Çfarë solli zbarkimi i “pesëshes së madhe” në Kosovë dhe Serbi...përveç Asociacionit? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Çfarë solli zbarkimi i “pesëshes së madhe” në Kosovë dhe Serbi…përveç Asociacionit?

    Insajderi
    21 January 2023 - 16:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sinjal në vetvete” e quajti zbarkimin e Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Romës dhe Brukselit në Prishtinë dhe Beograd, Ndërmjetësi i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan Insajderi.

    Lajçak pasi doli nga takimi me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa përmendi peshën e atij delegacioni, shprehu një fije zhgënjimi. “Pritëm më shumë mirëkuptim [nga Kurti] për mundësinë që ofron plani evropian”, tha ai shkurtazi, derisa pas takimit në Beograd tha se nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dëgjoi “vullnet për vendime të vështira” dhe “qasje të përgjegjshme”.

    Si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, ndërmjetësi sllovak “element kyç” i normalizimit imediat të marrëdhënieve tha se është zbatimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe atë si prelud i planit evropian, ndryshe i njohur edhe si plani gjermanofrancez.

    Qeveria e Kosovës, u lajmërua më vonë për të dhënë versionin e saj të takimit, për të cilin Lajçak e vlerësoi për “mungesë mirëkuptimi”. Se Asociacioni ishte pjesë e bisedimeve e konfirmuan në komunikatën për media, por përmes një frazimi tjetër, duke iu shmangur përmendjes eksplicite të saj.

    U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gushtit 2022 në Bruksel”, shkroi Qeveria e Kosovës.

    Por, ishte zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, ai i cili, tashmë për të tretën ose katërtën herë, shprehet eksplicit se Asociacioni “do të bëhet” dhe atë, siç thotë ai, “me ose pa” përfshirjen e qeverisë kosovare, shkruan Insajderi.

    Duke folur për Zërin e Amerikës, Escobar ritheksoi se “një individ i vetëm” nuk mund t’i shmanget asaj, dhe se tashmë bisedimet për themelimin e saj po bëhen e do të bëhen me partnerë alternativë.

    Ndryshe nga ç’thotë Kurti se Asociacioni do të mund të trajtohej në kuadër të një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, Escobar tha se Asociacioni është zotim i ndërmarrë tashmë, dhe ajo është nuk është plotësisht e ndërlidhur me marrëveshjen në ardhje.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me “pesëshen e madhe” diplomatike, tha se pranoi planin franko-gjerman, por pa u zbatuar Asociacioni “i dakordësuar 10 vite më parë” nuk do të ketë bisedime të reja.

    Në lidhje me planin franko-gjerman, ai tha se pati “rezervë ndaj një çështjeje të rëndësishme” dhe se gjërat e tjera mundet edhe t’i diskutojë, ndonëse nuk e specifikoi atë, “ngase s’mund të flasë sepse propozimi ende nuk është publik”.

    Pas takimit, megjithatë, vartësit e presidentit serb, mbushën skenat televizive për të dhënë “leximet” e tyre të takimit “tejet të vështirë” me emisarët specialë perëndimorë.

    Kryetari i të ashtuquajturit Komisioni Parlamentar “për Kosovën”, Milovan Dreçun, tha se Shtetet e Bashkuara përmes planit franko-gjerman po synojnë zgjidhjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “në tri faza”.

    Hapi i parë është normalizimi i marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë”, i tha ai agjencionit serb të lajmeve “Tanjug”, derisa shtoi që kjo parashihet përmes njohjes së sovranitetin të Kosovës derisa Kosova ua jep një lloj autonomie serbëve përmes Asociacionit.

    Kjo, tha ai, “përmes një marrëveshje bazë deri në gjendjen e një zgjidhje finale”.

    Kjo do t’ia mundësonte Kosovës ta gjejë veten në rrugën euro-atlantike. Pritjet e tyre janë jo që ne ta njohin Kosovën de jure në këtë fazë. Në këtë fazë, ata duan që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, në organizata ndërkombëtare, në struktura euro-atlantike”, tha Dreçun.

    Nëse Serbia pranon këtë, tha Dreçun, atëherë ShBA dhe fuqitë kryesore perëndimore “do të thyejnë pesëshen mosnjohëse të BE’së dhe katërshen e NATO’s” që Kosovën ta integrojnë në këto organizata.

    Se cila është esenca e këtij propozimi evropian, zyrtarët serbë thonë se është respektimi i Kartës së OKB-së, nga e cila palët zotohen “të respektojnë integritetin territorial dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, shkruan Insajderi.

    Kurti ngul këmbë në nj0hje të ndërsjellë dhe dëshiron që ajo të bëhet menjëherë, ndërsa taktika e ShBA’së është që të procedohet në tri hapa, e para përmes një marrëveshje bazike. E dyta gjë që e pengon është Asociacioni”, vazhdoi ai.

    Ndërkaq Dreçun tha se i vetmi shtet që pajtohet me Kurtin, është Gjermania, “të cilët marrin anën e tij për ta eliminuar tërësisht kornizën e Brukselit për Asociacionin”, tha ai, derisa shtoi se “kjo është e papranueshme për Beogradin”.

    Çfarë dihet gjerë më tash për planin evropian?

    Njëherë i quajtur si plan gjermanofrancez, Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, e shpalli atë si plan evropian.

    Përfshirë edhe i pesë shteteve mosnjohëse të Kosovës, pati deklaruar Borrell.

    Ndonëse ky propozim nuk është dhënë për publikun, rrjedhje të saj në media kanë dhënë një tablo të përgjithshme të saj.

    Sipas këtij plani, i cili thuhet të jetë model i rinuar i Ischingerit për modelin e Dy Gjermanive, Kosova dhe Serbia do të pranonin të mos e njihnin njëra tjetrën “de jure” por “de fakto” të pranonin sovranitetin e njëra tjetrës.

    Serbia do të ndalonte së kundërshtuari rrugëtimin ndërkombëtar të Kosovës deri edhe në anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, prospekt ky aktualisht më i largëti për vendin.

    Ndërkaq, si këmbim, Serbia do të përshpejtonte procesin e saj negociues për anëtarësim në Bashkësinë Evropiane, shkruan Insajderi.

    Megjithatë, ndonëse dje Vuçiq zbuti tonet për pranueshmërinë apo mospranueshmërinë e këtij plani, ata kanë hartuar “tri vija të kuqe” në lidhje me të.

    Njohja e Kosovës, anëtarësimi i Kosovës në OKB, dhe siguria fizike e serbëve të Kosovës, “nuk mund të diskutohen assesi në këtë plan”, kanë thënë krerët e shtetit serb.

    Kosova, në anën tjetër, ndonëse është shprehur se “nuk pajtohen me gjithçka brenda planit”, pjesën përmbajtësore e kanë quajtur si “bazë të mirë” dhe “bazë të shëndoshë” për negociata të mëtejme./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark