
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosja, Hajrulla Ceku, ka kritikuar kryetarin aktual Përparim Rama për shmangie nga debatet me kandidatët e tjerë.
Çeku tha se Rama nuk ka pranuar as ballafaqimin vetëm me të, as me të gjithë kandidatët e tjerë.
“Pas ftesës nga Jeta Xharra për debat sot mes kandidatëve dhe konfirmimit nga të gjithë, kuptuam që Kryetari Rama i ka ndërruar fjalët. Në mungesë të tij, debati i sotëm nuk po mbahet. Kjo është hera e dytë, pasi njëjtë kishte vepruar edhe për ftesën nga Kanal 10”, shkroi ai.
Ditë më parë, Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se është i gatshëm për debat me të gjithë kandidatët për kryetar të qytetit.
Ai ka caktuar edhe datën e mundshme për debat, duke theksuar se më 6 tetor do të ishte ideale për këtë takim publik.
“Absolutisht po, jam gati. Të gjithë së bashku, po e bëjmë, caktojmë këtu, po i sfidoj të gjithë. Patjetër që po. Me datën 6, i ftoj të gjithë kandidatët për kryetar të debatojmë”, tha Rama në emisionin Rubikon të Klan Kosovës.