
Në epokën ku teknologjia po mbizotëron, fokusimi i të rinjve po kalon gjithnjë e më shumë në botën virtuale. Rrjetet sociale janë shndërruar në një sferë publike ku secili ndjehet i detyruar të duket më i lumtur,më i bukur dhe më i suksesshëm. Ajo që në pamje të parë ngjan si argëtuese, shpesh mbart pas vetes një ndikim të padukshëm në shëndetin mendor të të rinjve. TikTok-u, Instagram-i dhe Snapchat-i janë disa nga platformat ne te cilat ata po shpenzojnë me se shumti kohe. Kjo gjë po formëson ndjeshëm mirëqenien emocionale të gjeneratës së re.
Që nga paraqitja e rrjeteve sociale në fillim të viteve 2000, përdorimi i tyre është rritur me shpejtësi, sidomos nga të rinjtë. Fillimisht, këto platforma u panë si mundësi për të lidhur njerëzit dhe për të ndarë përmbajtje. Megjithatë, me kalimin e kohës, hulumtimet filluan të tregojnë efekte anësore serioze, si rritja e ndjenjës së vetmisë dhe presionit social.
Sipas studimeve nga institucione si Pew Research Center dhe Child Mind Institute, ndikimi në shëndetin mendor është bërë më i theksuar, sidomos pas pandemisë. Ky ndikim që shpesh nuk vërehet menjëherë, lë gjurmë të thella në jetët e të rinjve.
Dy profesorë të Departamentit të gazetarisë gjatë hulumtimit të tyre për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë, treguan se 40.1% e të rinjve në Kosovë qëndrojnë mbi 3 orë online gjatë ditës. Kjo gjë shpjegon se ata kanë krijuar varësi nga mediet sociale. Sipas Child Mind Institute, përdorimi i rrjeteve sociale është i lidhur me rritjen e ankthit dhe uljen e vetëvlerësimit tek adoleshentët. Kjo ndodh pasi ata krahasojnë jetën e tyre me imazhet e kuruara të të tjerëve, duke ndjerë se nuk janë mjaftueshëm të mirë. I njëjti institut tregon se adoleshentët që kalojnë më shumë kohë në rrjete sociale kanë një rrezik më të lartë për depresion, duke variuar nga 13% në 66% më shumë krahasuar me ata që i përdorin më pak.
Përveç ndikimeve emocionale, përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të mbistimulojë qendrat e shpërblimit në tru, duke krijuar varësi të ngjashme me ato të substancave, veçanërisht tek adoleshentët.
Child Mind Institute raporton se adoleshentët që kalojnë më shumë se tre orë në ditë në pajisje digjitale kanë më shumë gjasa të flenë më pak se shtatë orë në natë.Si pasojë e kësaj performaca e tyre gjatë ditës mund të përkeqësohet në aspektin mendor dhe fizik.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj imazheve të kuruara në rrjete sociale mund të çojë në probleme me vetëbesimin dhe çrregullime të imazhit trupor tek të rinjtë. Gjithashtu përdorimi i pakontrolluar mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të adoleshentëve, veçanërisht në zonat që kontrollojnë vetëkontrollin dhe vendimmarrjen.
Pew Research Center raporton se 21% e adoleshentëve ndihen më keq për jetën e tyre për shkak të asaj që shohin në rrjete sociale, duke ndikuar negativisht në marrëdhëniet e tyre ndërpersonale.
Ndërkaq sipas Child Mind Institute, përdorimi i rrjeteve sociale mund të rrisë ndjenjën e vetmisë tek adoleshentët, pasi ndërveprimet virtuale nuk zëvendësojnë lidhjet e vërteta sociale.
Pew Research Center zbulon se 48% e adoleshentëve besojnë se rrjetet sociale kanë një ndikim kryesisht negativ në shëndetin mendor të tyre. Kjo si pasojë e përmbajtjeve që promovojnë standarte të paarritshme.
Tutje sipas një raporti nga Axios, 17% e adoleshentëve amerikanë përdorin TikTok pothuajse vazhdimisht, dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme mund të çojë në sjellje vetë-dëmtuese. Yale Medicine thekson se përdorimi i rrjeteve sociale mund të përkeqësojë çrregullimet ekzistuese të humorit tek adoleshentët, duke rritur ndjenjat e izolimit dhe depresionit. Pra, krahas ndikimit në trurin individual, pasojat shihen edhe në sferën sociale.
Sipas Pew Research Center, 42% e adoleshentëve besojnë se përdorimi i smartphone-ve pengon aftësitë e tyre për të mësuar aftësi sociale, duke ndikuar negativisht në përqendrimin dhe performancën shkollore. Kjo gjë tregon se ata janë të vetëdijshëm për pasojat që sjellin rrjetet sociale.
Gjithashtu një fakt tepër shqetësues tregon se ekspozimi ndaj përmbajtjeve që promovojnë standarde të pamundura të bukurisë në rrjete sociale mund të çojë në zhvillimin e çrregullimeve të të ngrënit tek adoleshentët. Për këtë Yale Medicine raporton se përdorimi i rrjeteve sociale mund të kontribuojë në zhvillimin e çrregullimeve të ankthit tek adoleshentët, veçanërisht kur ata përballen me presione për të përmbushur standarde të caktuara sociale.
Analiza tregon se rrjetet sociale ndikojnë ndjeshëm në shëndetin mendor të të rinjve, duke shkaktuar ankth, depresion, ndjenjë vetmie dhe ulje të vetëbesimit. Këto pasoja vijnë si rezultat i krahasimeve sociale, përmbajtjeve jo realiste dhe varësisë që krijohet nga përdorimi i tepërt. Hulumtimet e besueshme tregojnë se ndikimet nuk janë vetëm emocionale, por edhe neurologjike, sociale dhe edukative. Ky realitet kërkon reflektim dhe veprim, në mënyrë që teknologjia të përdoret me vetëdije dhe në funksion të mirëqenies së të rinjve.
Shkruar nga: Blinera Jashanica- Studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.