CEFTA, ose marrëveshja e re për tregti të lirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ishte një nga temat kryesore të ministerialit të ekonomisë, të martën, 24.09.2024 në Berlin.
Robert Habeck, Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë dhe organizatori i takimit, shprehu shpresën se do të gjendet një zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në këtë marrëveshje.
“Sot u fol shumë me Serbinë dhe Kosovën, pasi CEFTA varet nga to. Po përpiqemi të gjejmë një kompromis që të mundësojë përmbylljen e marrëveshjes. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të mbetet i varur nga konflikte rajonale”, tha Habeck pas ministeralit të ekonomisë, të martën (24.09.2024) në Berlin.
“Sado i komplikuar të jetë konflikti, është e rëndësishme të tregojmë fleksibilitet për të ecur përpara, përndryshe do të duhet të gjenden zgjidhje alternative”, tha ai.
Procesi i Berlinit – me apo pa Kosovën?
Takimi në Berlin kishte për qëllim përgatitjen e Samitit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz e ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë.
Aktualisht, tregtia e lirë realizohet përmes CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur. Qëllimi i samitit është përfshirja e Kosovës si shtet i pavarur në një marrëveshje të ngjashme me CEFTA-n, gjë që mund të realizohet vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Kosova tradicionalisht përfaqësohet si shtet dhe me të gjitha simbolet shtetërore.
Kushti për Kosovën është heqja e bllokadës aktuale ndaj produkteve serbe, e cila është shkelje e parimeve të CEFTA-s. Manuel Sarrazin, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, kishte paralajmëruar në fillim të shtatorit se, nëse Kosova nuk ndërmerr këtë hap, ajo mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.
I pyetur nga DW se a do të ketë një marrëveshje edhe pa Kosovën, Habeck nuk u përgjigj drejtpërdrejt.
“Është thelbësore të mbahen bashkë shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe Kosova është në qendër. Interesi i përbashkët është zhvillimi i një rajoni të integruar, dhe për këtë po punojmë tani”, tha ai.