Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj hapjes së Urës së Ibrit.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku theksoi se prioritet kryesor për Kosovën duhet të jetë forcimi i lidhjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Kosovës i nevojiten urat që forcojnë integritetin dhe pozitën e saj ndërkombëtare. Urat që kemi, i kalojmë bashkë me aleatët tanë. Duhet më shumë përmbajtje dhe më pak simbolikë”, ka shkruar Çitaku.
Deklarata e saj vjen pas komentit të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se “urat na bashkojnë” dhe se ura mbi lumin Ibër duhet të jetë një simbol i normalizimit. Çitaku theksoi se qeveria duhet të përqendrohet më shumë në përmbajtjen reale të politikave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, përkundër përpjekjeve për të krijuar gjeste simbolike.