Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Presidenca Çeke e BE-së tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.
“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm para për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për t’i forcuar kontrollet kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.
Vendimi ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe. Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e hapjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.
Ambasadorët kanë hapur rrugën që shpejt të përmbyllet procedura që duhet kalojë sipas ligjeve të BE-së. Më vonë do të kthehet prapë në Këshill ku do të miratohet formalisht në nivel të ministrave të BE-së. Presidenca Çeke shpreson që gjithçka të përmbyllet para përfundimit të Presidencës, para fundit të këtij viti, që të hyjë në fuqi në nëntor të vitit që vjen ose janar 2024.
Sipas vendimit, Kosova duhet të synojë të arrijë marrëveshje me vendet anëtare të BE-së për ripranim. Vlen për vende me të cilat Kosova akoma s’ka marrëveshje. Po ashtu nga Kosova pritet të përshtatet politika e vizave për qytetarët e vendeve të treta me regjimin e vizave që ka BE-ja.
#COREPERII | 👏👏👏 Ambassadors approved @EUCouncil‘s position on #visa liberalisation with #Kosovo 🇽🇰, negotiations with @Europarl_EN to follow. The #WesternBalkans is a priority for #EU2022CZ and this step supports the whole region.
More ⬇️https://t.co/vTPN1bBZry pic.twitter.com/LUPjCdtmv7— EU2022_CZ (@EU2022_CZ) November 30, 2022
Zëdhënësja e presidencës çeke, Eva Hrncirova ka shkruar se shpreson që procesi të vazhdojë pa probleme.
“Më në fund një lajm i mirë për Kosovën! Shpresoj që të vazhdojë pa probleme”, ka shkruar Hrncirova.
Finally great news for #Kosovo! Hope it goes smoothly on. https://t.co/qDnENdjvzn
— EvaHrncirova (@EvaHrncirova) November 30, 2022
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE./Gazeta Insajderi/