Zjarri në një hotel me 12 kate, në një qendër të njohur skish në pjesën veriperëndimore të Turqisë në orët e hershme të së martës, shkaktoi vdekjen e të paktën 66 personave, dy prej të cilëve u hodhën nga ndërtesa për t’u shpëtuar flakëve, sipas zyrtarëve.
Zjarri ra në hotelin Grand Kartal në malet e Koroglus, rreth 300 kilometra në lindje të Stambollit, duke shkaktuar edhe të paktën 51 persona të lënduar, sipas Ministrit të Brendshëm turk Ali Yerlikaya. Zjarri ndodhi në fillim të pushimit dimëror të shkollave, kur të gjitha hotelet në këtë rajon janë të mbushura me turistë.
“Ndjejmë dhimbje të thellë. Nga zjarri që shpërtheu në hotel kemi humbur 66 jetë”, deklaroi ministri Yerlikaya pas vizitës atje.
Atakan Yelkovan, që po qëndronte në katin e tretë të hotelit, i tha agjencisë së lajmeve IHA se gjendja ishte kaotike në katet e larta të hotelit, ndërkohë që klientët po përpiqeshin të iknin nga zjarri, disa duke bërë përpjekje për të zbritur nga dhomat e tyre duke përdorur batanije dhe çarçafë.
“Njerëzit në katet e sipërme po bërtisnin. Përdorën çarçafët për të zbritur… Disa provuan të hidhen”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë Kemal Memisoglu deklaroi se të paktën njëri nga të lënduarit ishte në gjendje serioze, ndërsa 17 të tjerë u liruan pas trajtimit.
Hoteli kishte 238 klientë të regjistruar, sipas autoriteteve. Zjarri u raportua në orën 3.27 të mëngjesit dhe zjarrfikësit ndërhynë në orën 4.15.
Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të nisur hetimet për shkakun e zjarrit, që besohet se filloi në pjesën ku gjendet restoranti i hotelit. Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunc tha se katër persona, përfshirë pronarin e hotelit, ishin ndaluar për t’u marrë në pyetje.
Sipas instruktorit të skive Necmi Kepcetutan, që po qëndronte në hotel, ai ishe në gjumë kur shpërtheu zjarri, por doli me shpejtësi nga ndërtesa. Ai i tha televizionit NTV se më pas ndihmoi rreth 20 persona të tjerë të dalin nga hoteli.
Zjarri përfshiu gjithë hotelin, duke u pamundësuar klientëve të gjenin daljet emergjente, tha ai.
“Nuk po arrij të gjej disa nga nxënësit e mi. Shpresoj që janë mirë”, tha ai.
Pamjet televizive treguan kulmin dhe katet e larta të ndërtesës duke u djegur.
Dëshmitarët dhe njoftimet që u bën ndërkohë vënë në dukje se sistemi i alarmit të hotelit për rast zjarresh kishte dështuar.
“Gruaja ime nuhati se diçka po digjej. Alarmi nuk u aktivizua”, tha zoti Yelkovan, në prej klientëve të hotelit. “U përpoqëm të ngjitemi lart, por hasëm në zjarr. Zbritëm poshtë dhe dolëm jashtë”, tha ai, duke shtuar se zjarrfikësit mbërritën pas një ore.
Një pjesë e hotelit me 161 dhoma është e ndërtuar në anë të një kodre, duke vështirësuar përpjekjet për të shuar zjarrin.
“Ngaqë pjesa e prapme e hotelit ishte në kodër, ndërhyrja mund të bëhej vetëm nga pjesa e përparme dhe nga dy faqet anësore”, tha ministri Yerlikaya.
Ministri i Turizmit Mehmet Nuri Ersoy u tha gazetarëve se hoteli ishte inspektuar në vitin 2021 dhe 2024 dhe se departamenti i zjarrfikësve nuk kishte raportuar “situatë negative sa i përket aftësisë për t’u përballë me zjarrin”.
Në një reagim në Ankara, Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se “fatkeqësisht, morëm lajmin e trishtuar në orët e mëngjesit nga Bolu. Vëllezërit dhe motrat tona vdiqën dhe u lënduan në një zjarr që shpërtheu në hotel”.
“Të gjithë hapat e nevojshëm janë ndërmarrë për të hetuar të gjitha aspektet e incidentit dhe për t’i mbajtur përgjegjës shkaktarët e zjarrit”, shtoi ai.
Ndërkohë, një shpërthim tjetër gazi ndodhi në një hotel në një qendër tjetër skish në pjesën qendrore të Turqisë, duke shkaktuar lëndimin e katër personave./VOA