Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti shumë shpejt do ta ketë përgjigjen për të gjithë lidhur me ultimatumin vendosur ndaj tij nga faktori ndërkombëtar.
Çeku ka thënë se po mbajnë takime të rregullta të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kanë diskutuar shumë çështje, përfshirë edhe tensionet e fundit në komunat veriore.
“Kryesia e VV-së mban takime të rregullta. Në të gjitha këto takime diskutohen të gjitha, përfshirë edhe çështjet e fundit. Këtu është ndërtesa e Qeverisë. Nuk do të doja të flisnim për çështje që lidhen me partinë. Kryeministri Kurti shumë shpejt do të ketë përgjigje edhe për faktorin ndërkombëtar, edhe për mediat, edhe për qytetarët”, ka thënë Çeku në konferencë për media.
Ndërkombëtarët po kërkojnë që Kosova ta largojë Policinë e Kosovës në prani të objekteve komunale në veri, të mbajnë zgjedhje në veri dhe që Kurti t’i rikthehet dialogut. /Insajderi.org/