Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Pika e parë e dispozitivit të aktakuzës ngarkon Krasniqin që si kryeshef i KEK-ut dhe Dragusha si u.d i drejtorit të zyrës së prokurimit në periudhën kohore prej 17 janarit 2022 deri më 27 janar 2023, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër- në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A’’, t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, si dhe t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës.
Aktakuza thotë se duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin me nr.04/L-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 27 dhjetor 2022, Krasniqi e fton në zyrën e tij të pandehurin Dragusha dhe dëshmitarin Emin Tmava, duke kërkuar nga ta që në kundërshtim me rregullat e LPP-së të fillojnë procedurën e hulumtimit të tregut, me qëllim që të fillojnë procedurën e negociuar për tenderin e lartcekur edhe përkundër faktit se i pandehuri Dragusha e vë në dijeni se një procedurë e tillë është në kundërshtim me rregullat e LPP-së.
Por, në aktakuzë thuhet se përkundër faktit se ishte në dijeni se ky veprim ishte i kundërligjshëm, sipas kërkesës së të pandehurit Krasniqi, i pandehuri Dragusha kërkon nga zyrtari Tmava që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e OE “Intering’’, ‘’Monting Energjetika’’ dhe “Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.
Kurse, më 29 dhjetor 2022, Krasniqi dhe Dragusha thuhet se në lidhje me tenderin për procedurë të negociuar, kanë zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë të cekur më lartë, pa qenë anëtarë të komisionit për vlerësim-negocim dhe ende pa u bë njoftimi për shpallje në faqen e e-prokurimit të KRPP-së, ashtu që më 16 janar 2023 pas përfundimit të negociatave me këtë operator, ka bërë njoftimin për shpallje në e-prokurim, me ç ‘rast ka eliminuar nga gara operatorët ekonomikë “Intering” SH.P.K’’ dhe ‘’Monting Energjetika’’ me qëllim që ta favorizojë operatorin ekonomik “Litwin S.A”.
Aktakuza thotë se pas eliminimit të dy operatorëve të lartcekur, sipas vendimit të 20 janarit 2023, i pandehuri Krasniqi ka themeluar komisionin për vlerësimin-negocimin e ofertës për aktivitetin e prokurimit “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, në përbërje të: Remzi Beshirit– kryetar i komisionit, Skender Isufit dhe Emin Tmavës, anëtarë, me qëllim të zhvillimit të negociatave me operatorin ekonomik “Litwin S.A”, të cilët në raportin e vlerësimit të 25 janarit 2023, kanë konstatuar se ky operator nuk i ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit si dhe nuk iu ka përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, duke rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, për shkak se operatori ekonomik kishte kërkuar ndryshimin e tri kushteve të tenderit dhe atë: zvogëlimin e garancisë bankare, zgjatjen e afatit për kryerje të punëve dhe uljen e përqindjes së penaltive.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 26 janar 2023, i pandehuri Nagip Kransiqi, përkundër faktit se ishte njoftuar me raportin e komisionit se operatori ekonomik në fjalë nuk i kishte plotësuar kushtet e tenderit, përmes e-mailit e konfirmon pranimin e kushteve të operatorin ekonomik “Litwin S.A” të paraqitura përmes e-mailit më 25 janar 2023, e urdhëron të pandehurin Dragusha që të nënshkruajë kontratën, e cila u nënshkrua më 27 janar 2024, ende pa u siguruar garancioni bankar i cili do të ekzekutohej në rast të dështimit të kontratës.
Andaj, si rezultat i veprimeve të të pandehurve për periudhën kohore 19 korrik 2022 deri më 6 maj 2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit, andaj KEK u detyrua që të importojë energji elektrike në sasi prej 890,016 MWh, duke i shkaktuar KEK-ut dhe buxhetit të Kosovës dëm në shkallë të madhe, në shumën prej 36 milionë e 349 mijë e 638 euro e 62 centë.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen se në periudhën dhjetor 2021 deri në prill 2023, me dashje, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, duke i tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim pasuror personit tjetër – operatorit ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C’’ dhe t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë që ushtrojnë veprimtari të tilla, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”, në lidhje me tenderin e prokurimit me procedurë të negociuar, kanë lidhur kontratën me “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në kundërshtim me rregullat e përcaktuara me LPP.
Aktakuza thotë se i pandehuri Nagip Krasniqi, pasi që më parë ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna, aksionar i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, më 2 mars 2023 ka kërkuar nga i pandehuri Ymer Dragusha, që të iniciohet procedura e prokurimit të negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut edhe përkundër faktit se në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponushmërisë së fondeve DNPDF nuk ishte e paraparë, duke e përcaktuar si operator të vetëm “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me të cilin kishte raporte të ngushta shoqërore në njërën anë e në anën tjetër ky operator paraprakisht në një procedurë të hapur të prokurimit ishte shpallur i papërgjegjshëm, duke qenë në dijeni se për një proces të tillë sipas ligjit duhet të zhvillohet procedurë e hapur e prokurimit.
Tutje, thuhet se i pandehuri Ymer Dragusha, edhe përkundër faktit se ishte në dijeni se kërkesa e të pandehurit Nagip Krasniqi, ishte në kundërshtim me LPP-në, më 2 mars 2023, e fillon procedurën e prokurimit me titull “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” përmes shkresës drejtuar KRPP-së. Aty thuhet se përkundër rekomandimit të KRPP-së, të 6 marsit 2023, që për këtë aktivitet duhet të zhvillohet procedurë e hapur, të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha, kanë zhvilluar procedurën e negocimit me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.
Andaj, thuhet se më 3 prill 2023 pas urdhrit të Krasniqit, i pandehuri Dragusha e nënshkruan kontratën me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në vlerë prej 60 mijë euro.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën e tretë thuhet se Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha, gjatë muajit dhjetor 2022 e deri më 18 prill 2023 , me dashje në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim operatorit ekonomik “Ergotem S.A”, duke ua shkel të drejtat e personave tjerë e duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të hapur, i emërtuar si “Pllakat rrëshqitëse në PF-kanalet e mullinjve të thëngjillit”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
Fillimisht, thuhet se i pandehuri Krasniqi disa muaj pas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për tenderin e shënuar si më lartë, në mënyrë të kundërligjshme i fton në takim përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Ergotem S.A” nga Greqia, me qëllim që të zhvillojnë një vizitë në vendpunishten e KEK-ut dhe në kundërshtim me rregullat e LPP-së i urdhëron zyrtarët përgjegjës të KEK-ut, që t’ia dërgojnë specifikimet teknike të tenderit këtij operatori, ende pa u bërë shpallja e tenderit.
Tutje, sipas pikës së tretë të aktakuzës thuhet se Krasniqi më 15 dhjetor 2022 në mënyrë të kundërligjshme dhe në shkelje të parimit të barazisë dhe jo diskriminimit të përcaktuar në nenin 7 të LPP-së, në një procedurë të hapur ku nuk lejohet njoftimi paraprak i ofertuesve, i shkruan SMS të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallet më 16 dhjetor 2022, të ftohen operatori ekonomik ‘’SBB’’ dhe operatori ekonomik “Ergotem S.A”, duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj në të njëjtën datë bëhet shpallja e njoftimit për kontratë.
Tutje, thuhet se pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e komisionit vlerësues, operatori ekonomik ”Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit dhe ftohet për nënshkrim të kontratës, megjithatë para nënshkrimit të kontratës operatori ekonomik ‘’Ergotem S.A” kërkon nga KEK-u, ndryshimin e kushteve të tenderit, në veçanti lidhur me lartësinë e garancionit bankar që në dosje të tenderit ishte 50% kurse operatori ekonomik kërkonte që të jetë 10%, për çka edhe të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha më 21 mars 2023, në zyrat e KEK-ut, mbajnë një takim me përfaqësuesit e operatorit ekonomik dhe kundërligjshëm e pranojnë kërkesën e operatorit ekonomik.
Kështu që, thuhet se garancioni bankar nga 50% zbritet në 15%, me ç’rast më 7 prill 2023, nënshkruhet kontrata nga i pandehuri Ymer Dragusha, ndërsa më 18 prill 2023, nënshkruhet nga i pandehuri Nagip Krasniqi, në shumën 1 milion e 621 mijë e 544 euro e 20 centë.
Andaj, me këto veprime Krasniqi dhe Dragusha po ngarkohen me veprën penale në bashkëkryerje “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën e katërt të aktakuzës ngarkohen sërish Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha, ku thuhet se më 25 janar 2023, me dashje, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, pra i pandehuri Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut dhe i pandehuri Dragusha si u.d drejtor i zyrës së prokurimit, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim operatorit ekonomik “Tuv Hellas” dhe t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.
Sipas pikës së katërt të aktakuzës, thuhet se më 24 janar 2023 ende pa u bë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Krasniqi, i shkruan të pandehurit Dragusha dhe kundërligjshëm e obligon që të kontaktojë me operatorin ekonomik “Tuv Hellas” dhe ta ftojë që të aplikojë për tender të negociuar, mirëpo zyrtarët e KEK-ut fillimisht e njoftuan të pandehurin Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 7 të LPP-së, përkundër kësaj i pandehuri Krasniqi, përmes e-mailit, e kërcënon zyrtarin Abedin Kabashi se do ta largojë nga puna nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij, andaj nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri, e kontakton kompaninë në fjalë dhe i ofron udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender, krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit sepse më 25 janar 2023, bëhet njoftimi për shpalljen e tenderit në e-prokurim.
Tutje, thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kanë shpërfillur njoftimin dhe kanë vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me operatorin ekonomik “TUV Hellas’’, të cilin veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë procedurës së negocimit, të pandehurit në mënyrë të kundërligjshme i bëjnë favor këtij operatori duke ia zbritur kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se operatori ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në dosjen e tenderit për pikat tenderuese si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001, bazuar në faktin se gjatë procedurës negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi, personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që operatori ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë kontratë me këtë operator më 30 mars 2023, në vlerë prej 628 mijë e 425 euro.
Për këto veprime, Krasniqi dhe Dragusha ngarkohen me veprën penale në bashkëkryerje “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën e pestë të aktakuzën, thuhet se i pandehuri Nagip Krasniqi më 25 nëntor 2022, me dashje, duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i mundësojë përfitim operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM ” dhe t’ua shkel të drejtat e personave tjerë, në këtë rast operatorit ekonomik “Takraf” dhe t’i shkaktojë dëm buxhetit të Kosovës, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, ka shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP.
Aktakuza thotë se fillimisht ka urdhëruar aktivitetin e prokurimi të lartcekur, pastaj ka zhvilluar të ashtuquajturën ‘’faza fillestare të negociuara’’ me operatorin ekonomik “Bahri Asllan & FAM”, mirëpo për shkak të kushteve të negocimit, i ka pezulluar negociatat me këtë operator dhe ka hapur negociata të reja me operatorin ekonomik “Takraf”, me të cilin pas disa takimeve më 26 korrik 2022 arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë për shkak të kushteve në terren, andaj u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.
Aty thuhet se përkundër faktit që me operatorin ekonomik “Takraf”’, kishte një marrëveshje të dakorduar siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi, përmes zyrtares së tij i dërgon e-mail operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM ” dhe e fton që të fillojë punën edhe pse nuk kishte ndonjë kontratë të nënshkruar më të, kështu që operatori ekonomik në fjalë, më 18 tetor 2022 kishte hyrë në vendpunishte, ndërsa pas një muaji, me datën 25 nëntor 2022, e nënshkruan një aneks-kontratë me këtë operator ne vlerë prej 279 mijë e 664 euro e 72 centë, vlerë kjo tri herë më e lartë se marrëveshja që kishte nënshkruar me operatorin ekonomik “Takraf”, duke e diskriminuar “Takraf” dhe duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe KEK-ut dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në vlerën mbi 90 mijë euro.
Andaj me këto veprime, Krasniqi po ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga komunikimet me Dejona Mihalin
Edhe pika e gjashtë e aktakuzës, ngarkon Nagip Krasniqin se në periudhën kohore 2022-2023, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën shtetërore, e për të cilat informata kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike.
Në aktakuzë thuhet se më 2 korrik 2022, në ora 8:21 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, me Mihalin, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24 qershor 2022 në mes të KEK dhe KESH. Kurse, më 22 prill 2022, në ora 06:25 PM, i pandehuri gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars- prill 2022, pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali ‘’Reporteri’’ me titullin “Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’’.
Kurse, thuhet se më 24 shkurt 2022, në ora 7:59, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët”. Ndërsa, më 12 prill 2023 në ora 4:25 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit Gazmend Begolli.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022, në ora 3:59 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike. Kurse, më 29 shtator 2022 në ora 3:48 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë dhe Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.
Aktakuza thotë se më 13 tetor 2022, në ora 7:17 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, në grupin ku bënte pjesë Mihali, e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i komisionit të vlerësimit dhe negocimit Skender Isufi, në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomikë, si dhe komunikime tjera në këto platforma. Dhe se më 16 maj 2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: Driton Bytyqi, Emin Tmava dhe Mustafa Kavaja, pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 426, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal.
Kurs, pika e shtatë e aktakuzës ngarkon Isuf Zejnën se gjatë dhjetorit 2021 e deri në prill të 2023-ës, në Prishtinë si përfaqësues i kompanisë “ Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, ka ndihmuar të pandehurin Krasniqi që ta keqpërdor detyrën zyrtare në lidhje me tenderin e titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”.
Fillimish, thuhet se më 14 shkurt 2023 i ka ndihmuar Krasniqit në përgatitjen e termave të referencave në tenderin ku ka marrë pjesë vetë, kështu Krasniqi i ka dërguar fillimisht një draft të termave të referencës për tenderin të pandehurit Zejna, e ku ky i fundit ia kthen drafin Krasniqit dhe më pas Krasniqi të njëjtin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.
Tutje, sipas kësaj pike të aktakuzës, thuhet se më të kuptuar këtë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) i shënon KEK-ut shkresën përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës, mirëpo i pandehuri Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin Zejna, e injoron këtë rekomandim dhe më 3 prill 2023, e nënshkruan kontratën me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin Isuf Zejna, duke e shpërblyer me shumën prej 60 mijë euro.
Andaj me këto veprime, Zejna akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
“Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një qëndrim të martën nga Krasniqi dhe Zejna lidhur me këtë aktakuzë, mirëpo asnjëri nuk ka qenë i qasshëm. Kurse, ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, ka thënë për KOHËN se nuk ka qenë i përfshirë në periudhën kur përmendet në aktakuzë.
“S’kam gjë aty. Unë veç një periudhë të shkurtët kam qenë, vetëm 6 muaj. S’është ajo periudhë që po e përmendin. Gusht 2022 deri në mars 2023, në ato çështje. Ai po niset nga 2021-ta, s’kam diçka aty. S’kam çka jap koment. E shoh tash aty kur të shkojmë aty, e shoh çka ka. Ata e dinë vetë se çka kanë shkruar, çka kanë e çka s’kanë”, ka thënë Dragusha.
Propozimi për dënim plotësues:
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që ndaj të pandehurit Nagip Krasniqi të shqiptohet dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike”. Por, në aktakuzë thuhet se ky propozim nuk mund të aplikohet ndaj të pandehurit Ymer Dragusha, pasi që gjatë zhvillimit të procedurës i njëjti e ka arritur moshën e pensionimit.
Po ashtu, është propozuar që ndaj tyre të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese, dhe se pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor e analizimit të provave, tre të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Dëshmia e Ymer Dragushës si dëshmitar bashkëpunues
Nga dëshmitë që Dragusha i kishte dhënë në Polici dhe Prokurori në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues, kishte thënë se si ushtrues i detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit në KEK, ishte përgjegjës për procedurat e prokurimit duke filluar nga planifikimi, aktivitetet e prokurimit, menaxhimit të kontratave e deri te nënshkrimi i kontratës si dhe komunikimin me institucionet tjera si OSHP dhe KRPP. Po ashtu, ai kishte treguar se si kishte ardhur deri te inicimi i aktivitetit të prokurimit dhe procedurat e ndjekura.
“Nga dëshmitë e dëshmitarit bashkëpunues, Ymer Dragusha rezulton që lidhur me aktivitetin e prokurimit për “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”, me datën 01.2023, kishte pranuar lëndën e iniciuar nga zyrtari kërkues Anjeta Zeqiraj e aprovuar nga Nagip Krasniqi, me vlerë të parashikuar në shumë prej 60,000.00 euro. Të njëjtën datë kishte pranuar edhe shkresën nga kryeshefi ekzekutiv për angazhimin e këshilltarëve në kabinetin e kryeshefit me anë të cilës përcaktohet që të angazhohet konsulenti “Rexhepi Zeqiri Zejna LLC”, me arsyetimet pse duhej të angazhohej kjo kompani e poashtu shkresës i ishin bashkangjitur edhe dokumentet: dëshmitë e nevojave dhe disponueshmërisë së mjeteve dhe shkresën për nevoja ekstreme emergjente etj. Në bazë të kësaj kishin vazhduar me njoftimin për KRPP-në, për këtë procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë të propozuar nga Nagip Krasniqi”, citohet të në aktakuzë.
Kurse, më 6 mars 2023 thuhet se kishin pranuar opinionin e KRPP-së , lidhur me këtë aktivitet, në bazë të të cilit rekomandohej që ky aktivitet i prokurimit të zhvillohej me procedurë të hapur, e cila do të rriste transparencën, konkurrencën dhe trajtimin e barabartë për të gjitha palët e interesuara.
“Menjëherë pas pranimit të opinionit nga KRPP, shton se e kishte njoftuar kryeshefin ekzekutiv i cili nuk ishte pajtuar duke i thënë se: “nuk e marr për bazë hiq këtë opinion dhe as rekomandimin e KRPP”. Pas kësaj e kishin përgatitur një shkresë dhe e kishin vendosur në faqen e-prokurimit bazuar në arsyeshmërinë e angazhimit të kompanisë ligjore. Përkundër asaj që kishte menduar se kjo procedurë duhej të anulohej kishin vazhduar procedurat duke vepruar sipas urdhrit të Nagip Krasniqit”, thuhet të ketë deklaruar Dragusha.
Ai kishte theksuar se OE “Rexhepi Zeqiri Zejna LLC”, edhe më parë kishte marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit lidhur me angazhimin e kompanisë ligjore me procedurë të hapur, mirëpo ishte shpallur i papërgjegjshëm.
“Gjithashtu, sqaron që aksionari i kësaj kompanie, Isuf Zejna shpesh ka frekuentuar zyrat e KEK-it pas ardhjes në këtë pozitë të kryeshefit Nagip Krasniqi e edhe në zyrën e prokurimit me qëllim të dhënies së këshillave profesionale bazuar në angazhimin e tij nga kryeshefi ekzekutiv para shpalljes së këtij aktiviteti të prokurimit. Ndërkaq, nga mediat ishte informuar se i njëjti e ka përfaqësuar kryeshefin Nagip Krasniqi në një procedurë që ndërlidhet me ambasadorin Martin Berishaj”, thuhet më tej.
Kurse, kontrata e nënshkruar më 3 prill 2023 nuk kishte filluar të implementohet për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur me kryeshefin Krasniqi dhe është pezulluar në kohë të pacaktuar.
“Gjatë takimeve me kryeshefin ekzekutiv nga i njëjti kishte kërkuar dhe i kishte rekomanduar që procedura e tenderimit të zhvillohej me procedurë të hapur, por i njëjti nuk ishte pajtuar me këtë propozim duke kërkuar që të shkohet me procedurë të negociuar me operatorin ekonomik “TUV Hellas”, nga Greqia me arsyetimin se kjo kompani është e specializuar në këtë fushë. Megjithatë pas disa diskutimeve ishte pajtuar që të shkohet me procedurë tenderuese të hapur të përshpejtuar”, citohet të ketë deklaruar ai.
Lidhur me problemet e paraqitura për dokumentet e operatorit ekonomik si: referenca për punët e kryera të natyrës së njëjtë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001, ka sqaruar se për mungesën e këtyre dokumenteve nuk e ka ditur deri sa e ka kuptuar më vonë kur ishin përfshirë Policia në rast hetimor dhe për të ka qenë befasuese.
“Se si ka ardhur në shprehje dhënia e kontratës për këtë operatorin ekonomik nuk kishte informacion përveç asaj që ka dëgjuar se kryeshefi ekzekutiv Nagip Krasniqi ka qenë në vizitë në Greqi dhe përzgjedhja është bërë nga ana e tij”, thuhet të ketë deklaruar ai.
Çka dëshmoi në Prokurori ministrja Artane Rizvanolli?
Në aktakuzë thuhet se nga dëshmia e Artane Rizvanollit, e dhënë më 12 nëntor 2024 në Prokurori, rezulton që si ministre në Ministrinë e Ekonomisë, zyrtarisht e kryeson komisionin ndërministror për ndërmarrjet publike duke përfshirë edhe KEK-un. Ajo ka thënë se ndërmarrjet publike mbikëqyren nga njësia për monitorimin e politikave të ndërmarrjeve publike.
Rizvanolli kishte dëshmuar se me kryeshefin ekzekutiv Nagip Krasniqi, ka pasur raporte kolegiale dhe më të shpeshta veçanërisht në kohën e krizës energjetike. Tha se gjatë kësaj periudhe kohore kanë subvencionuar KEK-un me qëllim të ruajtjes së sigurisë së furnizimit me çmim të përballueshëm për qytetarët, por jo për qëllime tjera të mirëmbajtjes apo remontit të blloqeve të KEK-ut, meqenëse KEK i ka kryer me mjetet e saja.
Gjatë periudhës së krizës energjetike dhjetor 2021 pranverë 2023, ka thënë se ka pasur kontakte të rregullta dhe takime me Krasniqin sa herë që ndonjë bllok ka dalë jashtë funksionit, por edhe komunikime në WhatsApp me të apo edhe në grup me persona tjerë zyrtarë.
“Sa i përket dështimeve apo daljes jashtë funksionit të kaldasë së bllokut A5 nuk i kujtohet nëse ka pasur dështime në realizimin e remontit por probleme me zingjirin e furnizimit pastaj procese tjera ofertuese të cilat janë kryer gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë kësaj periudhe kohore energjinë të cilën nuk e prodhojnë e sigurojnë përmes importit. Gjatë periudhës kur blloku A5 ka qenë jashtë funksionit, Qeveria në një pjesë të kohës e ka subvencionuar blerjen e energjisë, ndërsa lidhur me procedurat e tenderimit nuk ka pasur njohuri dhe nuk i kujtohet nëse është njoftuar se kompania ‘’Litwin S.A’’ fillimisht ishte shpallur e papërgjegjshme e pastaj është ftuar në negociata me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë”, citohet në aktakuzë.
Në fund, ka thënë se subvencionimi nga ana e Qeverisë realizohet sipas vendimeve të Qeverisë me nr. 05/55 të datës 21 shkurt 2022 dhe vendimi me nr. 02/117 i datës 29 nëntor 2022.
Rizvanolli ka deklarua se si ministre, në vazhdimësi ka pasur kontakte të rregullta dhe takime me kryeshefin Nagip Krasniqi në rastet kur ndonjë bllok ka dalë jashtë funksionit.
“Komunikime kishte pasur në një grup në WhatsApp jo vetëm me kryeshefin Nagip Krasniqi por edhe me persona tjerë zyrtar si Kryeministri, zv. Kryeministri dhe personat tjerë zyrtar. Ndërkaq, lidhur me përfshirjen e personit jo zyrtar në këto komunikime thekson se mund të ketë qenë edhe Dejona në atë grup dhe se grupi ka qenë joformal ndërsa Dejona ishte e përfshirë si koordinatore e komiteteve profesionale në Lëvizjen Vetëvendosje dhe si njohëse e politikave të Lëvizjes Vetëvendosje për energji”, citohet të ketë thënë ajo.
Mbrojtja e Nagip Krasniqit në Polici dhe Prokurori
Nagip Krasniqi në mbrojtjen e tij të dhënë në Polici më 24 mars 2023 dhe në Prokurori më 12 shtator 2023,thuhe se ka deklaruar se tenderi për riparimin kapital të kalldasë A5, fillimisht ishte shpallur dhe anuluar në vitin 2020 dhe 2021 para se ai të vinte si kryeshef ekzekutiv në KEK dhe se ky tender përsëri është rishpallur në muajin shtator 2022 në dy Lote. Njëri lot ishte për riparimin e kalldasë dhe kishin ofertuar tri kompani: ‘’Litwin S.A’’, “Steag” dhe ‘‘Intering’’. Ka thënë se Steag Gjerman në Lot 1 dhe ‘’Litwin S.A’’ Lot 2 kishin dështuar t’i sjellin dokumentet e kërkuara nga autoriteti kontraktues dhe ishin diskualifikuar, ndërsa kishin vazhduar negociatat me operatorin ekonomik ‘‘Intering’’.
Ai ka thënë se pasi që të njëjtit ishin tërhequr nga ofertat me arsyetimin se kishin ndryshuar çmimet për shkak të krizës energjetike dhe lufta në Ukrainë, kishin dështuar negociatat me këtë kompani. Mirëpo, për shkak të emergjencave dhe situatës së vështirë energjetike, rikthimin në punë të bllokut A5 dhe përfundimin e projektit në afatin kohor kishin ftuar që të tri kompanitë për prezentimin e ofertave.
“Shton se si kryeshef ekzekutiv gjatë gjitha fazave ka qenë në dijeni sa i përket procesit të hulumtimit të tregut dhe gjithë procesit të zhvilluar nga komisioni i vlerësimit, duke përfshirë ofertat në tender, çmimet dhe kërkesat. Gjatë fazës së negocimit e konfirmon se kishte pasur ndryshime nga drafti i dosjes së tenderit. Gjithashtu, thekson se në kohën kur kishte ardhur në pozitën e Kryeshefit ekzekutiv, njësia A5 i kishte kaluar orët e punës standarde”, citohet në aktakuzë.
Krasniqi thuhet se ka deklaruar që për shkak të situatës emergjente, kishte qenë interes i korporatës që sa më shpejt të kryhen punët për shkak se për çdo ditë vonesë ndërmarrja ka humbur deri në gjysmë milioni euro të hyra në ditë. Kriteret kryesore që kishin kërkuar ishin afati i kryerjes së punëve për 90 ditë, e që më së voni ishte data 3 prill 2023.
“Deklaron se e vetmja kompani që i kishte pranuar këto kushte kishte qenë operatorin ekonomik ‘’Litwin S.A’’, mirëpo komisioni i vlerësimit kishte rekomanduar anulimin e tenderit për shkak se i njëjti nuk i kishte plotësuar kushtet. Për shkak se nuk kishin alternativa tjera dhe pasi i pandehuri Ymer Dragusha i kishte thënë se vendimmarrja dhe përgjegjësia qëndron te ai si kryeshef ekzekutiv kishte vendosur me proceduar tutje me këtë kompani për nënshkrimin e kontratës, pasi që e njëjta i kishte plotësuar dy kushte kryesore: afatin e kryerjes së punëve dhe 50% të garancionit bankar”, citohet të ketë deklaruar Krasniqi.
Po ashtu, thuhet se deklaroi që pas këshillimit nga ana e Ymer Dragushes për nënshkrimin e kontratës kishte dhënë urdhër me shkrim për nënshkrimin e kontratës me “Litwin S.A” dhe se gjatë negocimit janë ndryshuar edhe kushte tjera përshirë edhe afatin shtesë 30 ditë si opcional
“Pas nënshkrimit të kontratës ishin shfaqur pengesa në implementimin e projektit edhe atë për shkak garancionit të ekzekutimit prandaj lidhur me këtë KEK kishte marrë vendim për shkëputjen e kontratës me operatorin ekonomik ‘’Litwin S.A’’, thuhet në fund.
Andaj, sipas aktakuzës, i pandehuri Nagip Krasniqi, në mbrojtjen e tij pjesërisht pranoi veprimet e veta por si të tilla i konsideron të ligjshme dhe të dobishme për KEK-un.
“Në deklarimet e tij të dhëna në prokurori me datën 29 dhe 30 gusht 2023, i pandehuri Nagip Krasniqi, ka deklaruar se rekomandimin për angazhimin e Isuf Zejnës, e kishte marr nga BE dhe nga një mik i tij Fisnik Korenica. Lidhur me komunikimet që i ka zhvilluar me avokatin Isuf Zejna konsideron se nuk është zbuluar asnjë sekret afarist, e as nuk është cenuar interesi i korporatës. Lidhur me dokumentin me titullin “Shërbime konsulente ligjore për korporatën energjetike të Kosovës termat e referencës Ter”, ka deklaruar se mund tu referohen rasteve potenciale të arbitrazhit dhe se nuk i kujtohet nëse ky dokument është draftuar nga “Rexhepi Zeqiri Zejna LLC”, thuhet në aktakuzë.
Lidhur me komunikimin me e-mail, të datës 6 shkurt 2023 dhe 3 mars 2023, thuhet se ka deklaruar se ky komunikim kishte të bënte me konsulencën ndërkombëtare për rindërtimin e Kosovës A. Kurse, për komunikimin me Isuf Zejnën përmes email-it me këtë përmbajtje “ju dhashë instruksion me ba vetëm çmimin ditor, jo atë limitin mujor”, “bisedo me Ymerin”, deklaroi se qëllimi i kësaj kishte qenë që çmimi me e kalue tarifën e Odës së Avokatëve dhe arsyeja pse ishte kyçur në këtë proces të prokurimit ka qenë për shkak të mungesës së resurseve në KEK. E komunikimet tjera me Zejnën në WhatsAppp ka thënë se nuk i kujtohen. Sa i përket letrës që ia kishte dërguar Ymer Dragushës, pranon se është nënshkrimi i tij dhe se përmes kësaj letre e kishte urdhëruar zyrën që ta iniciojë procedurën e prokurimit.
Lidhur me OE “SBB Energy”, ka thënë se ky operator ka qenë i angazhuar paraprakisht në projektin për delatimin e kalldave, përkatësisht e kanë bërë dizajnimin e kalldasë, ndërsa OE “Ergotem S.A” e kanë kontaktuar, e pastaj të njëjtit kanë ardhur në vizitë te zyrat në KEK dhe TC Kosova B.
“Pranon që me këtë operator kishte pasur kontakte para dhe pas shpalljes së tenderit. Sa i përket ndryshimit të kushtit të tenderit që ka të bëjë me sigurimin e ekzekutimit, deklaron se ky ndryshim është pranuar edhe pse kriteri prej 50% , ishte caktuar për shkak që të sigurohej mos dështimi i kontratave dhe se operatorit ekonomik “Ergotem S.A” i është pranuar garancioni i ekzekutimit në 15%, mirëpo ia kishin shtuar kushtin me 15% mbajtjen e parave dhe kritere tjera që në mënyrë kumulative përbënin 60% të vlerës së kontratës”, thuhet në aktakuzë.
Gjithashtu, thuhet se i pandehuri Nagip Krasniqi, në mbrojtjen e dhënë në Prokurori me datën 13 shtator 2023, ka deklaruar se implementimi i këtij projekti për angazhimin e një kompanie për mbikëqyrje ishte kërkesë e Zyrës së BE-së dhe se kishin së paku tri arsye për tu zhvilluar me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë.
“Në rastin konkret operatori Tuv Hellas ishte rekomanduar nga BE-ja, si kompani me renome ndërkombëtare. Lidhur me mungesën e dokumentacionit ka deklaruar se nuk ka qenë në kompetencën e tij, ndërkaq, zbritjen e përqindjes së ekzekutimit nga 50% në 10% e kishin pranuar për shkak se operatori ekonomik ka mundur të tërhiqet nga tenderi”, thotë tutje aktakuza.
Krasniqi, në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori me datën 14 shtator 2023, deklaroi se për shkak të kontesteve të vazhdueshme që KEK në njërën anë dhe konzorciumi Eko Invest & FAM në anën tjetër ka pasur gjatë implementimit të kontratës për riparimin elektromekanik të eskavatorit E-9B e lidhur në vitin 2019, e sidomos për shkak të çmimit të lartë, ishin të detyruar të gjejnë një operator ekonomik tjetër me çmim dhe kushte më të favorshme për eliminimin e problemit të rrëshqitjeve në shtratin sferik.
“Meqenëse në atë periudhë kohore ishin muajt shtator-tetor, nuk kishin mundur të garantojnë për temperaturë dhe se nuk kishin mundur të presin deri në muajin prill apo maj të vitit të ardhshëm kur do të përmirësoheshin kushtet atmosferike. Për këtë ishin të detyruar të rikthehen me negociatat me konzorciumin Eko Invest & Fam për të arritur një marrëveshje të re (aneks kontratë) në vlerë prej 268,000.00 euro. Negociatat me këtë operator i kishte bë komisoni vlerësues-negociues por gjithashtu edhe ai ishte kyqur për shkak se ky operator kishte refuzuar të sjell garancionin e ekzekutimit të kontratës ashtu që të njëjtit ia kishin zbritur nga 50% në 10% të vlerës së kontratës”, thuhet në fund.
Në mbrojtjen e dhënë në Prokurori më 4 dhjetor 2024, në përgjithësi ka pranuar se ka pasur kominikime me Dejona Mihalin si dhe në një grup prej disa personash në WhatsApp.
“…por që asnjë nga komunikimet dhe dokumentacioni apo shkresa të dërguara nuk paraqesin dokumente zyrtare dhe si të tilla i konsideron dokumente publike. Thekson që komunikimet e tij të kësaj natyre nuk konsiderohen raportime dhe se gjatë asaj kohe i kishte raportuar vetëm bordit të KEK-ut”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Dëshmia e Dejona Mihait në Prokurori
Në aktakuzë thuhet se nga dëshmia e dëshmitares Dejona Mihali, të dhënë në Prokurori më 20 shtator 2024, rezulton që si koordinatore e komiteteve në partinë politike Lëvizja Vetëvendosje, merret edhe me çështjet sektoriale ku përfshihet çështja e energjisë.
“Sqaron se të pandehurin Nagip Krasniqi e kishte njohur në kuadër të këtij komiteti nga viti 2009-2010 si ekspert të kësaj fushe. Ndërkaq, pas emërimit të të njëjtit si kryeshef ekzekutiv në KEK, e kishte takuar një apo dy herë dhe kishin diskutuar lidhur me krizën energjetike. Dëshmon se në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kishte kërkuar informacione mbi gjendjen energjetike dhe se përmes platformave sociale WhatsApp, Signal, Viber, e-mail dhe telefon kishte komunikuar disa herë, ku kishin diskutuar për gjendjen energjetike, komunikime lidhur me disa sinjalizime nga persona anonim që kishin marr lidhur me remontin e Kosovës A, por edhe disa artikuj nga portalet elektronike”, thuhet të ketë deklaruar Mihali.
Ajo ka shtuar se të gjitha këto komunikime me të pandehurin janë zhvilluar në grupin e tyre në WhatsApp ku ishin edhe Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministrja e Ekonomisë, Ministri i Financave si dhe këshilltari i Ministres së Ekonomisë.
“Më tutje sqaron se shkëmbimi i informacioneve ishte brenda një grupi kolegial dhe të bashkëpunimit të mëhershëm dhe se nuk kishte të bënte me pozicione duke shtuar se kjo ishte puna e saj e përditshme si koordinatore e Lëvizjes duke qenë se kishte marr pjesë në hartimin e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, shton se nuk i kujtohen të gjitha bisedat dhe konsultimet sepse nuk kishin qenë në vëmendjen e saj”, citohet të ketë deklaruar Mihali.
Mbrojtja e Isuf Zejnës
I pandehuri Isuf Zejna, thuhet se në mbrojtjen e tij ka deklaruar se ka qenë i angazhuar paraprakisht në KEK në ofrimin e këshillave ligjore dhe prokurimit publik për kryeshefin Krasniqi.
“Shton se këto këshilla i ka ofruar pro-bono (pa pagesë), ndërsa gjatë gjithë kohës kishte pasur kontakte me kryeshefin ekzekutiv qoftë nëpërmjet takimeve apo komunikimeve elektronike me e-mail apo telefon përmes rrjeteve sociale. Po ashtu, i pandehuri deklaron se edhe gjatë procedurës së negociatave ka pasur komunikime me Nagip Krasniqin lidhur me shërbimet që kërkoheshin e të cilat nuk ishin vetëm ato që rregullohen sipas rregullores së avokatëve, por kishte edhe çështje të konsulencës dhe përfaqësimit në arbitrazhe, si dhe komunikime tjera lidhur me disa dilema për formën e tarifimit me veprime në orë pune apo ditë të angazhimit”, thuhet të ketë deklaruar Zejna.
Gjatë kësaj kohe, deklaron se i kishte dhënë këshilla dhe opinione lidhur me procedurat e negociuara për një projekt të delatimeve të cilat ia kishte dërguar përmes e-mail. Thekson se kjo kontratë është pezulluar pas ngjarjeve lidhur me arrestimin e kryeshefit ekzekutiv sipas kërkesës së tij.