
Donika Gërvalla u propozua sot si emri i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare të Kuvendit të Kosovës. 56 deputetë votuan për, 57 kundër – ndër të cilët ishte edhe një votë nga Vetëvendosje.
Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, nuk e votoi Gërvallën. Vota e saj kundër shihet si pasojë e deklaratave të mëhershme të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, kundrejt Selimit.
Gërvalla e kishte cilësuar Selimin si pjesë të “botës së krimit”, duke shtuar se VV nuk kishte mundur të çlirohej tërësisht nga këto figura.
“Sa gërditshem me pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskretituara të botës së krimit,” shkruante ajo në 2020-ën.
Në një rast tjetër, Gërvalla kritikonte partinë në pushtet për vendimin që Rexhep Selimi të ishte kryetar i grupit parlamentar të VV-së:
“Nëse mund t’iu besohet informacioneve të mediave të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i grupit parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës,” shkruante ajo.
Kujtojmë se Rexhep Selimi ka qenë ndër figurat më të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, për disa vite ai ka mbajtur postin e kryetarit të grupit parlamentar. Ndërkohë, tash e pesë vite ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku bashkë me të tjerët po gjykohet për krime lufte.
/Insajderi
Lexo edhe: