×
  • Lajme
  • Lajme

    Çështja e edukimit seksual në shkolla, Kurti del me një video- Përmend luftën hibride kundër qeverisë

    Insajderi
    17 November 2024 - 20:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar qeveritë e mëparshme për doracakun lidhur me lëndën e edukimit seksual, e cila u pa si kontroverze nga prindërit dhe i gjithë publiku.

    Kurti me anë të një videoje të shpërndarë në ‘Facebook’ ka thënë se ky doracak ishte hartuar më 2016-ën gjatë kohës sa ishte ministër i Arsimit Arsimt Bajrami, është miratuar nga Hykmete Bajrami e LDK’së dhe u publikua më 2023-ën në faqen e MASHTI-t.

    Tutje, ai ka pretenduar se kanë qenë “cak e një fushate të egër”, shkruan Insajderi.

    “Këto ditë të fundit kemi qenë cak të një fushate të egër propaganduese, diskutime e komente të shumta me përmbajtje manipuluese dhe një përpjekje të krijimit të kauzave të paqena. Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë. Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës. Në fund e kuptuam që po i njëjti doracak kishte filluar hartimin në vitin 2016 (kur ministër i Arsimit ishte Dr. Arsim Bajrami nga PDK), e ishte i miratuar në vitin 2020 (kur ministre e Arsimit ishte Dr. Hykmete Bajrami nga LDK), dhe në vitin 2023 është publikuar në faqen e MAShTI-t. Pra, jo në nëntorin e vitit 2024 por në gusht të vitit 2023”, ka shkruar Kurti.

    Tutje, ai ka cekur se të premten MASHTI ka nxjerrë vendim për largim nga përdorimi i doracakëve ndihmës për mësimdhënës dhe rishikimin e tyre. Sipas tij, në komision do të jetë prezent edhe Këshilli i Prinderëve.

    Kurti më tej ka thënë se “lufta hibride” ndaj qeverisë dhe shtetit është intensifikuar si asnjëherë më pare.

    “Lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë. Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark