
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të martën në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit i cili është hedhur në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin-Potokut.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar duke thënë se mund të abuzohet me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike.
“A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmërie njerëzore? Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike?”, ka shkruar ajo.
Tutje ajo ka thënë se FSK-ja nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht.
“Ashtu siç ka vepruar edhe më parë, me dinjitet dhe pa zhurmë. Po aq sa po i retushoni fotografitë për të ndërtuar një narrativë të rreme, po përpiqeni të retushoni edhe historinë”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook Çitaku.