Çfarë zbulon kriza energjitike e Evropës - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Çfarë zbulon kriza energjitike e Evropës

    Insajderi
    12 November 2021 - 10:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Daniel Gros

    “Project Syndicate”

    Ky muaj përfaqëson një moment historik dhe të rëndësishëm në luftën kundër ngrohjes globale, dhe jo vetëm për shkak të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26), që po zhvillohet aktualisht në Gllasgou të Skocisë.

    Megjithëse shumë vende shpallën objektiva ambicioze për reduktimin e emetimeve në prag të samitit, përmbushja e tyre zgjat shpesh një brez në të ardhmen, deri në vitin 2050, apo edhe 2060. Ndërkohë, qeveritë në Evropë dhe gjetkë, po përballen me një krizë aktuale energjetike, në formën e rritjes së çmimeve të gazit dhe naftës.

    Dhe mënyra se si do të reagojnë ato ndaj saj do të zbulojë shumë më tepër sesa premtimet e tyre afatgjata për zero emetime, pra aftësinë e tyre për të menaxhuar sfidat konkrete të tranzicionit të gjelbër. Rritja aktuale e çmimit të energjisë, është rasti klasik i një aksidenti që pritej të ndodhte.

    Vitet e çmimeve të ulëta të energjisë, të kombinuara me presionin rregullator mbi bankat, për të reduktuar ekspozimin e tyre ndaj industrive të tilla, kanë ulur ndjeshëm investimet në sektorin e lëndëve djegëse fosile. Një rikthim më i shpejtë se sa pritej nga recesioni ekonomik i Covid-19,

    plus një mot disi më i ftohtë në Hemisferën Veriore, ishin atëherë të mjaftueshme për të rritur çmimet në nivelet e tyre më të larta në një dekadë.

    Çmimet e rritura të karburanteve fosile, janë në parim nxitësit idealë të një tranzicioni të gjelbër, pasi ato e bëjnë më konkurruese energjinë e rinovueshme. Por problemi është se konsumatorët ishin mësuar me çmimet e ulëta, dhe tani janë të shqetësuar nga rritja e tyre e papritur.Por kjo dukuri nuk është e re. Shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, u përballën me një problem të ngjashëm kur e humbën qasjen tek furnizimet me energji të lirë nga Bashkimi Sovjetik  në fillim të viteve 1990.

    Deri atëherë, çmimet e energjisë në rajon kishin qenë aq të ulëta, saqë shumica e ndërtesave nuk ishin të izoluara në mënyrën e duhur, dhe as ngrohja nuk jepej me kursim. Kalimi tek çmimet e tregut shkaktoi probleme veçanërisht të mëdha për një numër të madh pensionistësh që jetonin në godina banimi me një cilësi shumë të dobët, pasi pensionet e tyre u bënë papritmas më të ulëta sesa faturat e ngrohjes.

    Për shumicën e ekonomistëve, zgjidhja ishte e qartë:qeveritë duhet të rrisnin çmimet e energjisë në nivelet e tregut, dhe të përdorin disa nga të ardhurat e rritura për t’iu paguar familjeve më të varfra

    një shumë parash për ta mbuluar koston më të lartë. Të gjitha institucionet kryesore shumëpalëshe dhe evropiane – përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian – e mbështetën këtë qasje, dhe qeveritë e rajonit e zbatuan atë gradualisht me kalimin e kohës.

    Evropa Qendrore dhe Lindore, nuk e ka zgjidhur ende plotësisht këtë problem – godinat e banimit mbeten ende shumë pak efikase në aspektin energjitik sesa ato në Evropën Perëndimore – por shumica e vendeve në rajon kanë bërë një përparim të konsiderueshëm në këtë sektor. Një leksion interesant nga performanca e tyre e ndryshme, është se cilësia e qeverisjes së një vendi, ndikon fuqimisht në shkallën e përmirësimit të efikasitetit energjitik. Për shembull, Estonia, vend që kryeson shpesh renditjen e qeverisjes rajonale, e ka rritur më shpejt efikasitetin e saj energjitik se disa vende të Ballkanit Perëndimor, ku cilësia e qeverisjes është shumë më e dobët, dhe ku mbeten ende shtrembërimet e tregut energjitik.

    Në Bullgari, rreth 33 për qind e popullsisë raporton se ndihet e paaftë për ta mbajtur shtëpinë ngrohtë në mënyrën e duhur, një element ky kyç në përkufizimin që ka Bashkimi Evropian për varfërinë energjetike. Përqindja përkatëse në Estoni, është më pak se 3 për qind, pavarësisht se dimrat atje zgjasin shumë më gjatë, dhe numri i ditëve me përdorimin e ngrohjes është mbi 50 për qind më i lartë se ai i Bullgarisë.

    Rritja graduale e çmimeve të energjisë, duke ofruar paralelisht mbështetje në të ardhurat e shtresave në nevojë duket e thjeshtë, por është e vështirë të zbatohet në praktikë. Në shoqëri do të ketë gjithmonë grupime në shoqëri që kanë pretendime të tjera të vlefshme për mbështetjen e të ardhurave, dhe rritja e çmimeve në mënyrë të qëndrueshme me kalimin e kohës, kërkon ndërhyrje të kujdesshme dhe të kufizuara në tregun energjitik.

    Përballja me një rritje të madhe të çmimeve të energjisë – siç po bëjnë tani shumë vende evropiane – është gjithmonë një provë jo vetëm e qeverisë, por edhe e shoqërisë në tërësi. Një tipar kyç i një shoqërie elastike, është aftësia e saj për të shmangur shtimin e dobësive, duke përfshirë edhe sektorin e energjisë.

    Spanja, ku qeveria është aktualisht në panik përballë çmimeve shumë më të larta të energjisë  elektrike për konsumatorët familjarë, na ofron një shembull të spikatur. Qeveria spanjolle i inkurajoi familjet që të lidhnin kontrata të energjisë elektrike me çmimet e tregut, gjë që dukej si një lëvizje e mirë kur çmimet ishin të ulëta vitet e fundit.

    Por marrëveshje të tilla, bëhen politikisht të paqëndrueshme kur çmimet dyfishohen ose trefishohen papritur. Në mënyrë të ngjashme, kreditë bankare me norma të rregullueshme, ishin gjerësisht të njohura në shumë vende gjatë periudhës së normave të ulëta të interesit, që i paraprinë krizës financiare globale.

    Por këto produkte u provuan shumë të dëmshme kur u rritën normat në vitet 2008-2009. Por qeveria spanjolle tani po e thellon gabimin e saj të mëparshëm, duke u premtuar familjeve se nuk do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike sesa në vitin 2018.

    Dilema energjetik në Spanjë, nxjerr në pah koston e periudhave të zgjatura të çmimeve të ulëta të energjisë. Në nivelin politik, ato janë shumë të përshtatshme. Por nga ana tjetër i nxisin kompanitë dhe individët që të ndërtojnë modele biznesi dhe mjete jetese me energji të lirë, duke e bërë kësisoj shumë më të vështirë çdo rregullim të mundshëm të çmimit.

    Lëvizja e “Jelekverdhëve” në Francë, e etiketuar shpesh si një pengesë për politikat e gjelbra, ofron një shembull tjetër. Rebelimi që nisi në vitin 2018 përbëhej kryesisht nga njerëz, puna dhe mënyra e jetesës së të cilëve vareshin nga udhëtimi me makinë, dhe për pasojë nga benzina dhe nafta e lirë.

    Ata përfaqësonin një pjesë të vogël të shoqërisë franceze (numri i aktivistëve të Jelekverdhëve mbeti i ulët), por gjithsesi ishin shumë të zëshëm. Në raste të tilla, pyetja për sistemet politike është se si duhej kujdesur për një pakicë të vogël, jetesa e të cilit kërcënohet nga ndryshimi.

    Përgjigja më e lehtë është sigurimi i subvencioneve të karburantit. Por subvencionet nuk janë një zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë, pasi qeveria duhet që t’i rrisë ato sa herë që rritet kostoja e udhëtimit me makinë, siç duhet se do të ndodhë në çdo skenar të procesit të de-karbonizimit.

    Përfundimi është i thjeshtë:shoqëritë që nuk mund t’i pranojnë çmimet e sotme të energjisë, nuk kanë gjasa të përgatiten në mënyrën e duhur për tranzicionin e gjelbër, pavarësisht nga premtimet e tyre për emetime zero deri për vitin 2050. Përkundrazi, ato kanë gjasa që të veprojnë shumë më vonë, dhe për pasojë shumë papritur, gjë që do të jetë jo vetëm e kushtueshme ekonomikisht, por edhe e paqëndrueshme në aspektin politik.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark