Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka reaguar pasi tifozët ultras të klubit serb të futbollit, “Crvena Zvezda” të mërkurën kërkuan që ushtria serbe të kthehet në Kosovë, në një ndeshje miqësore kundër klubit italian, Fiorentina.
Sipas Çekut ky gjest tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë.
“Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse”, ka shkruar Çeku në rrjetin e tij në Facebook.
Tutje, ai tha se kërcënimet me luftë nga stadium i futbollit duhet të kundërshtohen nga ogranizatat ndërkombëtare.
“Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, është shprehur Çeku.