollarë në 3-mujorin e parë të vitit 2017, në 260 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Raundi i parë i tarifave të Trump ishte maksimumi në nivelin 25 për qind, dhe ato u vendosën mbi një numër mallrash të zgjedhur. Por tani politika e tij, synon që SHBA-ja të vendosë tarifa prej 10-20 për qind për shumicën e mallrave të importuara.
Kanadaja dhe Meksika mund të përballen me tarifa prej 25 për qind, ndërsa për produktet kineze mund të shkojë në 60 për qind. Ky propozim i ri, duket se është dukshëm i ndryshëm nga ai i mëparshmi. Po cilët janë skenarët e mundshëm për SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe ekonominë globale?
Skenari 1: Përplasja ballore
Nëse bazohemi tek deklaratat e presidentit të zgjedhur, dhe nëse Trump do t’i qëndrojë premtimit të tij për vendosjen e një tarife të përgjithshme për gjithë importet, një pasojë mund të jetë që ekonomia amerikane të përballet me çmime më të larta, për shkak të importeve më të shtrenjta.
Do të rritet kërkesa për mallra të prodhuara në SHBA, gjë që ka të ngjarë të rrisë pagat brenda vendit. Por kjo mund të sjellje edhe rritjen e ndjeshme të inflacionit. Dhe nuk është e vështirë të imagjinohet që ekonomia amerikane mund të nisë të “mbinxehet” me shpejtësi. Megjithatë, në lojë do të ketë edhe forca që veprojnë në kahun e kundërt.
Tarifat më të larta dhe investimet e mëdha në SHBA, ka shumë të ngjarë të shkaktojnë një forcim të dollarit, dhe kjo do të thotë se importet do bëhen më të lira në kufi, përpara se të aplikohen tarifat. Kjo mund të amortizojë inflacionin. Për më tepër, premtimi për pushime masive nga puna në sektorin publik, mund të lehtësojë presionin në tregun e punës.
Inovacioni teknologjik – për shembull makinat pa shofer – mund t’i lëvizin gjërat në të njëjtin drejtim. Së fundi, lehtësimi i rregulloreve mjedisore në sektorin e energjisë, së bashku me paqen e mundshme me Rusinë dhe ndoshta edhe në Lindjen e Mesme, mund t’i bëjnë më të përballueshme çmimet e energjisë.
Skenari 2: Arti i marrëveshjes
Donald Trump është i njohur për qasjen e tij transaksionale ndaj politikës. Në lidhje me tregtinë, kjo nënkupton se nuk ndikohet nga rregullat ndërkombëtare që kanë disiplinuar tregtinë ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Emërimi i Scott Bessent si Sekretar i Thesarit, e forcon më tej këtë prirje.
Sipas këtij të fundi, tarifat janë një “mjet ndëshkimi” në lojërat e mëdha politike dhe ekonomike. Dhe kjo na çon drejt një skenari të mundshëm për marrëdhëniet e ardhshme tregtare me pjesën tjetër të botës, ku SHBA-ja gëzon kushte relativisht tërheqëse për të hyrë në tregun e saj, në këmbim të një sërë lëshimesh të mundshme.
Këto mund të përfshijnë një shtrirje më të vogël të ndikimit politik jashtë dhe investime të mëdha në SHBA. Në përgjithësi, mund të ketë një ristrukturim të madh të zinxhirëve të furnizimit, ku importet nga vendet më efikase, mund të zëvendësohen nga ato që janë më pak efikase.
Kjo mund të ulë deficitin tregtar midis SHBA-së dhe Kinës, por të rrisë deficitin tregtar me BE-në, Britaninë e Madhe, Meksikën dhe Kanadanë. Një pyetje që lind është: A do të shtrihen këto marrëveshje deri tek Kina, dhe a do t’i pranojë kjo e fundit? Nëse jo, do të jetë e mundur perspektiva e dy blloqeve ekonomike, njëri i përqendruar rreth Kinës dhe tjetri rreth SHBA-së.
Skenari nr3: Parandalimi
Në një skenar të tretë – që nuk ka shumë gjasa të ndodhë – qeveria kineze mund të pranojë kërkesat e SHBA-së për të ri-balancuar deficitin tregtar midis tyre, me besimin se nuk është ende koha për të kundërshtuar supremacinë globale të SHBA-së.
Ruajtja e një modeli rritjeje ekonomike të udhëhequr nga eksportet, ndërtimi i forcës ushtarake, depërtimi në tregjet e huaja dhe zbutja e sjelljes së presidencës Trump, mund të jetë strategjia më e mirë për Kinën. Qeveria kineze do të detyrohet të pranojë blerje më të mëdha dhe të shpejta të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga Amerika, sesa parashikohej në marrëveshjen e mëparshme midis administratës Trump dhe Xi.
Por çfarë do të ndodhë me Britaninë e Madhe dhe Evropën? Eksportet britanike në SHBA, do të përballen me një tarifë prej 20 për qind, duke reduktuar shitjet dhe ndikuar tek prodhuesit vendas që eksportojnë mallrat që blen SHBA-ja, si për shembull farmaceutikë apo makineri.
Dilema e parë e Mbretërisë së Bashkuar, do të jetë nëse duhet të hakmerret dhe të vendosë tarifa për mallrat amerikane. Dhe nëse po, në çfarë niveli? Një luftë tregtare me SHBA-në, nuk është në interesin e Britanisë, por ajo që do të ndodhë më pas do të varet nga kushtet që do të vendosë administrata Trump.
Tashmë flitet që Britania e Madhe duhet të zgjedhë midis SHBA-së ose BE-së, duke supozuar se blloqet tregtare rajonale shfaqen për shkak të lëvizjeve hakmarrëse të vendeve të tjera. Efektet do të jenë të ngjashme për BE-në, edhe pse ka një ndryshim domethënës.
BE-ja si bllok ka politikën e saj tregtare, dhe një ekonomi me përmasa të ngjashme me atë të SHBA-së. Ndaj është e fortë, nxitja për hakmarrje dhe një luftë tregtare midis BE-së dhe SHBA-së. Nëse Brukseli do të vendosë të ndjekë këtë rrugë, kjo do t’i ndërlikojë gjërat për Londrën.
Në këtë skenar, Mbretëria e Bashkuar do të duhet në fund të zgjedhë një anë.
Ose marrëdhënien speciale me SHBA-në, dhe një përkeqësim të mëtejshëm të tregtisë me BE-në, që është tregu i saj më i afërt. Ose të lëvizë politikisht dhe ekonomikisht më afër BE-së. Mjerisht, teksa vendet po mbyllin kufijtë e tyre ndaj tregtisë, ato po përgatiten njëherazi dhe ndoshta pa dashje për konflikt./Përshtati Pamfleti