Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në ShBA, thotë se edhe gjatë mandatit të presidentit të ri Donald Trump, Kosova do të mund të llogarisë në përkrahjen e Amerikës.
Sipas saj, politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar edhe kur presidenti ka qenë nga radhët e republikanëve apo demokratëve.
“Zgjedhjet presidenciale në ShBA kanë ndikimet e tyre jo vetëm në zhvillimet politike në Kosovë, por edhe në një sfond më të gjerë gjeopolitik”, ka thënë ajo për Zërin.
“ShBA-të janë themeltare të Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s e cila ka ndërhyrë ushtarakisht në vitin 1999 në Kosovë, luan ende rol vendimtar në politikat e zgjerimit, jo vetëm të Aleancës, por është edhe me Bashkimin Evropian”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se, në një kohë kur subjektiviteti ynë ndërkombëtar vazhdon të jetë i kontestuar, fakti që Kosova ka mundur vazhdimisht të llogarisë deri më tani në ndihmën e ShBA-ve, pavarësisht kush ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, president demokrat, apo republikan, është shumë domethënëse, duke shpresuar se kjo frymë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.