Karikaturat e “Charlie Hebdo” për tërmetin në Itali nxisin reagime - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Karikaturat e “Charlie Hebdo” për tërmetin në Itali nxisin reagime

    Insajderi
    03 September 2016 - 08:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Revista satirike franceze “Charlie Hebdo” është vënë sërish në qendër të vëmendjes, teksa është kritikuar së fundi në mediet sociale për karikaturën e publikuar në lidhje me tërmetin vdekjeprurës në Itali, ku viktimat shfaqen si produkte pastash.

    Karikatura, e përfshirë në numrin e fundit të revistës, i referohet qytetit të Amatrices, një prej zonave të goditura më rëndë nga lëkundja e magnitudës 6.2 të javës së kaluar. Amatrice njihet ndryshe edhe si “shtëpia” e pastave “all’amatriciana’, një gatim në përbërjen e të cilit ka salcë domateje dhe proshutë, shkruan BBC.

    Imazhi tregon një person të plagosur dhe një grua që qëndron pranë një grumbulli rrënojash, nga të cilat shihen edhe këmbë njerëzish të bllokuar. Secila prej figurave ka marrë edhe një emërtim sipas llojeve të ndryshme të gatimeve të kuzhinës italiane.

    Mashkulli i fashuar ka mbi krye fjalët “penne tomato sauce”, gruaja me djegie në fytyrë ka mbishkrimin “penne gratin”, ndërsa trupat e atyre që dergjen nën rrënoja konsiderohen si lazanja, dhe emërtimi i të gjithë kësaj karikatureje është “tërmet i stilit italian”.

    Karikatura që po qarkullon nëpër rrjetet sociale ka tërhequr kritika të ashpra anembanë botës dhe në Itali është bërë edhe pjesë e gazetave kombëtare “La Stampa” dhe “Corriere della Serra”. Kjo nuk është hera e parë që “Charlie Hebdo” është bërë objektiv kritikash nëpër rrjetet sociale për karikaturat e saj thumbuese.

    Në vitin 2015, revista satirike publikoi një karikaturë të debatueshme të refugjatit të mitur sirian, Alan Kurdi, të cilin vetëm dallgët e detit e kishin nxjerrë në brigjet e ishujve grekë teksa përpiqej t’i largohej Sirisë së shkatërruar nga lufta civile disavjeçare, ndërkohë që më herët ka publikuar edhe karikatura tepër të kritikuara të Profetit Muhamed.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark