Historia e tyre është pak e ngjashme me atë të Romeos dhe Julietës. Jë i ri nga Schopfheim dhe një e re nga Kosova duan të martohen në një ceremoni civile në këtë qytet, por nuk mund ta bëjnë në këtë moment.
Ndryshe nga romani i Shakespeare, martesa nuk është e ndaluar nga familja por nga autoritetet. Në këtë mënyrë çifti në një mënyrë të tërthortë është viktimë e ligjeve të reja për azil.
Kështu nisë rrëfimi i gazetës “Badische Zeitung” në Gjermani për historinë e Arbon Ukajt i cili tashmë në vendin e tij në Kosovë është martuar.
“Ai shikon vazhdimisht fotografitë e dasmës së tij. Gra, burra dhe fëmijë të gjithë festojnë. Pastaj vjen një selfie ku është ai me nusen e tij Albana Luzha ku janë të përqafuar. Por kujtimet e asaj dite tashmë janë vyshkur sepse ata nuk jetojnë bashkë”, shkruan gazeta.
Ka një vit që Arboni dhe Albana janë martuar por ata nuk janë bashkë dhe detyrohen që lidhjen e tyre ta mbajnë vetëm nëpërmjet internetit, edhe pse vet Arboni me familje kanë 20 vite që jetojnë në Gjermani.
Të dytë ishin takuar para katër viteve por tani që kanë kurorëzuar dashurinë me martesë tradicionale në Kosovë, atë dashuri nuk mund ta jetësojnë në Gjermani.
“Tre muaj pas martesës gjithçka dukej në rregull dhe vetëm prisnim që gruaja ime ta merrte vizën dhe të vinte të jetonte me mua. Por gjithçka tashmë është e komplikuar”, thotë Arboni, i zemëruar me trajtimin që shteti gjerman po i bënë atij.
Për një vit, Arboni ka flutuar drejt Prishtinës fiks 3 herë por kjo nuk ka zgjidhur asgjë. Dhe zgjidhja nuk është e afërt.
Autoritetet në Gjermani thonë se kjo vonesë është bërë për shkak të ndryshimeve të Ligjit për Azil në Gjermani që ka vendosur rregulla të tjera për ata që duan të jetojë në Gjermani nga vendet e Ballkanit.
Ky ligj ka hequr bashkëshortësinë si arsye për përshpejtim të marrjes së vizës dhe sipas Zyrës për Punë të Jashtme në Gjermani, fakti se shtetasit gjerman martohen në vendet e Ballkanit nuk i fut ata në listën “urgjente” të trajtimit të lëndës.
E Arboni thotë se nuk ka durim më të pres. Por pritja është e vetmja mundësi që atij i ka mbetur për tu bashkuar në Gjermani me gruan e tij që jeton në Kosovë./Insajderi.com