
Pas debatit të mbrëmshëm me kandidatin e Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia ka reaguar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, shkruan Insajderi.
Rama përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ishte një natë e veçantë për të, pasi pati rastin ta shpaloste angazhimin e tij.
“Sonte ishte një mbrëmje e veçantë për mua, meqë pata rastin ta shpalos punën time shumëvjeçare dhe angazhimin tim pa kushte, në debat përballë kundërkandidatit për ta udhëhequr Kryeqytetin”, ka shkruar Rama.
Ai ka falënderuar qytetarët që e kanë ndjekur debatin, por në veçanti e ka falënderuar Arben Vitinë që e pati përballë.
“Duke iu falënderuar njerëzve të qytetit tim që na përcollën, atyre pafund që po ma shprehin dashamirësinë me mesazhe sonte, e në veçanti Arbenit që e pata përballë, uroj që qytetarët ta bëjnë zgjedhjen më të mirë për Prishtinën tonë”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, Rama dhe Vitia janë përballur mbrëmë në Klan Kosova, në debatin për Prishtinën. Ndërsa ballafaqimi i vërtetë i tyre do të ndodh me 14 nëntor.