USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.
Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati nënshkruar një grant me USAID-in, i cili ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synon ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.
Deri para ngrirjes së fondeve, USAID-i në Kosovë ka qenë duke financuar një mori aktivitetesh. Aty përfshihen:
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duket se po mbyll agjencinë kryesore të Uashingtonit për ndihmë ndërkombëtare, në kuadër të një morie masash për shkurtime të shpenzimeve qeveritare.
Organizatat humanitare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike.
Në krye të nismës për mbylljen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është Elon Musk, i emëruari i Trumpit për ulje të shpenzimeve qeveritare.
Musk pretendon se administrata mund t’i ulë shpenzimet për 1 trilion dollarë, dhe gjithë lëvizjen e tij e përshkruan si betejë kundër korrupsionit.
Punëtorët e USAID-it kanë pranuar një njoftim se selia e agjencisë në Uashington do të jetë e mbyllur për personelin, më 3 shkurt, “me vendim të udhëheqjes së agjencisë”, kanë raportuar mediat amerikane, si CNN dhe Associated Press, duke cituar disa burime të veta.
Uebfaqja kryesore e USAID-it, agjenci që sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ofron më shumë se 40 për qind të të gjithë ndihmës humanitare në botë, ka qenë jashtë funksionit, ndërsa vetë Trump ka pretenduar se agjencia është “udhëhequr prej një grupi të çmendurish radikalë”.
“Jemi duke i larguar ata dhe do të marrim një vendim”, për të ardhmen e USAID-it, u ka thënë ai gazetarëve, më 2 shkurt.
Komentet e Trumpit pasojnë raportimet e mediave, si CNN dhe Reuters, se dy zyrtarë të lartë të sigurisë së USAID-it janë pushuar përkohësisht nga puna, pasi kanë tentuar t’i parandalojnë përfaqësuesit e Departamentit për Efikasitet Qeveritar (DOGE) që të kenë qasje në sistemet kompjuterike të agjencisë.
DOGE është organizatë e themeluar nga Trumpi dhe e udhëhequr nga Musku.
Vetë Musk e ka përshkruar USAID-in si “organizatë kriminale”, dhe ka thënë se është “koha që ajo të shuhet”, ndonëse agjencia menaxhon dhjetëra miliarda dollarë që miraton Kongresi amerikan si ndihmë jashtë kufijve të SHBA-së.