Shkruan: Hajzer Salihu
Në bazë të nenit 113 paragrafi 1 të Kushtetutës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese është organi përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me të.
Në aktgjykimin e fundit lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë Hoti, përmes votës së kontestuar të deputetit z. Etem Arifaj, konsideroj se Gjykata Kushtetuese në këtë vendimarrje ka devijuar nga parimi themelor i vlerësimit të përputhshmerisë së vendimeve dhe ligjeve me kushtetutën.
Ajo çfarë nuk mund të kontestohet në shqyrtimin e kësaj kërkese është domosdoshmëria e Gjykatës për të tejkaluar petitumin e kërkesës, pasi që vendimi i kontestur për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, ndërlidhet ngushtë dhe pashmangshëm me disa akte juridike në fuqi, të cilat rregullojnë çështjen e përshtatshmerisë për të qenë kandidat për deputet, për të ushtruar mandatin e deputetit, apo mbarimin dhe pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, siç janë Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, Rregullorja e punës së Kuvendit..etj. Gjithçka deri këtu është ne pajtim me procedurën e rregulluar për shqyrtim të rasteve të paraqitura para gjykatës kushtetuese sipas ligjit për gjykatën kushtetuese dhe rregullores se punës se gjykatës.
Ajo çfarë konsideroj se gjatë shqyrtimit të këtij rasti gjykata ka dështuar, është se ky aktgjykim duket se është nxjerrë ne kundërshtim me funksionin dhe mandatin qe realisht gjykata kushtetuese ka, e që është interpretimi i përputhshmerisë se ligjeve, vendimeve, dekreteve, rregulloreve, statusit të komunës, referendumit, shpalljes se gjendjes se jashtëzakonshme..etj, me Kushtetutën. Ne rastin konkret, respektivisht me vendosjen e rastit të ngritur lidhur me vlefshmerinë e votës së z Arifi ne kontekstin e zgedhjes se qeverisë, shihet se gjykata ka ngatërruar dy momentume juridike qe janë të kundërta edhe ne parim edhe ne përmbajtje e që rregullojnë dy situata të ndryshme juridike.
Ne fakt gjykata kushtetuese ka ngatërruar momentumin e të drejtës për tê zgjedh dhe për tu zgjedhur, e drejtë kjo e garantuar sipas nenit 45 të Kushtetutës, dhe momentumin e përfundimit të mandatit, e që është e sanksionuar ne nenin 70 të Kushtetutës.
Këto dy momentume janë thellësisht të dallueshme, dhe do të mundohem qe ne pika të shkurtëra të bëj dallimin e tyre, e qe mendoj se gjykata kushtetuese do duhej ti kishte parasysh para se të vendoste me Aktgjykimin nr. KO95/20.
Ne fakt “e drejta për tu zgjedh dhe për të zgjedhur”, është e drejtë e përfshirë ne Kapitullin II të Kushtetutës, respektivisht neni 45 paragarafi 1, i cili në mënyrë të qartë e përcakton se kjo e drejtë bënë pjesë tek të drejtat themelore të njeriut, të cilën ka të drejtë ta shfrytëzoj secili shtetas i R. Kosovës qe ka arritur moshën 18 vjeqare, madje edhe ne ditën e zgjedhjeve, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Pra norma themelore kushtetuese garanton këtë të drejtë ne mënyrë eksplicite, duke bërë përjashtim vetëm ne rast të një vendimi gjyqësor, i cili do duhej qe shprehimisht ta ndalonte realizimin e kësaj të drejte. Do të thotë se përveç shpalljes fajtor për vepër penale dhe dënimit kryesor, ndaj kryerësit të veprës penale do duhej që të shqiptohej edhe dënimi plotësues, i cili do ti kufizonte të drejtën për tu zgjedh apo për të zgjedhur. Pra ne bazë të normës kushtetuese ne asnjë rrethanë nuk ka mundësi qē t’i mohohet dikujt për tu zgjedh apo për të zgjedhur, nëse nuk ka një vendim eksplicit gjyqësor qe e ndalon këtë. Ne frymën e kësaj, konsideroj se norma juridike e hartuar ne nenin 29 paragrafi 1, pika (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, qe përcakton se: “Cilido person emri i të cilit paraqitet në Listën e Votuesve është i aftë për certifikim si kandidat, përveç nëse ai apo ajo është: ..q). i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”, është ne papajtueshmëri me nenin 45 paragrafi 1 të Kushtetutës së RKS. Meqë gjykata kushtetuese gjatë shqyrtimit te rastit sipas “Kërkesë së Liburn Aliu dhe 16 deputetë të Kuvendit të RKS për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020, për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, êshtë lëshuar ne trajtim të kësaj norme, konsideroj se është dashur qe ketë normë ta interpretoj dhe shpall si normë ligjore ne papajtueshmëri me Kushtetutën.
Çfarë shihet si huqje e vendimarrjes ne ketë pikë të aktgjykimit, është fakti se gjykata kushtetuese ka bërë të kundërtën e asaj për të cilën është e thirrur dhe e mandatuar me kushtetutë dhe ligj për ta bërë, respektivisht ne vend se të interpretoj papajtueshmërinë e ligjit zgjedhor me kushtetutën, ka interpretuar papajtueshmërinë e kushtetutës me ligjin zgjedhor, e që është një shkarje e madhe ne ushtrimin e mandatit të saj!
Ndërkaq sa i përket momentumit të dytë qe percakton neni 70 paragrafi 3.6 i Kushtetuës, dhe neni 8 paragra 1.6 i Ligjit per të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ku përcaktohet se “Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: …dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim“, mendoj se nuk ka jurist qe ka dilema juridike ne interpretim te kësaj norme, pasiqe kjo çështje përveç se është e rregulluar me normë ligjore, njëjtë është rregulluar edhe me normë kushtetuese, dhe e cila flet ekskluzivisht për situatën juridike kur deputeti ka kaluar verifikimin e mandatit, ka dhënë betimin e deputetit, është duke ushtruar mandatin, e ne ndërkohë i është shqiptuar një dënim me një vit ose me shumë burgim. Ne këtë situatë është e vetkuptueshme se nese kemi një dënim të tillë, mandati i deputetit i mbaron ose i bëhet i pavlefshëm me automatizëm.
Mirëpo, pavarësisht mendimeve dhe opinioneve të ndryshme, apo mospajtuese të juristëve të ndryshëm lidhur me ketë aktgjykim, ajo qe si komunitet i juristëve nuk duhet të kemi dallime është fakti se të gjithë duhet ta pranojmë qe ne sistemin tonë juridik vendimet e gjykatës kushtetuese janë vendime përfundimtare dhe janë të obligueshme për gjyqësorin dhe për të gjithë personat dhe për institucionet e Republikës së Kosovës.
Dhe kjo do të vlejë deri atëherë kur Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, anëtarësim ky qe të gjitha palëve të pakënaqura me vendimet e gjykatës kushtetuese, do tu jepte të drejtë qe ti apelojnë ato ne Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut-GJEDNJ.
(Autori është njohës i çështjeve kushtetuese)