Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, është duke u ballafaquar ditëve të fundit me disa zëra kundër udhëheqjes së tij.
Gazeta Insajderi
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka konfirmuar se nuk ka marrë pjesë sot në konventën e partisë së udhëhequr nga Memli Krasniqi.
Ajo përmes një reagimi ka treguar arsyet e mosmarrjes pjesë në “Konventën programore të PDK-së”.
Shkrimi i saj i gjatë në Facebook fillon me fjalinë “kur në emër të reformës synohet ikja nga identiteti”, derisa vazhdon me “mungesa ime sot ka të bëjë me mospajtimin tim me mënyrën e organizimit të Konventës, si në kohë si në përmbajtje, si në përfaqësimin”.
Musliu që duket se konventën e ka përcjell nga shtëpia, tutje kallëzon se si e pa atë.
“Sot pamë një Konventë, pa zëra kritik dhe pa një rezyme të proceseve nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike e Kosovës. Sot, pamë një konventë me një parullë patetike 50-50, që realisht për qëllim ka vetëm të tingëllojë shumë bukur, por nuk pamë një plan konkret se si do të realizohet ky synim 50-50. Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut”, shkruan Musliu, transmeton Gazeta Insajderi.
Tutje ajo hedh akuza të forta për mohimin e fjalës së grave dhe vajzave në PDK.
“Në PDK, sikurse edhe në partitë e tjera pa përjashtim, gratë dhe vajzat duhet të jenë pa zë, të përshtatën dhe të nënshtrohen sepse vetëm kështu ato respektohen nga individë të caktuar, e që fatkeqësisht këta individë sot udhëheqin partitë politike në Kosovë. Kjo është një situatë që të gjithë e dijnë, por që nuk prononocohen qartë”, thotë Musliu, shkruan Gazeta Insajderi.
“Qasja e tillë ndaj grave aktiviste dhe krijimi i një mentaliteti të tillë ndaj grave në përgjithësi e dëmton rëndë kauzën për përfaqësim të dinjitetshëm të Grave në politikë dhe në jetën publike, prandaj për mua është e papranueshme që, kundruall këtyre zhvillimeve, të hesht vetëm pse sot mbaj një pozitë të rëndësishme si deputete dhe si kryetare e Komisionit për mbikqyrjen e AKI-së, gjë që dikush mund ta vlerësojë si zonë komfori. Unë, në rrugën time politike, asnjëherë nuk e kam zgjedhur rrugën e komformitetit”.
Sipas saj në emër të reformave po shkatërrohet historia e partisë.
“Nuk mund të ia lejoj vetës të heshti kur jam dëshmitare se çdo ditë, në emër të reformave po shkatërrohet historia, tradita, identiteti jonë politik dhe dinjiteti jonë njerëzor. Reformat janë të mirëpritura, por nuk reformohet një parti duke mohuar vlerat mbi të cilat u themelua, vlerat mbi të cilat e qeverisi dhe e rindërtoi vendin. Çdo Parti duhet të hapet dhe të bëhët shtëpi ku gjeneratat e reja do të angazhohen, por pa e mohuar kontributin dydekadësh të aktivistëve dhe kuadrove të cilët ishin mburrja dhe krenaria e Partisë dhe e Kosovës”, thekson deputetja e PDK-së, shkruan Gazeta Insajderi.
Ajo shkruan se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e një konvente ku nuk thuhet asnjë fjalë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që po mbahen në Hagë.
“Partia Demokratike, nga një parti e vlerave kombëtare dhe shtendërtuese po shndërrohet një një „Parti-Pronë“ e një grupi të vogël interesi i cili me çdo verim synon ikjen nga identiteti i saj. Nuk e shoh të arsyeshe të bëhem numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhen ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkëlqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat”.
Në fund ajo flet për sondazhet që janë publikuar javën e fundit, e që tregojnë për rënien e PDK-së.
“Sondazhet e fundit janë matës serioz për neglizhencën e Organeve të PDK-së. Sot sondazhet na nxjerrin në vendin e tretë dhe po vazhduam kështu nuk dua as të mendoj se ku do të përfundojmë në zgjedhjet e ardhshme. E kemi provuar me heshtje duke kërkuar debat të brendshëm, por Kryesia aktuale e PDK-së (Kryesia e ngushtë sepse e gjëra është në terr informativ) ka injoruar çdo përpjekje duke u vetëkënaqur në „lavdinë“ e tyre momentale”.
“Elektorati i PDK-së, ka mbetur vetëm dhe pa një vizion të qartë të Partisë, prandaj për hir të atyre qindra mijëra votuesve dhe mbështetësve të vërtetë të PDK-së, nuk mund ta marr përgjegjësinë e heshtjes. Do të qëndroj fuqishëm në PDK dhe do të vazhdoj të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por do të vazhdoj të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda Partisë sonë. Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Demokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Nijazi Kryeziut, anëtarit të kamotshëm të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prizrenit.
Edhe ai e ka kritikuar ashpër kryetarin e tij, Memli Krasniqin.
“Maskarada politike e rradhës e Memli Krasniqit me shokë. Thirrjet telefonike nga dy tri herë per 48 orë si me urgjencë delegateve femra të Konventës së fundit të Partisë Demokratike për “Konventën e rradhës”. Do të thotë janë thirrur për Konventë të Gruas Demokratike delegatet që në zgjedhjet e fundit janë zgjedhur me garë zgjedhore nga baza”, shkruan Kryeziu në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.
Reagimi i tij erdhi pas “Konventën programore të PDK-së”.
“Pa ftesë, pa rend dite, prapavija pa asnjë ngjyrë, shenjë, llogo apo emblemë të PDK-së. Në sallën e “Konventës” delegatet e zgjedhura anë e kënd Kosovës spektatore vetëm për duartrokitje dhe mbushje të sallës, akterë e panelistë të emëruarit, shokët e shoqet e Memlit”, shkruan tutje Kryeziu, transmeton Gazeta Insajderi.
Sipas tij, kjo ka ndodh për “me e mbulu marren e dështimit të partisë”
“Krejt kjo është bërë për Memlin, Uranin, Abelardin dhe aty këtu edhe ndonjë tjetër që nuk ka qenë pjesë e skenarit dhe as që e ka ditur se çka do të organizohet. Krejt kjo është bërë qysh me e mbulu marren e dështimit të partisë”, thotë ai, shkruan Gazeta Insajderi.
“Kemi organizuar disa konventa, kemi marrë pjesë në dhjetra e qindra si mysafir të ftuar brenda e jashtë shtetit. Veç konventë e Gruas Demokratike të Kosovës kjo maskarada e politike e rradhës nga Memli me shokë nuk mund të quhet. Kjo nuk është 50/50 kjo i bjen shokë e shoqe 95% dhe 5% aty këtu spektatorë”, thotë Kryeziu, derisa sa vazhdon “thirri e mbledhi organet vendimmarrëse Memli Krasniqi, leji maskaradat politike”.
“Nuk je me shokë moderator i tubimeve të kemi zgjedhur për lider dhe ata për rreth i ke emëruar për bashkëudhëheqje të demokratëve”.
Krasniqi edhe ditë më parë ka hedhur akuza në drejtim të parit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kritika e tij erdhën pas dorëheqjes së Ramë Bujës nga pozita e nënkryetarit dhe anëtarit të kryesisë së PDK-së, dhe mosreagimit apo heshtjes, siç e ka quajtur ai, të kryetarit të partisë, Memli Krasniqi.
Kryeziu i është drejtuar me një reagim publik Krasniqit duke i thënë, “çele gojën Memli Krasniqi, fol!”, dhe duke vijuar “Mos hesht dhe mos të duket që je më i madh se Hashim Thaçi apo Kadri Veseli!”, ka shkruar Kryeziu në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.
Krasniqi është akuzuar se po tenton që t’i zëvendësojë figurat e luftës me figura të reja të cilat sipas aktivistit nga Prizreni, nuk kanë kontribuuar asnjëherë në PDK.
Ai, po ashtu, ka thënë se figurat e reja në zgjedhje kanë turp të përdorin logo të PDK-së apo ta përmendin UÇK-në.
Këta persona, sipas Kryeziut, Memli Krasniqi tashmë i ka zëvendësuar apo po tenton t’i zëvendësojë me figurat e vjetra të partisë.
“Nuk është Ramë Buja kafshatë që kapërdihet me heshtje. Mos mendo që mund ta injorosh krejt anëtarësinë e partisë, organet drejtuese e vlerat patriotike, çlirimtare e shtetformuese duke i zëvendësuar me gjysmën e klasës së gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, që i njeh në Prishtinën që asnjëherë nuk i keni fituar asnjë palë zgjedhje, bile as në një lagje të vetme në Prishtinë”, ka thënë Kryeziu, transmeton Gazeta Insajderi.
“Me ata që dalin në zgjedhje dhe nuk përdorin as llogo as emblemë e sllogan të partisë, që kurrë nuk e përmendin as UÇK, as PDK-në! Demokratët i ke pas vete në çdo rrethanë dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për lider, e liderët nuk janë vetëm për fotografi e ngjarje të mira!”, ka vijuar ai.
Kryeziu ka dhënë detaje për një vizitë të Krasniqit në komuna, ku sipas tij, në njërën nga to, një kryetar komune nuk ka pranuar që ta takojë me njerëzit me të cilët Krasniqi pretendohet se i ka në ekipin e tij e të cilët thuhet se kanë pozita të larta.
“Javë më parë ke bërë një tur vizitash nëpër komuna, në një vizitë që ke planifikuar në një komunë një kryetar komune të ka thënë hapur, nëse vjen me disa nga ata miqtë e tu të gjimnazit ‘Xhevdet Doda’ unë nuk të pres! Të ka përmendur emra konkretë me pozita të larta në parti. Pasi ke ndryshuar përbërjen e delegacionit, ke udhëtuar për vizitë në atë komunë”, ka thënë ai.
Tutje, Kryeziu ka thënë se ai bashkë më disa bashkaktivistë të tjerë nuk janë kundër prurjeve të reja në PDK, por kundër atyre që sjellin ideologji të reja.
“Në praktikë gjithmonë e kemi mirëpritur ardhjen e të rinjve, por nën çadrën e filozofisë politike të PDK-së. Nuk mund të heshtim e të duartrokasim që secili që vjen në PDK të sjellë ngjyra e logo të reja”, tha ai.
Po ashtu, ai e ka kritikuar Krasniqin për moskomunikimin me anëtarët e kryesisë së PDK-së. Sipas tij, tashmë të larguarin nga PDK-ja, Ramë Bujën, kryetari i PDK-së asnjëherë nuk e ka pritur në zyrën e tij.
“Partinë Demokratike e ke degdisur si të ishte OJQ e regjistruar pa statut, pa program e pa organe vendimmarrëse! Thirri gratë, burrat e rininë e partisë, të ulen e të diskutojnë, prej debatit nuk ke kurrë të keqe. E keni plandosur PDK në, e keni tkurrur, e keni lënë vëzhguese edhe në taborrin e opozitës”, ka thënë ai.
Ndryshe, rreth një javë më parë, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Ramë Buja, dha dorëheqje nga partia.
Kjo ishte hera e dytë që Buja dha dorëheqje nga kryesia e PDK-së. Të njëjtin veprim e kishte ndërmarrë edhe para pesë vitesh, kur kryetar i PDK-së ishte Kadri Veseli.
Dorëheqjen e Bujës nga Kryesia e PDK-së e ka konfirmuar zëdhënësi Faton Abdullahu.
“Po, kryetari e ka pranuar dorëheqjen e z. Buja. Ka biseduar me të dhe e ka falënderuar për punën dhe angazhimin e deritashëm në Kryesi”, tha Abdullahu, shkruan Gazeta Insajderi.
Arsyet e dorëheqjes mendohet të jenë si shkak i mungesës së komunikimit të kryetar-nënkryetar, duke bërë të ditur se gjatë kësaj kohe, asnjëherë nuk ka qenë në zyrë të Memli Krasniqit për të biseduar me të për çështjet e partisë./Gazeta Insajderi/