Kur po bëheshin përgatitjet për festimin e festës së pavarësisë së Kosovës nëpër përfaqësitë diplomatike kosovare nëpër botë, edhe Zyra e Kosovës në Beograd mori pak hise. Burime të Insajderit brenda institucioneve tregojnë një histori që më shumë ngjan me cirk se sa me aktivitet shtetëror. Patën telashe që nga dërgimi i verërave të marra nga MPJ-ja e deri të vendi ku u edhe u bë festa. Një festë e raportuar si shtetërore, por që u mbajt në banesë private.
Visar Duriqi
Më 20 shkurt të këtij viti Zyra e Kosovës në Beograd që drejtohet nga Ambasadori Jetish Jashari kishte nisur përgatitjet për të organizuar festimin e ditës së pavarësisë së Republikës- për një ndejë në kryeqytetin e Serbisë.
Nga gjërat e para që bën është që të merrnin dhjetë paku me verëra prodhim vendor, që do ti transportonin nëpër kufi nga Kosova në Serbi. Me gjashtë paku do të dilnin telashe serioze.
Ambasadori Jashari në fillim planifikoi që këtë ngarkesë të ia linte në bagazhin e një zyrtari tjetër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), por telashet u shfaqën që në – pjesa e Kosovës ku zyrtari insistonte që të kishte mbulesë me dokumentacion.
Kërkesa për dokumentacion u bë me qëllim që të shmangej ndonjë situatë e pakëndshme nëse eventualisht veturat zyrtare ndaloheshin nga pala serbe dhe kontrollohej bagazhi. Në fund, nuk ishin pak, por plotë gjashtëdhjetë shishe alkool.
Sipas burimeve të Insajderit brenda Doganës së Kosovës, në atë ditë, 20 shkurt, zyrtarët doganorë ishin gjendur në një pozitë të vështirë pasi që nga njëra anë Shefi i Misionit të Kosovës në Beograd kërkonte që të vazhdohej me kalimin e kufirit me pakot me alkool, e një zyrtarë i MPJ-së kërkonte që të mos bëhej kjo pasi që nuk posedonin me vete dokumentet e duhura.
I fundit i druhej ndonjë incidenti eventual në anën serbe.
Ambasadori Jashari insistonte që ai merr përgjegjësi për çka do, por megjithatë kishte urdhëruar që ajo sasi alkooli të mos vendosej në veturën e tij me targa diplomatike të Bashkimit Evropian.
Por, pa dokumentet përkatës, urdhri u refuzua. Doganierët ranë në hall. Për këtë doganierët në ndërrim kontaktuan një nga shefat e tyre.
“Me dt. 20.02.2024 ne PKK-Merdare në dalje personi (zyrtar i MPJD) ka ardhur në perimetrin e Doganës për të bërë pyetje rreth sasisë së verërave që bartë me vete gjithsej 6 pako x 6 litra nga Prodhuesi vendor ,,….”, andaj te bashke-lidhur mund te gjeni mendimin nga Udh. i PKK-se se si te sillemi me rastet e tilla”, ishte mesazhi i shefit i cili po iu thoshte, në një sqarim të gjatë me ligje e nene, që nuk ka procedura të tjera, pasi që nuk ishte mall i ndaluar.
Urdhrin nga Ambasadori Jashari e refuzimi i zbatimit nga zyrtari i MPJD-së për të mos e bartur këtë alkool pa dokument shoqërues e kishin mbajtur eskortën e veturave për një kohë në Doganë. Madje në një moment verërat e bëra gati për festën e pavarësisë ishin zbarkuar në tokë e u fotografuan.
Krejt situata do të zgjidhje disi, në formën që Ambasadori Jashari në fund pranon që pos që thoshte që merr përgjegjësinë, të merrte edhe krejt pakot e alkoolit në veturën që vozitej edhe vet.
Situata në fjalë ka mbetur e shkruar tashmë edhe nëpër dokumente të Doganës edhe të Ministrisë së Jashtme.
Festa shtetërore për pavarësinë në banesë private
Pasi që verërat arritën, më një shkanë të pahijshme në Doganë, ti kalonin e dërgonin në Beograd, festimi shtetëror i pavarësisë së Kosovës pastaj kishte edhe 5 ditë kohë për tu përgatitur.
Verërat për të cilat u bë telashja në kufi ishin bash për këtë festë.
Por edhe vetë festa del që ka qenë një farë cirku. Krejt çka dihet në publik për këtë festë është një shënim dhe një fotografi e publikuar nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Në Beograd festohet 16 vjetori i Pavarësisë së Kosovë”, kështu ishte dhënë lajmi në Kosovë duke e cituar statusin publik të deputeti Kamberi në Facebook.
“Në Beograd, në Zyrën e Republikës së Kosovës, në manifestimin për nderë të 16 vjetorit të Pavarësisë, organizuar nga Ambasadori Jetish Jashari. Të pranishëm në festë ishin edhe Sonja Biserko, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe këshilltarja politike për Luginë, Ardita Sinani”, kishte shkruar Shaip Kamberi.
Por, a ishte kjo krejt e vërteta e kësaj feste? Burime të Insajderit kanë treguar një histori shumë ndryshe të këtij manifestimi.
Shqetësime ishin ngritur fillimisht se festa po organizohej disi si fshehtazi. Vërejtje u dhanë edhe për vet vendin, që në fakt ishte banesa private, me qira, në Beograd e Ambasadorit Jetish Jashari.
Edhe drejtuesit e MPJD-së e dinin që vërejtjet e dhëna ishin edhe të natyrës që organizimi i një ngjarje shtetërore në një banesë private do të konsiderohej edhe si skandal edhe si cirk. Del që nuk u ndërmor asgjë.
Banesa e Ambasadorit Jashari ishte e vogël. Mysafirët, siç përshkruajnë burime të Insajderit, duheshin të shoqëroheshin në festë me njëri-tjetrin herë në sallon, herë në ballkon e herë në dhomë të gjumit.
Festa u bë aty ani pse në vitin 2023, e organizuar në formë të njëjtë, duke mos e bërë në ndonjë vend publik e me ftesa publike, por nga personi në person, rezultoi që të mos merrej seriozisht nga diplomatë të vendeve të rëndësishme perëndimore.
Më 2023, siç iu kujtua MPJ-së, në festë nuk pati nuk pati asnjë diplomatë nga Ambasada e SHBA-ve në Beograd, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë apo Francës etj.
“…ngjarjet e karakterit zyrtar, nuk duhet të shënohen në hapësira private banesore”, ky ishte njoftimi paralajmërimi që iu dha organizatorëve.
Sugjerime morën që të kërkohej hapësira e BE-së në Beograd, pasi që Kosova nuk ka ndonjë sallë a zyrë të madhe në kryeqytetin serb ose të merrej me qira ndonjë hapësirë dinjitoze. Asnjëra as tjetra nuk u bënë.
Festa u organizua në banesën e Ambasadorit Jashari. Siç e përshkruajnë për Insajderin pjesëmarrësit, që mysafirët aty u deshtë që të shërbeheshin me pije e ushqim në sallon e në ndonjë rast më ekstrem në dhomën e fjetjes së Ambasadorit.
Edhe në vitin 2023 festa e pavarësisë së Kosovës u shënua në Beograd në banesë private. Edhe atëherë, ishe deputeti Shaip Kamberi që kishte bërë një përshkrim e shpërndarë disa fotografi. /Insajderi.org/