×
  • Lajme
  • Lajme

    Çifti ferizajas mashtronte qytetarët me punësime në “bazat ushtarake amerikane”

    Insajderi
    10 October 2023 - 19:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria e Kosovës është ende në fazën e mbledhjes së të dhënave për të ndërtuar aktakuzën për çiftin ferizajas, Nazim dhe Kevsere Lohaj, të cilët dyshohen se kanë përfituar me mashtrim një shumë prej 80 mijë eurosh.

    Ata arritën ta bënin këtë duke iu premtuar qytetarëve se do t’ua siguronin një vend pune në Irak, Afganistan e Poloni dhe atë nëpër bazat e ushtrisë amerikane në këto vende, raporton Kiks Kosova.

    Derisa Nazimi merrej me tregimin rreth procedurave që ata duhet të ndiqnin për të shkuar që të punojnë në një nga këto shtete, e shoqja e tij Kefserja dilte dhe mblidhte të hollat që i sillnin.

    Dhe kështu rast pas rasti, çifti Lohaj arriti të merrte rreth 80 mijë euro nga persona të ndryshëm, që vinin nga e gjithë Kosova.

    Paradhënia që merrnin sillej nga 3 deri në 6 mijë euro.

    Prokuroria i ka bërë të ditur Kiks Kosovës së aktualisht në paraburgim ndodhet vetëm Nazim Lohaj derisa e shoqja e tij është liruar me procedurë të rregullt.

    Personi që arriti të mashtronte shumë banorë, sidomos të rrethinës së Ferizajt, sipas informacioneve, premtonte punë në një kompani amerikane ku veprimtaria zhvillohej në bazën amerikane në Poloni, Irak dhe Afganistan.

    Në audioincizimet e siguruara nga Kiks Kosova, Nazim Lohaj, për t’i bindur qytetarët, ua tregonte edhe historinë se si një zyrtar publik kishte aplikuar tek ai për t’u punësuar në këto vende. Ai thoshte se ai është drejtori i një ndërmarrjeje publike.

    Megjithatë ky person ka mohuar një gjë të tillë, por ka bërë të ditur se ka njohje me të dhe se i kishte ndihmuar për një çështje familjare.

    Kiksi ka kontaktuar disa nga personat që ranë viktima të çiftit Lohaj, por ata kanë refuzuar të flasin për mediat.

    Se mashtrimi ishte i madh, e dëshmojnë edhe komentet e shumta në rrjetet sociale, menjëherë pas publikimit të lajmit për arrestimin e këtij çifti.

    Meqenëse Kefsere Lohaj është liruar me procedurë të rregullt, Kiks Kosova ka shkuar ta takojë atë dhe të marrë versionin e saj për këto akuza, por porta e shtëpisë se saj nuk u hap.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark