
Të premten, Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj disa objekteve bërthamore dhe ushtarake në territorin iranian, ndërsa tensionet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm për shkak të përparimit të shpejtë të programit bërthamor të Iranit, raporton AP, përcjell Insajderi.
Udhëheqësit izraelitë e arsyetuan sulmin si të domosdoshëm për të parandaluar atë që sipas tyre ishte një kërcënim i afërt për ndërtimin e bombave bërthamore nga ana e Iranit.
Ndërkohë, Teherani ka deklaruar vazhdimisht se programi i tij bërthamor ka qëllime vetëm paqësore, një vlerësim që është mbështetur edhe nga agjencitë amerikane të inteligjencës, të cilat deri tani nuk kanë gjetur prova që Irani po zhvillon armë bërthamore në mënyrë aktive.
Kush ishte Hossein Salami – komandanti i Gardës Revolucionare që u vra sot nga forcat izraelite?
Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) miratoi një rezolutë qortuese ndaj Iranit – e para pas 20 vitesh – duke e akuzuar për mospunim me inspektorët ndërkombëtarë.
Në reagim të menjëhershëm, Teherani njoftoi se do të hapë një lokacion të tretë për pasurimin e uraniumit në vend dhe do të zëvendësojë centrifugat aktuale me modele më të avancuara.
Për më tepër, sulmi izraelit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat kishin për qëllim një marrëveshje të mundshme për heqjen e disa sanksioneve ekonomike amerikane, në këmbim të ndalimit ose kufizimit të programit iranian për pasurimin e uraniumit.
Objekti në Natanz – zemra e programit bërthamor iranian
Një ndër objektet më të rëndësishme të prekura nga sulmet besohet të jetë kompleksi bërthamor i Natanz, i vendosur rreth 220 kilometra në juglindje të Teheranit. Ky objekt është baza kryesore e pasurimit të uraniumit në Iran.
Pjesë e objektit është ndërtuar nëntokë për ta mbrojtur nga sulmet ajrore, dhe operon me qindra centrifuga të vendosura në kaskada – grupe që punojnë së bashku për të përshpejtuar procesin e pasurimit.
Irani gjithashtu është duke punuar për të zgjeruar këtë kompleks duke hapur tunele në malin Kūh-e Kolang Gaz Lā (“Mali i Kazmës”), pranë perimetrit jugor të Natanzit. Kjo zonë është goditur më parë nga sulme kibernetike – më e njohura nga to është virusi Stuxnet, i cili besohet të jetë krijuar nga Izraeli dhe SHBA, dhe që shkatërroi një numër të konsiderueshëm centrifugash iraniane.
Dy sulme sabotuese të tjera, të atribuuara gjithashtu Izraelit, kanë dëmtuar më parë këtë objekt.
Situata aktuale ka ngritur alarmin për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak në rajon dhe ka vënë në pikëpyetje çdo përpjekje për zgjidhje diplomatike të krizës bërthamore me Iranin.