Policia e Kosovës ka arrestuar para dy ditësh kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, si i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Para këtij arrestimi, në hapësirat e KEK-ut ishte kryer një kontroll nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Rreth këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe ish-kryeministri slloven Janez Jansha, i cili njëkohësisht e përmendi edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, që për muaj të tërë përflitet se është pjesë e një skandali financiar e energjetik në Slloveni në lidhje me kompaninë GEN.
Jansha tha se arrestimet dhe bastisjet e sotme në Kosovë vijnë pas rastit të Berishajt.
“Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket janë si rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj – GEN”, ka shkruar Jansha në Twitter.
Berishaj, akuzat ndaj tij i ka mohuar vazhdimisht.