Përhapja e shpejtë e një varianti të ri të koronavirusit është fajësuar për ashpërsimin e masave kufizuese për miliona njerëz në Angli, Skoci dhe Uells si dhe ka shtyrë shumë shtete që të marrin vendim për t’ua ndaluar britanikëve hyrjen në territoret e tyre.
Atëherë, si ka arritur ky variant nga joekzistenca në formën më të përhapur të virusit në disa pjesë të Anglisë brenda disa muajve?
Këshilltarët qeveritarë thonë se besojnë fuqishëm se varianti i ri i koronavirusit është më ngjitës se variantet tjera, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Sidoqoftë, tërë puna e shkencëtarëve është në fazë të hershme, përmban shumë paqartësi dhe një listë të gjatë të pyetjeve pa përgjigje.
Pse po shkakton shqetësim varianti i ri i koronavirusit?
-Po i zëvendëson shpejt versionet tjera të virusit.
-Ka mutacione që ndikojnë në virus dhe që ka gjasë të jenë të rëndësishme.
-Tashmë është vërtetuar në laborator se disa nga këto mutacione ndikojnë në aftësinë e virusit që t’i infektojë qelizat.
Sidoqoftë, ende nuk ekziston qartësi e plotë për këtë version. Versionet e reja të virusit mund të bëhen më të përhapura thjesht duke qenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, si shembulli i Londrës, ku deri vonë ka qenë në fuqi vetëm niveli i dytë i kufizimeve.
Sa shpejt po përhapet varianti i ri i koronavirusit?
Ky variant për herë të parë u vërejt në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër i përkisnin këtij varianti. Deri në mesin e dhjetorit, kjo shifër arriti në dy të tretat e të gjitha rasteve.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka thënë se varianti i ri i koronavirusit mund të jetë deri në 70 për qind më ngjitës dhe kjo, sipas tij, mund ta rrisë shkallën e përgjithshme të infeksionit, e cila tregon nëse pandemia është duke u rritur apo duke u ulur.
Sa është përhapur varianti i ri?
Mendohet se varianti i ri është shfaqur fillimisht te një pacient në Britani ose ka ardhur nga një shtet tjetër me aftësi më të vogla për vëzhgimin e mutacioneve të koronavirusit.
Varianti i ri tashmë mund të gjentet pothuajse në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, me përjashtim të Irlandës Veriore. Sidoqoftë, është shumë i përhapur në Londër si dhe në pjesën juglindore dhe lindore të Anglisë.
A ka ndodhur më parë që të shfaqen variante të reja të koronavirusit?
Po. Virusi që është zbuluar fillimisht në Kinë nuk është i njëjti me variantet që gjenden në shumicën e pjesëve tjera të botës.
Mutacioni D614G u shfaq në Evropë në shkurt dhe më vonë u bë formë mbizotëruese e koronavirusit në nivel botëror.
Një mutacion tjetër, i quajtur A222V, u përhap në tërë Evropën dhe besohet se erdhi nga njerëzit që i kaluan pushimet verore në Spanjë.
A do të funksionojnë vaksinat kundër variantit të ri?
Sipas shumicës së gjasave po, të paktën tash për tash. Vaksinat e përgatisin sistemin imunitar që të sulmojë pjesë të ndryshme të virusit, prandaj, ndonëse pjesë të “majës” së virusit kanë pësuar mutacion, vaksina do të duhej të funksiononte përsëri.