
Cirku me bazë në Napoli të Italisë, ka mbërritur në kryeqytetin kosovar më 16 prill dhe do qëndrojë deri më 8 maj, por mikëpritja nuk ka qenë e njejtë në dallim nga herat e tjera.
Insajderi ka qenë më 19 prill në shfaqjen që filloi prej orës 21:00 në cirkun ‘Bellucci’, derisa gjithçka dukej spektakolare, me njerëzit që shoqëronin fëmijët e tyre në një ambient që transmetonte gëzim e të qeshura.
Por, të qeshura nuk kanë qenë fytyrat e aktivistëve të drejtave të kafshëve, që qëndronin jashtë cirkut duke protestuar.
Në cirk nuk është gjithçka spektakël. Pjesëmarrja e kafshëve në cirqe nuk është “e dobishme, e kënaqshme apo përvojë edukative”, siç e bëjnë të duken punëtorët e cirkut.
Për kafshët është rutinë e mërzitshme dhe abuzive. Kështu thonë aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, nga organizata “Të Bashkuar Për Kafshët”.
Nga kjo organizatë thonë se forma e trajnimit të kafshëve për të perfomuar në cirk është në kundërshtim me të drejtat e kafshëve.
“Ky cirk u kon i njohur edhe ma herët për abuzim të kafshëve, por ka një bazë të fortë në vetvete pasi akuzat që iu janë bërë, i ka mposhtë. Por, nuk ka evidencë të saktë se çfarë trajnimesh i bëjnë kafshëve në prapaskenë”, thotë Donjeta Makolli, aktiviste e organizatës “Të Bashkuar Për Kafshët”.
Donjeta thotë se trajnimi i këtyre kafshëve bëhet në ambiente të mbyllura “dhe kërkush nuk mundet me i pa se si i trajnojnë”.
Organizata ka bërë thirrje për protestë të përditshme deri në mbylljen e këtij cirku në Prishtinë. Donjeta i bën thirrje njerëzve të mos shkojnë në cirk dhe të mos paguajnë për abuzimin e kafshëve.
“Ne kemi vendos që me iu qasë direkt konsumatorit të cirqeve, që t’i tregojmë atyre përmes një videoje se si vjen deri trajnimi kafshëve dhe performanca. Ne kemi vendos t’i ndërgjegjësojmë njerëzit për atë që ndodhë prapa atyre perfomancave”, shprehet Makolli.
Ata kanë protestuar me pankarta në duar, me anë të të cilave thonë se cirku është biznes që përfiton nga “tortura dhe skllavëria”.
“Bojkoto cirku! Biznes që përfiton nga tortura dhe skllavëria. Eduko fëmijët të respektojnë jetën. Mos sponsorizo dhunën!”, shkruhet në pankartën e njërit prej aktivistëve të organizatës.
Cirku Bellucci ka arritur në Prishtinë më 16 prill dhe do të jap shfaqje çdo ditë –në dy orare- deri më 8 maj. Biletat për të parë një shfaqje të këtij cirku, shkojnë nga 6 deri në 13 euro. /Insajderi.com