×
  • Lajme
  • Lajme

    Çitaku në Hagë, tregon çka bisedoi me Thaçin

    Insajderi
    20 June 2024 - 18:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka vizituar në Hagë, ish-presidentin, Hashim Thaçi.

    Ajo u shpreh se pamja, disponimi dhe humori i tij ishte pikërisht ai që siç tha ajo, priste ta shihte.

    “Në korridoret e pafundme të burgut në Hagë, atmosfera është e zymtë dhe e ftohtë. Më irritojnë zhurmat e dyerve të hekurta që hapen njëra pas tjetrës. Sikur duan të ma përplasin fytyrës: këtu është e burgosur një pjesë e historisë dhe lavdisë së Kosovës”.

    “Pamja, disponimi dhe humori i Presidentit ishte pikërisht ai që prisja të shihja. Në 25 vjetorin e çlirimit, flasim për të kaluarën, betejat e panumërta, që ai dhe shokët e tij i zhvilluan në përpjekjet për liri. Kujtojmë sakrificat e popullit tonë, gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe martirëve. Të qindra fëmijëve – ëndrrat e të cilëve u prenë në gjysmë nga një regjim gjenocidal. I tregova edhe për Leotrimin e vogël – i cili u përjetësua në bronz një ditë më parë në Skenderaj”, shkroi Çitaku.

    Ajo u shpreh se kanë folur edhe për kampionatin e futbollit, duke thënë se ai i ka treguar se po e përcjellë aq sa mundet.

    “Biseda kthehet në të tashmen. Përkundër sfidave, Presidenti natyrisht, si gjithmonë, flet me bindje për të ardhmen e ndritur të Kosovës. Vizioni i tij mbetet i qartë. Besimi i tij në popullin tonë, i palëkundur. Pavarësisht hekurave, shpresa dhe aura e tij më mbushin frymëzim. E pyes edhe për shokët: Kryetarin Veseli, Kryetarin Krasniqi, Rexhep Selimin dhe të tjerët. Nga afër e shoh se si lidhja mes këtyre burrave në Hagë, e krijuar në zjarret e luftës, është shumë e fuqishme. Ata marrin forcë nga njëri-tjetri”.

    “Folëm pak për kampionatin e futbollit. Më tregoi që po e përcjellë aq sa mundet, e kur po ka kohë. E pyeta kënd po e mbështetë? Dihet, më tha 🙂  Koha kalon shumë shpejt. Derisa përgatitem të largohem, në qëndrimin e Presidentit nuk shoh një të burgosur. E shoh një burrështetas, trashëgimia e të cilit nuk mund të njolloset nga askush dhe asgjë”.

    “Në dalje e sipër kujtohem për heronjtë dhe të pamposhturit, për qëndrueshmërinë e popullit tonë. Errësira dhe padrejtësia nuk janë të reja për ne. Por me besim, guxim e dinjitet, do t’i tejkalojmë përsëri, ashtu siç bëmë 25 vjet më parë.  Kosova do të bëhet – sepse është ngritur mbi shpatullat e gjigantëve. Presidenti Thaçi më la edhe një herë me një të vërtetë të pamohueshme: Dielli do të lind përsëri”, shkroi tutje Çitaku.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark