
Chelsea dhe Crystal Palace janë duke u përballur në xhiron e parë të Ligës Premier, dhe që në minutën e 13-të u shënua një situatë e diskutueshme.
Nga një goditje dënimi rreth 17 metra larg portës, Eberechi Eze ekzekutoi saktë duke dërguar topin në cepin e portës.
Portieri i Chelseat, Robert Sánchez, tentoi të reagonte me pritje, por topi përfundoi gjithsesi në rrjetë, duke e bërë golin edhe më të bukur në pamje të parë.
Megjithatë, festimi i Crystal Palace nuk zgjati shumë. Loja u ndërpre për gati tre minuta për kontroll në VAR, ku gjyqtari Darren England u thirr të shikonte vetë pamjet në monitor. Pas shqyrtimit, ai vendosi që goli nuk do të pranohej.
Arsyeja ishte Marc Guehi, i cili, para se Eze të gjuante, iu afrua murit të lojtarëve të Chelseat në një distancë më të vogël se një metër – veprim i ndaluar sipas rregullave të FIFA-s.
Vendimi u komunikua edhe publikisht në stadium përmes altoparlantit, ndërsa më pas u konfirmua nga organizata e gjyqtarëve.