Institucionet e Kosovës, me shumë gjasë, bazuar në ligjet në fuqi, do të lëshojnë fletarrestime të kuqe të Interpolit për personat që janë dënuar në mungesë për krime lufte.
Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) Ehat Miftaraj nga Instituti i Drejtësisë në Kosovë, një organizatë joqeveritare që monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 dhjetor, e dënoi me 15 vjet burgim Çedomir Aksiqin, për akuzën krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera nga janari deri në maj të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimes, përkatësisht në fshatrat Reçak, Malopolc dhe Petrovë.
Ky është vendimi i parë për krime lufte i marrë në mungesë, bazuar në Kodin e ndryshuar të Procedurës Penale të vitit 2022.
“Megjithatë, procedura për lëshimin e një urdhërarresti të kuq për personat që nuk janë të kapshëm për institucionet e drejtësisë ishte detyrim edhe para gjykimit”, thekson Miftaraj.
Gjykimi në mungesë, sipas sistemit të drejtësisë në Kosovë, mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.
REL-i iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës me pyetjen nëse është kërkuar lëshimi i ndonjë fletarrestimit të kuq për Aksiqin para gjykimit dhe nëse do ta bëjnë tani pas vendimit – por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Kosova nuk është anëtare e Interpolit, prandaj fletarrestimet lëshohen me ndërmjetësimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Nga ky mision, në përgjigjen për REL-in, thanë se nuk komentojnë raste individuale dhe se informacionet më të hollësishme për rolin e UNMIK-ut në lëshimin e fletarrestimeve të Interpolit në emër të Kosovës mund të gjenden në faqen e tyre të internetit.
Sipas saj, UNMIK-u përcjell njoftimet në Interpol, i cili lëshon dhe publikon njoftime (fletarrestime) që plotësojnë kërkesat e Kushtetutës së Interpolit dhe rregullat e tij për përpunimin e të dhënave. Theksohet se ky mision nuk është i përfshirë në asnjë proces ligjor që mund të pasojë pas lëshimit të fletarrestimit nga Interpoli.
Çedomir Aksiq është dënuar me 15 vjet burgim bazuar në një aktakuzë që e ngarkonte atë se, në periudhën nga janari deri në maj të vitit 1999, së bashku me anëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte shkaktuar vuajtje dhe dëmtime të integritetit fizik ose shëndetit, si dhe kishte përhapur frikë ndërmjet popullatës civile.
Gjykimi zgjati nga nëntori i vitit 2023 deri në dhjetor 2024.
Aksiq u akuzua se, së bashku me anëtarë të grupit të përmendur, kishte urdhëruar dëbimin e popullatës dhe kishte djegur shtëpitë e dëmtuarve.
Thuhet se në fshatin Petrovë, afër Shtimes, Aksiq kishte vrarë me armë zjarri një person që ishte ndaluar më parë nga i dënuari.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e disa civilëve në fshatin Reçak.
Prokurorja Habibe Salihu deklaroi gjatë gjykimit se kishin provuar ta gjenin të akuzuarin Çedomir Aksiqin në adresën që ai e kishte në Kosovë, por ai nuk ishte i pranishëm asnjëherë.
Sipas raportimeve të portalit Betimi për Drejtësi, disa nga dëshmitarët në çështjen Aksiq ishin në dijeni se pas luftës ai kishte shitur shtëpinë e tij në Kosovë.
Prokurorja gjithashtu deklaroi se gjatë hetimit kishin siguruar adresën që i akuzuari kishte në Serbi dhe përmes Bashkëpunimit Ndërkombëtar Juridik kishin dërguar kërkesë për t’ia dorëzuar thirrjen e gjykatës Aksiqit.
Megjithatë, përgjigjja ishte se nuk ishte e mundur të sigurohej prania e tij.
Avokati nga Serbia, Ahmed Dellimagjec, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë shpjegoi se Serbia nuk dëshiron të veprojë sipas fletarrestimeve të kuqe të Interpolit kur bëhet fjalë për ekstradimin e shtetasve të saj në Kosovë.
Dellimagjec thekson se kjo është një çështje politike, pasi ministri i Drejtësisë i Serbisë merr vendimin përfundimtar nëse dikush do të ekstradohet në një vend tjetër.
“Në çështjet për krime lufte, ku serbët gjykohen në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi, kjo është ekskluzivisht politike. Nëse Serbia do të pranonte të ekstradonte një shtetas të saj në Kosovë, kjo do të nënkuptonte që ajo de facto i njeh ato gjykata”, tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se personi i kërkuar mund të arrestohet nëse udhëton në një vend tjetër anëtar të Interpolit.
“Unë mendoj se një Gjermani apo Itali do të vepronin sipas fletarrestimit të Interpolit dhe se personi do t’i dorëzohej Kosovës”, shtoi ai.
Një fletarrestim i kuq nga Interpoli nuk është i njëjtë me një fletarrestim për kapje, pasi vendet anëtare zbatojnë ligjet e tyre dhe vendosin nëse do ta ekstradojnë atë person.
Serbia nuk i njeh institucionet e Kosovës pasi nuk e njeh pavarësinë e saj dhe nuk ka marrëveshje të ndërsjella për ekstradim, as nuk ekziston një bashkëpunim i drejtpërdrejtë juridik mes tyre.
Avokati Dellimagjec gjithashtu theksoi se Kushtetuta e Serbisë garanton mbrojtjen e qytetarëve kur bëhet fjalë për ekstradim në vende të huaja për gjykim, duke specifikuar se ata nuk do të ekstradohen, por mund të gjykohen në Serbi.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk mbështet gjykimet për krime lufte në mungesë, duke theksuar se një praktikë e tillë “bie ndesh me standardet evropiane për një gjykim të drejtë”.
“Kur i akuzuari nuk është në gjendje të mbrohet vetë, për ne ky nuk është gjykim i drejtë. Nuk mund ta komentoj vendimin, sepse është në shkallën e parë, por ajo që kemi vërejtur përmes monitorimit të këtij procesi është se mbrojtja e caktuar zyrtarisht nuk ka treguar angazhim të madh, kështu që pothuajse të gjitha provat e prokurorisë janë pranuar. Nuk kishte asnjë provë nga ana e mbrojtjes”, tha Blakaj.
Ai mendon se vendimet në mungesë përbëjnë një “drejtësi të dukshme në shikim të parë” për viktimat, ose anëtarët e familjeve të tyre, por se ata nuk do të jenë të kënaqur me kalimin e kohës, pasi të dënuarit do të vazhdojnë të jenë të lirë.
“Nëse gjykimet në mungesë ndodhin rrallë, mund të jenë të pranueshme. Por, nëse kjo bëhet një dukuri e zakonshme, do të përbënte problem, sepse do të ketë një numër të madh të dënuarish për krime lufte që nuk do ta vuajnë dënimin. Sigurisht, kjo nuk do të ndikojë pozitivisht te viktimat ose anëtarët e familjeve të tyre”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj shpjegon se të dënuarit për krime lufte në mungesë mund të arrestohen dhe t’i ekstradohen Kosovës nëse udhëtojnë jashtë territorit të Serbisë.
“Bazuar në ligjin në fuqi në Kosovë, të gjithë ata që janë dënuar në mungesë për krime lufte, pas arrestimit dhe ekstradimit në Kosovë, kanë të drejtë për një gjykim të ri nëse e kërkojnë, që do të thotë se procesi do të nisë nga fillimi”, shpjegon Miftaraj.
Ligji për procedurën penale përcakton se personat që gjykohen në mungesë, pasi autoritetet nuk kanë arritur ta sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një gjykim të ri dhe pa kushte kurdo që arrestohen.
Edhe avokati Dellimagjec thekson se do të ketë një gjykim të ri nëse një shtet tjetër, përveç Serbisë, vepron sipas fletarrestimit të Interpolit dhe ekstradon të dënuarit për krime lufte në mungesë në Kosovë.
“Ky vendim mund t’u shërbejë atyre (Kosovës) vetëm si bazë për të shpallur një fletarrestim, si një mënyrë për ta gjetur atë person, për ta siguruar praninë e tij dhe për ta gjykuar përsëri”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi më 23 dhjetor në një konferencë për drejtësinë tranzicionale se Departamenti për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale ka ngritur 67 aktakuza.
Ajo sqaroi se aktakuzat janë ngritur në 62 raste kundër 174 personave, ndërsa në 10 raste gjykimi zhvillohet në mungesë.
Ministrja theksoi se gjykimet në mungesë janë të rëndësishme, “duke pasur parasysh që Serbia nuk dorëzon kriminelët e luftës”.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.