×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    ‘Che Guevara’, ‘Rebeli’, ‘Simboli i protestave’, Kurti lë mbrapa titujt e artë, shndërrohet në shtypës të grevistëve

    Insajderi
    30 August 2022 - 13:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot, kur Albin Kurti është në pushtet, është edhe kundër grevave. Simboli i dikurshëm i protestuesve, është shndërruar në shtypës të tyre.

    Gazeta Insajderi

    Para disa vitesh, kur mediat ndërkombëtare shkruanin për Albin Kurtin – jo vetëm sa ishte në opozitë, por edhe më larg asaj kohe – atë e portretizonin si “Che Guevara kosovar”, “rebel” dhe “simbol të protestave”.

    Udhëheqësi i devotshëm i demonstratave, që dikur për shkak të kauzave të tij ngrehej zvarrë rrugëve të Prishtinës, tash i veshur në këmishë të bardhë dhe kravatë, ka dalë kundër qëllimit të Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara të Kosovës.

    Pas fillimit të grevës së përgjithshme në sektorin publik, që nisi më 25 gusht, Ministria e Financave ka kërkuar nga BSPK-ja listën e personave që po marrin pjesën në grevë për t’ua ndalur pagën.

    Në një emali të drejtuar Ali Sefajt, anëtarit të këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, ministria ka kërkuar sipas nenit 18 që të kenë një listë të personave që janë në greve për t’i pezulluar nga puna dhe tu ndalen benefitet.

    Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zv.sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.

    “Po është kërkesë ligjore është neni 18 i Ligjit për Greva, paragrafi 1, i cila kërkon që persona që janë në grevë tu pezullohen paga dhe përgjegjësia nga puna. Neni 18 i Ligjit për Greva kërkon pezullimin e kontratës së punë dhe të mos këtë përgjegjësi me punu po ashtu edhe të mos paguhet, vetëm për këtë arsyeje e kemi dërguar emalin”, tha Spahiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tutje, zv.sekretari tregoi se ministria nuk ka qenë e njoftuar për grevë më herët dhe se sot ishin njoftuar.

    “Sot e kemi marrë njoftimin për grevë nuk kemi pas më herët njoftim. I kemi shkruar sindikatave dhe i kemi garantuar që nuk e pengojmë grevën vetëm proceduralisht na duhet me ditë kush është në grevë, prej kujt mundemi të kërkojmë punë dhe prej kujt jo. Ne kemi pranuar sot email prej Ali Sefaj dhe ati i kemi kthyer emailin duke i treguar se administrativisht duhet zhvilluar disa procedura pa e penguar procesin e grevës”, tha tutje Spahiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më pas, anëtari i këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj i është përgjigjur kërkese së zv.sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave i cili i kërkoi listën e grevisteve për t’ua ndaluar pagën.

    Në një email të siguruara nga Gazeta Insajderi, Sefaj i ka rikujtuar Enis Spahiut, nenit 13 të Ligjit për Greva ku thuhet se ndaj asnjë pjesëmarrësve apo mbështetësi të grevës nuk mund të merren masa disiplinore dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës.

    Tutje, ai ia ka theksuar se ‘presioni dhe pengimi i grevës dënohet sipas legjislacionit në fuqi’.

    Por, sekretari i MF-së iniston për listën e grevistëve, ai thotë se “nuk mund të bëjmë pagesa të ndaluara me ligj”.

    “Neve nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim disiplinor dhe jemi të vetëdijshëm për nenin 13, paragrafi 1, ku shumë saktë keni cituar edhe ju. Por, neve e kemi obligim ligjor që të identifikojmë cilët zyrtarëve duhet t’i pezullojmë kontratat, për të mos kërkuar punë prej tyre dhe për t’i mos i paguar gjersa janë në grevë. Kërkesa ime ka qenë në këtë drejtim, dhe ju kam lutur që të mos kemi keqkuptim për këtë. Por po shihet se çështja ka marrë kahje tjetër”, thuhet në emailin e Spahiut drejtuar Sefajt, transmeton Gazeta Insajderi.

    Tutje, zv.sekretari është shprehur se ministria nuk po e cenon grevën vetëm po zbatohet Ligji për Grevën.

    Sipas Spahiut, ZKA-ja ka përgjegjësi për ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike dhe nuk mund të bëjnë pagesa të ndaluara me ligj.

    “Edhe një herë po e them, nuk e cenojmë të drejtën e grevës, assesi. Por kujdesemi që të zbatohet Ligji për Greva, ashtu siç e kemi edhe me mandat ligjor, pasi që si ZKA kemi përgjegjësi për ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike dhe nuk mund të bëjmë pagesa të ndaluara me ligj”.

    Përmes këtij emaili të siguruar nga Gazeta Insajderi, Spahiu i ka thënë Sefajt se edhe vet është shërbyes civil dhe nuk ka të bëjë me politikat ditore.

    “Në fund, ju rikujtoj që unë jam shërbyes civil dhe nuk jam pjesë e politikave ditore. Këtë veprim e kam ndërmarrë duke qenë plotësisht i bindur që kam përgjegjësi ligjore për këtë, e me asnjë motiv tjetër. Ky nuk është pengim i grevës, por vetëm zbatim i ligjit”, thuhet më tej në emailin e Spahiut, shkruan Gazeta Insajderi.

    Zv.sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Murati ka ftuar në takim anëtarin e këshillit Grevist, Ali Sefajn.

    Nëse mendoni që një takim në mes nesh do të ndihmonte procesin, unë jam i hapur për diskutime më mëtutjeshme. Jam i hapur për takim që nga ky moment, kurdo dhe kudo që dëshironi.

    Kurti më 2019: S’ka kuptim që mësuesi e mjeku të paguhet më pak sesa që pushtetari i shpenzon për telefon, dreka e darka

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dikur kur ishte në opozitë – i mbronte me të gjitha forcat mjekët dhe mësuesit kur ata grevonin për rritje të rrogave.

    “Nuk ka kuptim që injoranti e hajni që ka hipur atje lart të paguhet me dhjetëra mijëra euro në vit, të marrë mëditje, të shëtitet me makina zyrtare e shoferë, ndërsa mësuesi e mjeku e punëtori i administratës të paguhet më pak sesa që pushtetari i shpenzon për telefon mobil a për dreka e darka”, pati thënë lideri i Vetëvendosjes në vitin 2019, teksa fliste para njerëzve të tij në mbledhjen e XXXVI, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes.

    “Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtetë punojnë. Sigurisht, ne nuk duam që mësuesit e mjekët të ndërpresin punën, sepse nxënësit kanë nevojë për mësim dhe të sëmurët për shërim. Por ne e kuptojmë thellësisht gjendjen e vështirë të atyre që punojnë në administratë publike e sidomos të mjekëve e të mësuesve”, vazhdonte fjalimin Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Madje, Kurti si opozitar, pati bërë edhe një premtim për këto kategori.

    “Kur qeverinë ta udhëheqë Lëvizja VETËVENDOSJE! ne do të kujdesemi që pabarazia mes tyre dhe qeveritarëve të zvogëlohet shumë, dhe që statusi social i mësuesve e i mjekëve të jetë shumë më i mirë se sa sot”.

    “…garantojmë të drejtat e punëtorëve, do të forcojmë sindikatat”, fjalimi i fuqishëm i Kurtit në selinë e OKB-së

    Derisa ishte në opozitë Albin Kurti kishte premtuar garantim të të drejtave të punëtorëve dhe forcim të sindikatave, por kur erdhi në pushtet jo vetëm se nuk i zgjidhi hallet e tyre por i kundërshtoi thirrjet e BSPK-së për grevë duke thënë se “nuk është koha për greva, por koha për punë”.

    “Përmes modelit tonë ekonomik neo-Keynesian, përmes shtetit zhvillimor, ne jo vetëm që do ta luftojmë papunësinë; ne do të garantojmë të drejtat e punëtorëve, do të forcojmë sindikatat dhe do të mundësojmë kontratat kolektive…” kjo fjali e formuluar bukur, ishte pjesë e një fjalimi të gjatë të Albin Kurtit opozitar.

    Fjalimin Kurti e pati mbajtur gjatë punimeve të Këshillit të Internacionales Socialiste që po mbahej me 26-27 qershor 2018 në selinë e OKB-së.

    Por si për ironi të fatit, katër vite pasi Kurti dha këto fjalë të mëdha për forcimin e sindikatave, po mundohet ta “shtypë” zërin sindikal në Kosovë.

    Kurti që iu jepte kurajo sindikalistëve në Norvegji, zhytet në konflikt me sindikalistët e Kosovës

    Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, në mars të këtij viti kishte shkruar për vizitë zyrtare në Oslo të Norvegjisë.

    Atje kishte takuar përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave Norvegjeze dhe Federatës Norvegjeze të Punëdhënësve.

    Këtyre dy grupeve u fliste për atë se si “ekonomia duhet të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve”. Madje kishte theksuar se “mirëqenia sociale është ndër prioritetet qendrore” të qeverisjes së tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tash, pak muaj më pas Kurtit i kanë dalë probleme me sindikalistët e vendit, pasi Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është në grevë që nga 25 gushti.

    Sipas kryetarit, Atdhe Hykolli, greva do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat e tyre, siç është edhe ajo e 100 eurove shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga.

    Këtë kërkesë në mbledhjen e BSPK-së e ka shprehur edhe Rrahman Jasharaj, i Sindikatës së Arsimit, i cili ka ftuar institucionet e vendit që të jenë të hapura në arritjen e një marrëveshjeje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pavarësisht thirrjes, deri tash nuk është arritur asnjë marrëveshje ndërmjet Sindikatave dhe Qeverisë.

    Nga idealisti tek opozitari – protestat kryesore të Albin Kurti

    Pas 9 viteve në opozitë, e gati 14 viteve aktive në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e tetorit të vitit 2019.

    Nga protestat në rrugë, te protestat në Kuvend, Vetëvendosje ka shënuar rritje në secilin proces zgjedhor.

    Lëvizja Vetëvendosje u themelua më 12 Qershor 2005, si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

    Në ditën kur Kosova festonte çlirimin, (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

    Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohet historia e Vetëvendosjes.

    Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

    Kurti kishte qenë udhëheqës edhe i shumë protestave të tjera në vend, në të cilat disa herë ishte arrestuar.

    Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

    Ndërsa në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, Lëvizja Vetëvendosje kishe fituar 16 ulëse.

    Në vitin 2015, Vetëvendosje dhe partnerët opozitarë AAK e NISMA  gjuajtën me gaz lotsjellës e vezë brenda parlamentit, për ta ndaluar parlamentin të ratifikonte një marrëveshje kufitare me Malin e Zi fqinj dhe të krijonte  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse në parlament.

    Por më pak se një vit më vonë, 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, u larguan nga partia, të pakënaqur me fushatën e Kurtit për t’u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes.

    Ndryshe, para luftës, Kurti iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.

    Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.

    Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe.

    Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001.

    Sot, kur Albin Kurti është në pushtet, është edhe kundër grevave.

    Për shembull, në vend se të ulet dhe të diskutojë, në këtë rast me sindikatat për të gjitha problemet e tyre, Kurti jo që nuk flet me ta, por përmes instancave të tjera që dirigjohen nga Qeveria e tij i kërcënoi dhe shtypi sindikalistët.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark