Viti 2024 për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ishte i shoqëruar me një sërë ngjarjesh, përfshirë gjykime, aktgjykime, bastisje e deri te aktakuzat e reja kundër administrimit të drejtësisë.
Ndonëse shumë prej të akuzuarve apeluan vendime e kundërshtuan parashtrime, disa të tjerë edhe pranuan fajin për akuzat me të cilat ngarkoheshin, duke arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.
Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit përmes një marrëveshje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kjo marrëveshje u arrit pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj tyre në nëntor të 2024-tës. Shala ishte pajtuar për burgim me tri vite, Januzi me dy deri në dy vite e gjysmë kurse Bahtijari për dy vite burgim.
Gjatë seancave për ndryshim të deklaratave të fajësisë, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur të penduar për krimet për të cilat e pranuan që i kanë bërë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sa i takon aspektit procedural, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale, duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se, vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike. Si rrjedhojë, u vendos që çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Megjithatë, akuza të reja u shtuan edhe për Bahtijarin dhe Januzin për frikësim përmes premtimit apo dhuratës. Këto akuza u përfshinë në aktakuzën e përbashkët ndaj tre të akuzuarve si dhe ndryshimet në atë u konfirmuan me 8 korrik 2024. Si rrjedhojë, ZPS-ja kishte dorëzuar më 10 korrik aktakuzën e përbashkët së bashku me ndryshimet përkatëse.
Ashtu sikurse për akuzat paraprake, Bahtijari dhe Januzi ishin deklaruar të pafajshëm. Kjo situatë ndryshoi edhe datat që ishin vendosur për kalimin e çështjes te trupi gjykues, ku fillimisht ishte caktuar data 21 qershor, pastaj 5 dhe 22 korrik.
Vlen të theksohet se, Shala kishte kërkuar që procesi i tij të ndahet nga Bahtijari dhe Januzi, në mënyrë që të ketë një gjykim më të përshpejtuar, por kjo kërkesë ishte refuzuar.
Çështja ndaj këtyre tre të akuzuarve i kaloi trupit gjykues më 4 shtator, ku më pas, në seancat përgatitore, u vendos që gjykimi të fillojë me 14 nëntor 2024. Por, me kërkesën e palëve për t’i finalizuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë, gjykimi u shty.
Më 13 nëntor, ZPS-ja informoi trupin gjykues që kanë arritur marrëveshjen e pranimit të fajësisë me tre të akuzuarit dhe, më 6 dhjetor, ZPS-ja kishte dorëzuar versionin e rishikuar të aktakuzës, ashtu siç kishte urdhëruar trupi gjykues, duke përfshirë edhe marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Në aspektin procedural, marrëveshjet e arritura mes Shalës dhe Januzit ishin pranuar, kurse ajo e Bahtijarit u cilësua se kishte mangësi procedurale.
Megjithatë, më 16 dhjetor, palët kishin informuar trupin gjykues se kishin arritur një marrëveshje të re të fajësisë me Bahtijarin dhe ia dorëzuan atë trupit gjykues. Lidhur me këtë, palët kishin dorëzuar më 17 dhjetor 2024 aktakuzën e rishikuar, e cila në bazë ishte ajo e 10 korrikut 2024, por përfshinte edhe ndryshimet e bëra të asaj të 17 dhjetorit lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë.
Si rrjedhojë, në seancën e 18 dhjetorit, Shala dhe Januzi u deklaruan fajtorë për krimet që kanë kryer si dhe u pranua proceduralisht marrëveshja e arritur mes ZPS-së dhe Bahtijarit. Ndërsa, më 19 dhjetor Bahtijari u shpreh i penduar dhe fajtor.
Ndërsa, në lidhje me marrëveshjet për pranimin e fajësisë, nëse ato do të pranohen ose jo, trupi gjykues do të vendosë gjatë fillimit të 2025-ës.
Pjetër Shala shpallet fajtor, Calit i ulet dënimi
Viti 2024 për Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën ishte më shumë i procedurave vendimtare.
Ndonëse vendimet ende nuk kanë marrë formën e prerë, Pjetër Shala u dënua me 18 vjet burgim nga Themelorja. Kurse, Salih Mustafës – Calit, Supremja ia ktheu rastin sërish në Apel, duke ia ulur dënimin nga 22 në 15 vjet burgim.
Më 16 korrik 2024, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.
Në seancën e 29 nëntorit 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguajë 208 mijë euro si zhdëmtim ndaj viktimave. Tani ai është në proces të apelit lidhur me këtë rast.
Ndërsa, Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 14 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Ndërsa, më 29 korrik, Supremja e miratoi pjesërisht kërkesën e Mustafës dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të Apelit lidhur me dënimin prej 22 vitesh burgim, duke kërkuar një dënim të ri për të pandehurin. Në shtator 2024, Apeli në rivendosje e dënoi Mustafën me 15 vite burgim.
Vlen të theksohet se më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Kur u vendos në Apel për këtë rast, nuk u shqyrtua fare urdhri për zhdëmtim, pasi sipas trupit gjykues, pala nuk e kishte apeluar atë.
Më 27 shtator 2024, Mustafa ka paraqitur kërkesë në Kushtetuesen e Speciales lidhur me të drejtat e tij si individit për të cilat mendon se janë shkelur.
Aktakuza e re e Thaçit për pengim të drejtësisë
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit dhe kjo është konfirmuar nga gjykatësja e procedurës paraprake në DhSK.
Kjo aktakuzë është konfirmuar më 29 nëntor 204 dhe në bazë të saj, më 5 dhjetor është arrestuar Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, të cilët një ditë pas u transferuan në Hagë. Kurse, për Hajredin Kuçin ishte lëshuar fletëthirrje për paraqitje në DhSK.
Si rrjedhojë, ZPS-ja thotë se individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Paraqitja e parë e Thaçit, Smakajt dh Fazliut është bërë me 8 dhjetor 2024. Ndonëse nuk u vetëdeklarua për fajësinë ose pafajësinë në këtë çështje, Thaçi tha se e di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale dhe ai nuk paraqet rrezik politik për askënd. Po ashtu, as Smakaj nuk ishte vetëdeklaruar, duke kërkuar që ta shfrytëzojë afatin kohor. Megjithatë, mbrojtja kishte kërkuar lirim me kusht, duke ofruar 5 mijë euro dorëzani, gjë e cila është refuzuar nga gjyqtarja dhe rrjedhimisht ai ka mbetur në paraburgim.
E njëjta gjë ishte vendosur edhe për Fadil Fazliun, ndonëse ai ofroi 2540 euro dorëzani dhe se u deklarua i pafajshëm.
Të pafajshëm u deklaruan edhe Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj gjatë seancave të 9 dhjetorit 2024. Por, Kilaj mbeti në paraburgim, duke iu refuzuar dorëzania në vlerë 40 mijë euro.
As në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur me 17 dhjetor 2024, Smakaj dhe Thaçi nuk u vetëdeklaruan. Megjithatë, Thaçi nënvizoi se dy aktakuzat nga Specialja i janë ngritur afër zgjedhjeve. E para kur do të rizgjidhej sërish President dhe e dyta në prag të zgjedhjeve elektorale.
Vlen të theksohet se më 13 maj 2024, Isni Kilaj ishte liruar nga paraburgimi pas arrestimit në 2023-ën. Ai ishte liruar nën masa të rrepta të sigurisë dhe me një dorëzani prej 30 mijë eurove.
Nën dyshimet për pengim të drejtësisë, në mars të 2024-ës ishte bastisur edhe shtëpia e Sylejman Selimit e po ashtu i ishte konfiskuar telefoni Sami Lushtakut.
Rasti i ish-krerëve të UÇK-së, akuzohet trupi gjykues për anshmëri, largohen dy avokatë kryesorë nga ekipet mbrojtëse
Rasti ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin është karakterizuar me shumë zhvillime gjatë 2024-ës.
Përmes një letre konfidenciale, e cila në nëntor të 2024-ës është bërë publike, mbrojtja e katër të akuzuarve i janë drejtuar trupit gjykues në Hagë, duke i kërkuar që ta ruajnë paanshmërinë dhe të mos ia mbajnë anën Prokurorisë.
Ata, madje thanë se të drejtat e të akuzuarve për gjykim të paanshëm dhe një tribunal të pavarur janë shkelur. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kishte kërkuar që trupi gjykues të marrë masa për të siguruar paanshmëri dhe për t’i kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.
Po ashtu, në këtë letër, mbrojtja e quan më shqetësuese mënyrën e pyetjeve se si bëhen nga trupi gjykues, e që ata thonë se nuk mund të perceptohen si të paanshme.
Kujtojmë se mbrojtja vazhdimisht ka pasur ankesa lidhur me pyetjet e trupit gjykues gjatë seancave gjyqësore.
Veç tjerash, katër të akuzuarit kanë thënë se të drejtat e tyre për një gjykim të drejtë dhe një tribunal të pavarur e të paanshëm janë shkelur.
Gjatë këtij viti janë larguar dy avokatë kryesorë nga dy ekipet mbrojtëse në këtë rast. Më 14 shkurt 2024, ishte miratuar tërheqja e Gregory Keohe nga ekipi mbrojtës i Thaçit.
Më 30 janar 2024, ishte bërë publike se me arsyetimin që nuk janë kryer obligimet ndaj tyre, Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe anëtarët e kësaj kompanie, kishin kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Lidhur me këtë, përmes një njoftimi për medie, MD ka thënë se ka marrëveshje vetëm me avokatin Luka Mishetiq, të cilit ia kryen të gjitha obligimet, ndërsa për avokatët e tjerë të cilët angazhohen nga Thaçi, ata nuk kanë marrëveshje dhe për ta MD nuk mban përgjegjësi për realizimin e pagesave.
Kurse, më 20 shkurt 2024 u bë e ditur se vendin e Keohes e zuri Luka Mishetiq, i cili tashmë është duke udhëhequr me ekipin mbrojtës të Thaçit.
Ndërsa, më 21 gusht 2024 ishte miratuar largimi i avokatit kryesor në ekipin e Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Në vendimin e 21 gushtit 2024, thuhet se, gjatë shkëmbimit të letrave, Emmerson dhe Veseli kanë konfirmuar vendimet e tyre për të përfunduar marrëdhënien e tyre klient-avokat, duke e specifikuar si ndërprerje e parevokueshme. Emmerson-in e zëvëndësoi avokati britanik, Rodney Dixon. Vlen të theksohet se me 2 gusht, Steven Lack ishte emëruar si bashkëmbrojtës i Veselit. Kurse, Chad-mair më 30 tetor është emëruar si bashkë-mbrojtës i Rexhep Selimit.
Peter McCloskey, i cili mbante pozitën e bashkë-avokatit në ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit, i ka përfunduar kontrata, kështu që më pas është emëruar si konsulent në këtë ekip në tetor të 2024-ës.
Për shkak të vdekjes së babait të Haxhi Shalës, dhe vëllait të Jakup Krasniqit, dy të akuzuarit në tetor të 2024-ës ishin lejuar për vizitë humanitare në Kosovë në kushte të rrepta të sigurisë.
Gjatë 2024-ës, në këtë rast janë mbajtur gjithsej 107 seanca, kurse në total janë kaluar 182 ditë në sallën e gjyqit që nga fillimi i gjykimit.
Deri më tani, kanë dëshmuar gjithsej 110 dëshmitarë të ZPS-së. 39 prej tyre dëshmuan në 2023-ën dhe i 39-ti e përfundoi dëshminë në janar të 2024-ës. Megjithatë, përveç tij gjatë 2024-ës kanë dëshmuar edhe 71 dëshmitarë të tjerë.
Aktualisht numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë proces është 154.
Në këtë rast kishte shumë dëshmitarë që dëshmuan në sesion privat për publikun, e shumë prej tyre edhe në private, duke përfshirë edhe ndërkombëtarë si Shaun Byrnes, Jan Kickert, Johan Fritsch etj.
Ndonëse kishin statusin e të dyshuarit dhe njëkohësisht ishin dëshmitarë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pas përfundimit të dëshmisë së tyre, Shukri Buja dhe Sokol Bashota janë njoftuar nga ZPS-ja se ndaj tyre kanë pushuar hetimet.
Probleme me financimin e mbrojtjes së të akuzuarve nga Specialja
Me probleme financiare gjatë 2024-ës ishe përballur mbrojtja e të akuzuarve për pengim të drejtësisë. Madje, për shkak të kësaj gjendjeje, ekipet mbrojtëse në rastin e Haxhi Shalës, Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzit kishin kërkuar edhe pezullimin e procedurave derisa të gjendej një zgjidhje për financim.
Në seancën përgatitore të 13 shkurtit 2023, këto tri ekipe mbrojtëse kishin theksuar se nuk kanë vendim nga Ministria e Drejtësisë për të përfaqësuar juridikisht të akuzuarit gjatë procesit gjyqësor në DhSK.
Ata kishin pretenduar se kanë bërë një numër të madh kërkesash në MD për t’i dhënë përgjigje problemit të financimit. Sipas tyre, MD-ja u kishte thënë se për miratimin e fondeve duhet të formohej një komision, e për të cilin, ata thonë se vazhdimisht janë shtyrë datat.
Megjithatë, kjo kërkesë e mbrojtjes për pezullimin e procedurave ishte hedhur poshtë nga trupi gjykues.
Kurse, ishte kërkuar nga Zyra Administrative e DhSK-së që të ofronte ndihmën e vet për zgjidhjen e këtij problemi.
Një ditë pas kësaj seance, më 14 shkurt 2024, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri administrativ, kjo ministri ka ulur tarifat për mbrojtjen e personave që akuzohen për pengim të drejtësisë nga DhSK-ja në Hagë.
Haxhiu kishte thënë se si Qeveri, fokusi i tyre duhet të jetë që të adresojnë kërkesat e ekipeve mbrojtëse për personat që akuzohen për krime lufte.
Ndërsa, në seancën përgatitore të 22 marsit 2024, mbrojtja u shpreh se shuma e ofruar nga MD-ja ishte e papranueshme, e po ashtu, rrjedhimisht ata njoftuan se e kishin apeluar këtë vendim të Ministrisë, i cili ishte rrëzuar.
Gjithashtu, u bë e ditur se Zyra Administrative e DhSK-së kishte reduktuar buxhetin e saj në skemën juridike dhe, këtë veprim të saj, mbrojtja e kishte quajtur si sulm kundër tyre, duke paralajmëruar ankimim në Kushtetuese.
“Nuk ka pasur shkurtime apo ulje të ndihmës juridike në këtë çështje. Nuk ka pasur shkurtime, sepse nuk ka pasur miratim të ndihmës juridike në këtë çështje gjyqësore. Nuk mund të them tani nëse të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore do t’u miratohet ndihmë juridike apo do t’i plotësojnë kushtet sipas sistemit ligjor… Nuk mund të them, në qoftë se do t’u miratohet ndihma dhe nëse u miratohet, sa do t’u miratohet. Këto janë objekt i vendimit të administratores”, ishte përgjigjur përfaqësuesi i Zyrës Administrative në këtë rast.
Me probleme financiare ishte përballur edhe ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit. Ish-këshilltari dhe kryetari i Bordit të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, në gusht i kishte dërguar letër krerëve shtetërorë, me kërkesën që të rritet përkrahja financiare për Hashim Thaçin, si i akuzuar për krime lufte.
Në këtë letër, ai kishte njoftuar se avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, kishte paralajmëruar largimin nga ekipi mbrojtës. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Shprehimisht, u përmendën më lart arsyet e largimit të avokatëve të kryesuar me Gregory Keohe të ndërlidhura me financimin.
Kosova akuzohet për trajtim të pabarabartë financiarisht të vikamave dhe të dyshuarve/akuzuarve nga Specialja
Kur jemi tek financimi, gjatë shqiptimit të urdhrit për zhdëmtim të viktimave si pasojë e krimeve për të cila Pjetër Shala u shpall fajtor, trupi gjykues pati edhe kritikë për Kosovën, duke thënë se shteti ka mekanizma për kompensim financiar për mbrojtjen e të akuzuarve dhe familjarët e tyre, ndërsa për viktimat jo.
Ata theksuan se Kosova duhet urgjentisht që ta trajtojë këtë pabarazi, e cila parashihet edhe në ligjet e saj, që sipas tyre, parashohin kompensimin e viktimave të luftës të kryera nga Serbia dhe jo të gjitha viktimave të konfliktit.
Gjithashtu, u theksua fakti që Kosova ende nuk ka marrë asnjë hap konkret për t’u përgatitur me nevojën e sigurimit të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të përfshira nën juridiksionin e DhSK-së.
Kryegjyqtarja e atij rasti, Mappie Veldt-Foglia i rikujtoi Kosovës detyrimet e saj në lidhje me viktimat që dalin edhe nga marrëveshjet ndërkombëtare e po ashtu edhe nga Kushtetuta e saj.
“…rikujtojë Kosovës detyrimet e saj në lidhje me të drejtën e viktimave për mjet juridik të mishëruar në nenin 54 të Kushtetutës dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo e drejtë përfshin detyrën për të garantuar që ky mjet juridik të jetë i zbatueshëm. Rrjedhimisht, Trupi gjykues i bën thirrje Kosovës që t’i miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë një mekanizëm zhdëmtues me qëllim të kompensimit të plotë të viktimave të krimeve të përfshira në juridiksionin e DhSK-së”, tha ajo.
Madje, ajo e përmendi që ky aspekt që Kosova nuk ka ofruar asnjë mbështetje për viktimat që bien nën juridiksionin e DhSK-së është evidentuar edhe nga Komisioni Evropian.
E rëndësishme të përmendet është se gjatë këtij viti dha dorëheqje edhe gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou për arsye se ishte zgjedhur si gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ai u zëvendësua nga gjyqtarja Marjorie Masselot.
Vidar Stensland u rizgjodh kryetar i Dhomës së Specializuar ndërsa, një mandat tjetër iu dha edhe kryetares së DhSK-së, Ekaterina Trendafilova.
Kurse, listës së gjyqtarëve të Kushtetueses së Speciales i është shtuar edhe Gjyqtari Piotr Hofmanski. Emërimi i Hofmanskit në dhjetor të 2024-ës erdhi pas dorëheqjes se gjyqtarit Antonio Balsamo. Megjithatë, Balsamo ka mbetur si gjyqtar në regjistrin e Speciales.
Vlen të theksohet se shpeshherë gjatë monitorimit është evidentuar me probleme teknike deri te mostransparenca, sidomos gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtur. Shpeshherë, seancat janë përfunduar pa treguar nëse dëshmitari përfundoi dëshminë, apo nëse ai do të kthehet sërish në sallën e gjyqit, raporton betimiperdrejtesi.