Cila është procedura e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Fokus 1

    Cila është procedura e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë?

    Insajderi
    08 October 2019 - 08:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

    Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

    Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit. Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga dy deputetë, përkatësisht nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë.

    Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

    Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës. Bazuar në Kushtetutën e Kosovës si dhe në një aktvendim të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, Qeverinë e Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i ka fituar zgjedhjet. Subjekti fitues i zgjedhjeve, mund të formojë koalicion paszgjedhor në mënyrë që të arrijë numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.

    Sa i përket anës politike, fuqia vendimmarrëse e koalicionit apo Qeverisë, vlerësohet se varet nga numri i deputetëve apo përkrahja që ka në Kuvend. Një qeveri që do të krijohej me mbështetjen e dy të tretave të përbërjes së Kuvendit, zakonisht besohet se mund të jetë më e aftë të marrë vendime, krahasuar me një qeveri që do të siguronte vetëm numrin minimal të votave, që nënkupton 61 votat e mbijetesës në Kuvend.

    Sidoqoftë, neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë./Gazeta Express.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark