Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka shprehur ngushëllime për rënien në detyrë të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut.
Chollet këtë e ka thënë përmes platformës ‘X’ (ish-Twitter), teksa ka njoftuar për një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, shkruan Gazeta Insajderi.
Zyrtari i lartë amerikan ka dënuar, siç ka thënë ai, sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë.
“Fola me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. E dënoj ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës dhe shpreh ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku”, ka thënë Chollet.
Ai ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog dhe t’i zbatojnë obligimet e Marrëveshjes së Ohrit. /Insajderi.org/