Çka është lija e majmunit dhe cilat janë simptomat - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Çka është lija e majmunit dhe cilat janë simptomat

    Insajderi
    27 December 2024 - 11:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë më 14 gusht 2024 e ka shpallur Mpox (dikur të quajtur si Lija e Majmunëve) emergjencë globale për shëndetin publik, për herë të dytë brenda dy vjetëve. OBSH-ja e ka marrë këtë vendim pas përhapjes së virusit në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe në vendet fqinje, sikurse në Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë.

    Pas paraqitjeve të disa rasteve në rajon, Kosova më 26 dhjetor ka regjistruar rastin e parë me këtë virus. Një 30-vjeçar, shtetas i Kosovës, është infektuar pasi ka qëndruar në një shtet afrikan.

    Çka është Mpox?

    Mpox (dikur lija e majmunit) është një sëmundje virale që zakonisht bartet nga kafshët te njerëzit. Sëmundja shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit (MPXV), i cili është i pranishëm në disa kafshë të egra (brejtësit, qentë e egër, etj) në disa vende të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.

    Sëmundja u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1958 kur pati dy epidemi të një sëmundjeje, që i ngjasonte lisë, në radhët e majmunëve që përdoreshin për studime – kështu mori edhe emrin lija e majmunit.

    Megjithatë nuk janë majmunët, që shërbejnë si kontigjenti kryesor për këtë virus, por janë në fakt brejtësit.

    Simptomat

    Simptomat e Mpox zakonisht shfaqen 6-13 ditë (deri në 21 ditë) pas infektimit. Manifestimet klinike të sëmundjes përfshijnë:

    Simptoma të përgjithshme, febrile (ethe, dhimbje koke, të dridhura, dobësi fizike, ënjtje të nyjeve limfatike),
    Skuqje të dallueshme (papulë) në lëkurë dhe plagë në mukozën (p.sh. në gojë, hundë, fyt ose traktin tretës),
    Dhimbje shpine dhe dhimbje muskujsh.
    Brenda tre ditëve nga përjetimi i simptomave fillestare, skuqja mund të përhapet shpejt dhe përfundimisht të kthehet në qese të vogla të mbushura me lëng të njohur si vezikula. Nëse skuqja përhapet në të gjithë trupin, mund të prekë edhe pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve.

    Shumica e njerëzve përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin zakonisht dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht.

    Si përhapet?

    Mpox bartet te njerëzit nga kontakti i ngushtë me kafshë ose njerëz të infektuar, ose duke prekur materiale të kontaminuara me viruse. Ai hyn në trup përmes lëndimeve (shpesh të padukshme) ose plagëve në lëkurë ose në mukozë. Lija e majmunit mund të bartet nga një person te tjetri gjatë kontaktit seksual, kontakti i drejtpërdrejtë më lëngje trupore, lëkurën ose veshjet dhe çarçafët.

    Rreziku për njerëzit

    Ashpërsia e sëmundjes mund të ndryshojë në varësi të disa faktorëve, duke përfshirë mënyrën se si bartet virusi, sa i ndjeshëm është personi ndaj virusit.

    Komplikimet e mpox në zonat ku është më e zakonshme përfshijnë:

    encefalitin
    infeksionet bakteriale të lidhura me lëkurën
    dehidrimin
    konjuktivitin
    inflamacion të kornesë
    pneumoni
    efekte afatgjata si plagët shpërfytyruese dhe lezione të përhershme të kornesë.

    Shkalla e vdekshmërisë së mpox varion nga 0-11% në shpërthime, ku fëmijët e vegjël janë më të prekurit. Individët me imunitet të kompromentuar janë në një rrezik më të lartë të sëmundjes së rëndë dhe pacientët me HIV pozitiv mund të përjetojnë simptoma më të rënda.

    Vaksinimi dhe trajtimi

    Shumica e njerëzve shërohen plotësisht nga mpox. Trajtimi është kryesisht simptomatik dhe mbështetës (ulje e temperaturës, qetësimin e kruarjes së lëkurës, dhimbjes dhe hidratimit), duke përfshirë parandalimin dhe trajtimin e infeksioneve bakteriale të lidhura me to.

    Megjithëse nuk ka një vaksinë specifike për mpox, vaksina e lisë mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit e ekspozuar ndaj MPXV. Pasi të vaksinohen, njerëzit ende mund të infektohen, por ashpërsia e sëmundjes dhe rreziku për shtrimin në spital zvogëlohen.

    Masat mbrojtëse

    Kur dikush diagnostikohet me mpox, është e rëndësishme që ai të izolohet derisa skuqja e tij të shërohet plotësisht, pasi kjo tregon se nuk mund ta bartë më sëmundjen. Rekomandimet e përgjithshme mbrojtëse përfshijnë:

    Izolohuni në dhomën tuaj dhe mos i ndani gjërat shtëpiake me anëtarët e tjerë të familjes.
    Shmangni kontaktin me persona me imunitet të kompromentuar dhe persona të tjerë në rrezik për sëmundje të rëndë derisa skuqja të shërohet plotësisht.
    Ju mund të largoheni përkohësisht nga shtëpia, por duhet të bartni një maskë mjekësore për fytyrën dhe sigurohuni që të mbuloni skuqjen përpara se të dilni jashtë.
    Mbani higjienë të mirë të frymëmarrjes dhe duarve dhe mbani një maskë për fytyrën kur jeni në kontakt me njerëz të tjerë.
    Përmbahuni nga aktiviteti seksual derisa skuqja të shërohet plotësisht.
    Për çdo simptomë të ngjashme me ato të Mpox, qytetarët këshillohen që të drejtohen te mjeku për marrje të këshillave dhe ndihmës mjekësore!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark