×
  • Lajme
  • Analiza

    Çfarë dëmi ia bëri PDK-ja VV-së në Prishtinë pasi që ia mori asamblisten?

    Insajderi
    22 June 2023 - 14:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me kalimin e asamblistes në Komunën e Prishtinës, Berna Saraçi, nga Lëvizja Vetëvendosje në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë opozitare në kryeqytet do t’i pamundësohet të bëjë atë që LDK-ja e quajti “puç” dy javë më parë – kapjen e ndërmarrjeve publike.

    Vota e asamblistes Saraçi ishte kyçe për Lëvizjen Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme të përpara dy javëve në kryeqytet për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike, shkruan Gazeta Insajderi.

    Berna Saraçi, përpara dy javësh sa ishte asambliste e VV-së merrte pjesë në votimin për shkarkimin e aksionarëve nga partia udhëheqëse.

    Për t’iu mundësuar VV-së kapja në ndërmarrjet publike në Prishtinë, votuan edhe asamblistë të AAK-së dhe një i Nismës Socialdemokrate.

    Meqë nevojiten 26 vota për pjesëmarrje në votim, në vendimin për shkarkimin e aksionarëve nëpër ndërmarrjet publike 25 votuan për dhe një asamblist abstenoi.

    Ndërkaq, në votimin për emërimin e aksionarëve të rinj nëpër asetet publike 26 asamblistë votuan për.

    Nga kjo seancë përfitoi edhe Arianit Beqiri, asistenti i kryeministrit Albin Kurti, i cili mori në pronësi Ndërmarrjen Publike Banesore.

    PDK-ja duket se e ka “gjymtuar” mundësinë e mbajtjes së seancave të jashtëzakonshme të natyrës së asaj të para dy jave. Kjo është bërë nëpërmjet aderimit të asamblistes Saraçi në partinë e tyre, duke e lënë opozitën me vetëm 25 pjesëmarrës në votim. Rrjedhimisht, VV-AAK-Nisma nuk do të kenë më kuorum që t’i mbajnë seancat vetëm.

    Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, ka zyrtarizuar dje kalimin e asamblistes Sahatçiu në partinë e saj.

    “Prej sot, ekipi i PDK-së në Prishtinë përfaqësohet edhe me një super grua në Kuvendin Komunal. Berna Saraçi do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare komunale për të nxitur punë edhe më të mirë në Kryeqytet”, ka shkruar ajo në njoftimin e saj në ‘Facebook’.

    Për këtë, pati reagime të ashpra nga VV-ja, duke akuzuar PDK-në se Saraçi mori kërcënime përpara aderimit në PDK.

    “Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Qendrës me grupin e asamblesitëve, ish asambleistja Berna Saraçi na ka paraqitur shqetësimet e saj në raport me kërcënimet dhe shantazhet që po i bëhen asaj dhe familjes së saj nga eksponentë të partive të pushtetit lokal. Të njëjtët e paraqitën sot aderimin e saj në këtë subjekt si sukses”, u tha ndër të tjera në akuzat e VV-së, duke i bërë thirrje institucioneve të drejtësisë ta hetojnë rastin.

    Më vonë ka reaguar sërish nënkryetarja Sahatçiu, e cila ka kërkuar emrat e personave që VV ka pretenduar se e kanë kërcënuar asamblisten Saraçi.

    Kush nga PDK e paskemi kërcënuar Bernën, o hej? Ftoj ish-kolegët e Bernës nga LVV në Prishtinë që të bëjnë publike sa më shpejtë informatën se kush nga PDK e paska kërcënuar atë, apo këdo tjetër, ndonjëherë gjatë këtij mandati. Hajde ma gjallë! Emrat, ju lutem. Emrat“, ka thënë ajo.

    Veprimi i PDK-së mund të shihet edhe si “hakmarrës”, sikurse në rastin e deputetes Adelina Grainca.

    Kjo e fundit, teksa bënte pjesë në Grupin Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, “aderoi” në momenti në momentin e VV-së.

    Me votën e saj, e cila ishte e 81-ta, u bë kuorumi për votimin e presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës përpara dy vitesh.

    Në ditën kur është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga opozita, kryesuesi komunal, Fehmi Kupina, ka dhënë dorëheqje nga LDK-ja.

    Unë jam anëtar i pavarur i kryeqytetit dhe nuk do t’i përkas asnjë partie apo grupi politik. Mandatin tim si kryesues i Kuvendit dhe si anëtar i pavarur do ta ushtroj në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe do të jem besnik i secilit votues dhe qytetari të Prishtinës“, ka deklaruar Kupina.

    Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi i Kuvendit Komunal përveç të drejtës së votës personale, ka të drejtë edhe për votë shtesë nëse votimi është i barabartë për ose kundër një propozimi.

    Dorëheqja e Kupinës mund t’i paraqes probleme pushtetit lokal në Komunën e Prishtinës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark