
Ajo që ndodhi saktësisht me fluturimin AI171 nga Ahmedabad drejt London Gatwick të enjten pasdite do të zbulohet vetëm pas një hetimi të detajuar, por momentet pas ngritjes janë ndër më sfiduesit në aviacion, raporton BBC.
Sipas medies, hetuesve indianë do t’u bashkohen edhe ekspertë nga SHBA dhe Britania në ditët në vijim, ndërsa autoritetet përpiqen të zbulojnë se çfarë shkaktoi rrëzimin e avionit Boeing 787-8 Dreamliner pak çaste pas ngritjes, vetëm 1.5 kilometra larg pistës së aeroportit ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel.
Ky është rasti i parë kur një avion 787-8 Dreamliner pëson një përplasje fatale që nga vënia e tij në shërbim komercial në vitin 2011.
Fatkeqësia e së enjtes i mori jetën 241 personave në bord dhe disa të tjerëve në tokë.
BBC-ja ka folur me ekspertë të aviacionit dhe pilotë të bazuar në Indi – disa prej të cilëve kanë folur në kushte anonimiteti – që fluturojnë rregullisht me 787-8 nga aeroportet ndërkombëtare të Indisë, për të kuptuar se cilët faktorë mund të kenë çuar në përplasjen e avionit me ndërtesat banimi në zemër të Ahmedabadit, vetëm pak çaste pas ngritjes.