Jo pak kush ka mbetur i habitur me Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të pranuar fillimisht më 28 shkurt në Bruksel, e më pastaj edhe me shtojcën e zbatimit të pranuar në Ohër me 18 mars.
Serbia nuk e ka nënshkruar atë, derisa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehet se “nuk do të nënshkruajë marrëveshje me atë që ata e quajnë Republika e Kosovës” por se do të zbatojë “shumicën prej pikave” të marrëveshjes duke i respektuar “vijat e kuqe” të saj: “mosnjohjen e Kosovës dhe moslejimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB”.
Amerikanët deklaruan se kjo marrëveshje “edhe pa u firmosur” është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e obligueshme. Për shumë kënd, kjo tingëlloi e çuditshme. Marrëveshja po, por pa nënshkrim…
Insajderi ka biseduar me ekspertë ndërkombëtarë dhe studiues për të pyetur se çfarë do të thotë një gjë e tillë. A është apo nuk është marrëveshja “e pa nënshkruar” ligjërisht e detyrueshme?
Studiuesja dhe hulumtuesja në Institutin gjerman “Stifftung Wissenschaft und Politik”, Marina Vuloviç, institut ky që këshillon Bundestagun gjerman dhe qeverinë gjermane, nuk mendoj njëjtë si amerikanët.
“Për shkak të faktit se asgjë nuk u nënshkrua, nuk ka detyrime që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare për të dy palët për zbatimin e marrëveshjes”, thotë Vuloviç për Insajderin.
“Përgjegjësia e vetme për zbatimin e tij buron nga procesi i anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë”. Këtu e sheh ajo të reduktuar tërë “obligueshmërinë” e kësaj marrëveshje.
Çka për Serbinë, sipas Vuloviç
“Për Serbinë, marrëveshja e re bëhet pjesë e Kapitullit 35 në kuadrin e saj të negociatave me BE-në, e cila në thelb ndryshon shumë pak, pasi Kapitulli 35 ka strukturuar tashmë procesin e pranimit të Serbisë në BE që nga viti 2015. Ai thotë konkretisht se ‘avancimi i pranimit të Serbisë në BE negociatat do të maten (…) veçanërisht kundër angazhimit të vazhdueshëm të Serbisë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën’”, thotë Vuloviç për Insajderin.
“Meqenëse Serbia nuk ka nënshkruar asgjë, kjo do të thotë gjithashtu se korniza e re nuk mund të trajtohet si një marrëveshje ndërkombëtare që mund të vlerësohet kundër pajtueshmërisë së saj me Kushtetutën e Serbisë. Lëvizja për të mos nënshkruar asgjë ishte një përgjigje ndaj presionit që Vuçiq ndjeu nga publiku më i gjerë dhe zërat e orientuar drejt krahut të djathtë në politikën dhe jetën publike serbe”.
Çka për Kosovën, sipas Vuloviç?
“Për Kosovën, ajo bëhet pjesë e Grupit Special për Normalizim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e lidhur ndërmjet Kosovës dhe BE-së në vitin 2016. Megjithatë, në Aneks thuhet vetëm se ‘Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për krijimin e specifikave aranzhimet dhe garancitë për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë’. Nuk thotë se statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të hartohet për shembull brenda 30 ditëve, apo diçka të ngjashme. Pra, kjo i lë më shumë hapësirë Kosovës që ta pengojë zbatimin aktual”, vlerëson studiuesja e SWP-së.
Prandaj, sipas Marina Vuloviq, kjo marrëveshje është e zbatuehsme “vetëm nëse” BE-ja përnjëmend e shtynë ata para, për shkak se incentivat për BE të të dyja vendeve janë të ulëta, “në dhjetë ose njëzet vite”.
“Shpresoj që konferenca e shpallur e donatorëve që do të ngrihet brenda 150 ditëve do të krijojë një nxitje shtesë për të punuar në zbatimin nga të dyja palët, pasi të kesh një qëllim të madh në fund të procesit (anëtarësimi në BE) nuk do ta ndërpresë atë”.
“Në fund, meqenëse kjo marrëveshje nuk u nënshkrua, suksesi i saj do të varet nga ritmi i zbatimit dhe do të shohim nëse BE-ja do të arrijë realisht të krijojë stimuj për zbatim”, përfundon ajo për Insajderin.
Njëjtë mendon edhe profesori i mirënjohur amerikan në John Hopkins University, Daniel Serwer, pyetur nga Insajderi rreth deklarimit të emisarit ameirkan Gabriel Escobar se marrëveshja edhe pa u nënshkruar është ligjërisht e detyrueshme. “Unë nuk jam avokat. I tillë nuk është as Gabriel Escobar-i”, thotë fillimisht. Serwer nuk e sheh një gjë të tillë të mundshme pa u vendosur firma mbi dokument.
“Nuk shoh se si do të mund të ishte ligjërisht e detyrueshme pa nënshkrim, përveç nëse ka një organ të së drejtës ndërkombëtare tradicionale për ta mbështetur atë”, thotë Serwer, ndërsa shton edhe se “Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq do të zbatojë atë çfarë ai mendon se është në avantazh të Serbisë. Njëjtë do të veprojë edhe [Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti”. Por, vazhdon të vlerësojë ai, “kjo nuk është formulë për paqe të ngrohtë”.
I pyetur nga Insajderi se a mund të jetë një marrëveshje “marrëveshje” pa u vendosur firma në të, Serwer shprehet kështu: “Mund të ketë marrëveshje nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë kështu, por është qartësisht jo ligjërisht e detyrueshme deri kur palët të thonë se është”. “Kjo [të qenit ligjërisht e detyrueshme] zakonisht bëhet kur palët e vendosin nënshkrimin”, tha Daniel Serwer në një bisedë me Insajderin.
Juristi serb beson ndryshe
Ndryshe mendon juristi serb Sead Spahoviq. Vetë natyra e kësaj marrëveshje, sipas tij, është e atillë. “Është e qartë se kjo nuk është një kontratë që nënkupton një formë të detyrueshme me shkrim dhe nënshkrime të palëve kontraktuese”, thotë ai fillimisht për Insajderin.
“Bëhet fjalë për një marrëveshje për të cilën, me shumë gjasa, të dyja palët dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë dhënë pëlqimin e tyre, që marrëveshja të jetë e vlefshme edhe pa nënshkrime formale. Në fund të fundit, ekzistenca e të drejtave në kuptimin ontologjik qëndron në fushën e vlefshmërisë. Prandaj, kjo marrëveshje është e vlefshme pavarësisht nëse është nënshkruar dhe në çfarë forme është lidhur”, na tha ai.
Por, Spahoviq më tej beson se është e rëndësisë së madhe që ajo të zbatohet megjithat. “Është e rëndësishme që palët në marrëveshje t’i përmbahen asaj”, përfundoi ai për Insajderi./Insajderi/