
Gjermania kohëve të fundit ka dërguar mesazhe të qarta në Beograd që të ndalojnë kritikat dhe fjalët e ashpra ndaj shtetit të tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, megjithatë, s’ka të ndalur, raporton Insajderi.
Instituti gjerman “Friedrich Ebert Foundation” hartoi statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për çka Vuçiq tha se “shpërtheva në inat” dhe lëshoi një seri edhe më të madhe kritikash ndaj Berlinit.
“Pse Vuçiq po vazhdon luftën me Gjermaninë?”, pyet mediumi serb “Nova”, teksa përgjigjen e ka se “i ka hyrë frika e investimeve gjermane”.
Në sfondin e konfliktit të hapur me Gjermaninë, që ka vazhduar që nga largimi i ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, siç shprehet analisti i politikës së jashtme Boshko Jakshiq, është frika se Gjermania do të ndikojë që fondet e Bashkimit Evropian të jenë të mbyllura për Serbinë.
Jo për shkak të Kosovës, as për shkak të Ukrainës, por për shkak të sundimit të saj autoritar, demokracisë së rrënuar dhe mungesës së shtetit ligjor, thotë ai.
Në emisioni “Cirilika” në Tv Happy, televizion ky propagandistik serb, Vuçiq foli për faktin se u informua nga instituti gjerman se kanë hartuar statutin e Asociacuionit.
“U çmenda nga inati, veçanërisht sot kur u informova nga Friedrich Ebert Foundation – kemi hartuar statutin e Asociacionit – OJQ-ja gjermane na thotë neve se cilat do të jetë kompetencat e Asociacionit. Kush jeni ju, çfarë kompetenca ose lidhje keni ju me popullin serb”, ka thënë Vuçiq.
“Çfarë ka të bëjë Friedrich Ebert me këtë, kush jeni ju të merreni me këtë”, pyeti Vuçiq.
“E di se do të më sulmojnë për këtë çfarë po them, çfarë keni për të propozuar, është çështje për serbët dhe shqiptarët nëse s’është e dikujt tjetër, çfarë keni ju të ndërhyni se me atë se çfarë serbët mund të bëjnë në komunat e tyre”.
Më pastaj u lëshua në kritika ndaj Gjermanisë, shtetin që dikur e ngriste në parajsë gjatë kohës së Angela Merkel.
Problemi lindi me ardhjen e kancelarit të ri, Olaf Scholz, i cili erdhi në Serbi në fillim të mandatit të tij dhe me atë rast kërkoi me forcë që Serbia t’i bashkohet sa më shpejt sanksioneve kundër Rusisë dhe më pas publikisht vendosi një kusht për Vuçiqin “për herë të parë” – njohje reciproke e Serbisë dhe Kosovës.
Kjo u pasua nga disa takime më pak të këndshme me Ministren e Jashtme gjermane, Analena Berbock.
Pastaj ishte propozimi gjermano-francez për zgjidhjen e problemit me Kosovën, i cili kërkon miratimin e Serbisë për hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në radhë të parë në Kombet e Bashkuara.
“Mosmarrëveshje” të shpeshta ka edhe mes kryeministres serbe Ana Brnabiq dhe raportueses së Parlamentit Evropian Viola von Kramon, e cila, ashtu si Analena Berbok, është anëtare e të Gjelbërve gjermanë.
Për të gjitha këto, deklarata e fundit e presidentit serb se nuk u beson gjermanëve nuk është befasuese.
Duke folur për planin gjermano-francez, Vuçiq tha se Amerika sigurisht që po përpiqet të gjejë një zgjidhje dhe se ata nuk duan konflikt, por se nuk u beson të tjerëve.
“Unë nuk u besoj gjermanëve, por asgjë kur bëhet fjalë për Kosovën”, tha Vuçiq në atë kohë.
Çfarë në të vërtetë i dhemb Vuçiqit?
“Mendoj se ishte plotësisht e pritshme kur ndodhi një ndryshim i qeverisë në Gjermani dhe dihej se cilat ishin qëndrimet e kancelarit Olaf Scholz dhe veçanërisht shefes së diplomacisë Analene Berbock, që të mos kishte më tolerancë dhe afeksion që Angela Merkel kishte ndaj autokracisë së Vuçiqit dhe gjithçka për hir të idesë së stabilizimit”, tha për Nova-n, analisti Boshko Jakshiq, përcjell Insajderi.
“Scholz dhe Baerbock këmbëngulin në parimet demokratike, të drejtat dhe liritë e njeriut, sundimin e ligjit, dhe ky është segmenti në të cilin ndihet Vuçiq. Për këtë arsye ai reagon në mënyrë kaq të neveritshme dhe e shpërndan të gjithë historinë për dialogun e Kosovës dhe luftën e Ukrainës, edhe pse pas të gjithave fshihet një hendek serioz ndaj Gjermanisë dhe frika se do t’i bëhet presion për mënyrën e qeverisjes në Serbi. Është një temë tabu për të dhe nuk po e fsheh dot nervozizmin”, thotë Jakshiq.
“Kjo është shumë më pak e lidhur me Asociacionin, është vetëm një rast për të treguar se sa i pakënaqur është me qëndrimin e Gjermanisë, megjithatë, në atë duel Vuçiq nuk mund të fitojë dhe të rifitojë pozicionin e tij si autokrati i preferuar, siç e quanin në kohën e Merkelit. .”
I pyetur se cilat lëvizje të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian i trembet Vuçiqit, Jakshiq thotë se këto janë “recetat” që tashmë i kanë aplikuar në Hungari dhe Poloni.
“Për një kohë të gjatë BE-ja nuk dinte si të sillej me regjimet në këto dy vende, megjithatë, në fund gjeti një zgjidhje – dhe kjo është një kufizim në përdorimin e fondeve të BE-së. Nëse shteti nuk respektoni vlerat themelore demokratike, nuk ka qasje në fonde, ose që qasja është e kufizuar në një farë mënyre. Dhe kur Vuçiq thotë se i frikësohet investimeve, pikërisht për këtë flet”, thotë Jakshiq dhe përfundon:
“Përveç pushtetit, obsesioni numër dy i Vuçiqit është zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura. Nëse na ndërpritet qasja në fondet dhe ai nuk mund të ushqehet më çdo ditë me historinë e autostradave dhe spitaleve të reja, ai është në telashe të rënda. Në të njëjtën kohë Gjermanët nuk do t’i bëjnë presion investitorëve privatë drejtpërdrejt, por nëse në mënyrë indirekte dërgoni mesazhin se nuk ka demokraci, shtet ligjor në një vend, se është një vend autokratik, atëherë ju dërgoni mesazh edhe investitorëve që nuk është e sigurtë për të investuar atje. Gjermania tani praktikisht po tregon se është e gatshme të nisë ato mekanizma, që shkakton frikë tek Vuçiq, nga frika vjen nervozizmi dhe nga nervozizmi reagimet e tij si këto”, përfundoi Jakshiq./Insajderi/