Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar industrinë e naftës ruse, duke përfshirë në listë edhe kompaninë serbe “Industria e Naftës së Serbisë” (NIS). Këtyre masa kufizuese i është bashkuar edhe Britania e Madhe.
Sanksionet ndaj Naftës Industrisë së Serbisë (NIS) kanë disa pasoja të rëndësishme, sidomos për vetë kompaninë dhe institucionet që bashkëpunojnë me të.
Bllokimi i pasurisë në SHBA – E gjithë pasuria dhe pjesa e interesit në pasuri që NIS-i ka në Shtetet e Bashkuara, ose që është nën zotërimin apo kontrollin e personave amerikanë, është bllokuar. Këto asete duhet të raportohen tek OFAC (Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja).
Kufizime për transaksione – Çdo transaksion që përfshin asetet ose interesat e NIS-it, i kryer nga persona ose institucione amerikane, apo nëpërmjet SHBA-ve, është i ndaluar. Përjashtime lejohen vetëm nëse është dhënë një licencë e posaçme nga OFAC.
Efekte për entitetet e lidhura – Çdo entitet ku NIS-i ka një pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej 50 për qind ose më shumë, gjithashtu përfshihet në këto sanksione.
Frika e institucioneve financiare – Bankat dhe institucionet financiare që ndihmojnë NIS-in në transaksione mund të përballen me ndëshkime, duke rrezikuar të futen edhe vetë në “listën e zezë” të SHBA-ve.
Pasojat në nivel global – Efektet e sanksioneve nuk ndalen vetëm tek SHBA-ja. Institucionet financiare dhe kompanitë në vende të tjera shpesh shmangin bashkëpunimin me entitetet e sanksionuara, për të mos rrezikuar marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare, veçanërisht me SHBA-të.
Për NIS-in, kjo situatë mund të çojë në vështirësi të mëdha operacionale dhe financiare, duke përfshirë kufizime në qasjen në tregje ndërkombëtare dhe burime financimi.
Situata ngjan me problemet që kanë hasur individët dhe politikanët nga Ballkani Perëndimor të përfshirë në lista sanksionesh të ngjashme, të cilët kanë përjetuar kufizime në hapjen e llogarive bankare dhe operacioneve financiare.
Ndryshe, sanksionet përfshijnë gjithashtu kompanitë shtetërore ruse Gazprom Neft dhe Surgutneftegas. Sipas Departamentit të Thesarit, NIS-i u vendos nën masa kufizuese për shkak të lidhjes së saj me Gazprom-in rus, duke u konsideruar si një “rrezik sekondar”, shkruajnë mediat.
Këto veprime janë pjesë e angazhimit të G7-ës për të ulur të ardhurat energjetike të Rusisë, të cilat përdoren për financimin e luftës në Ukrainë.
Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, që nga viti 2022, Gazprom Neft zotëron 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë mban 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa Gazprom ka 6.15 për qind. Pjesa e mbetur është në pronësi të qytetarëve, punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve, si dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.
Gazprom Neft, e cila zotëron një pjesë të madhe të NIS-it, është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Këto sanksione e kanë përjashtuar kompaninë nga tregjet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.
NIS-i operon mbi 400 pika karburanti në Serbi dhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Bosnjë e Hercegovinën, Rumaninë dhe Bullgarinë. /Telegrafi/