Çka thuhet në vendimin e Supremes, me të cilin u refuzua ankesa e Vetëvendosjes ndaj PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Çka thuhet në vendimin e Supremes, me të cilin u refuzua ankesa e Vetëvendosjes ndaj PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe?

    Insajderi
    31 December 2024 - 17:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Supreme përmes vendimit të 30 dhjetorit 2024, ka hudhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 25 dhjetor 2024 kishte aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe kishte anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për mosceritfikimin e këtij subjekti politik për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    PZAP-ja kishte urdhëruar KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kundër vendimit të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën ka kontestuar ligjshmërinë e atij vendimi. LVV-ja kishte propozuar që të anulohet vendimi i PZAP-së dhe të miratohet ai i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Kurse, përgjigje në ankesë kishte parashtruar PZAP-ja, me të cilën ka kundërshtuar pretendimet ankimore dhe propozoi që ankesa e LVV-së të hudhet apo të refuzohet si e pabazuar.

    Andaj, Supremja pasi vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar në kuptim të pretendimeve ankimore dhe përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se ankesa e Vetëvendosjes është e palejuar.

    Sipas Supremes, nga shkresat e lëndës rezulton se Lista Serbe me kandidatët e saj për deputetë ka aplikuar për certifikim si subjekt politik, përfshirë edhe listën e kandidatëve në Zyrën për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ.

    Aty thuhet se zyra e lartpërmendur kishte rekomanduar që Lista Serbe së bashku me kandidatët e saj i ka plotësuar kushtet ligjore për certifikim dhe për pjesëmarrje në zgjedhje. Kurse, KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur më 23 dhjetor 2024, nuk e ka miratuar rekomandimin e Zyrës për certifikimin e subjektit në fjalë.

    Në këtë rast, shkalla e tretë thekson se KQZ-ja nuk ka nxjerrë vendim lidhur me refuzimin për certifikimin Listës Serbe, por ka lëshuar njoftim, mirëpo PZAP e ka pranuar të vlerësojë ankesën në meritat e saj dhe nuk është fokusuar në emërtimin e aktit, por në përmbajtjen dhe efektin e tij.

    Gjithnjë sipas vendimit, thuhet se është pranuar se njoftimi ka prodhuar efekt juridik dhe ka krijuar pasoja të drejtpërdrejta për subjektin politik në fjalë, duke mos e certifikuar për zgjedhje në Kuvendin e Kosovës.

    “Një praktikë të tillë të vlerësimit të akteve sipas përmbajtjes dhe efektit ka ndërtuar edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në rastet Nr.KO 159/21 datë 03.07.2023”, thuhet në vendim.

    Më tej, thuhet se PZAP-ja pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, qëndrimit dhe përfundimit të KQZ-së, nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm një qëndrim të tillë, me arsyetimin se është në kundërshtiim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, konkretisht nenit 16 të këtij Ligji, i cili përcakton kushtet për certifikimin e subjekteve politike të cilat subjekte politike, duhet të plotësojnë në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje.

    “Me nenin 16 paragrati 5 të LZP-së, përcaktohet se: KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e plotësuar, në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së“, thuhet në vendim.

    PZAP-ja ka vërtetuar se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar, në përputhshmëri me nenet 16 dhe 17 të LZP-së dhe se KQZ-ja është e obliguar që ta certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, sikurse subjekti në fjalë, për çka ishte rekomanduar certifikimi edhe nga Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në KQZ.

    PZAP-ja thuhet se vendosi bazuar në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, pasi vlerësoi se nga dispozitat e këtij ligji rezulton se njoftimi i atakuar është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, për çka vendosi si në dispozitiv të vendimit të kontestuar dhe urdhëroi KQZ-në ta zbatojë vendimin.

    Kështu që Supremja në këtë çështje juridike fillimisht vlerësoi lejueshmërinë e ankesës së paraqitur nga Vetëvendosja dhe konstatoi se e njëjta është e palejueshme.

    Sipas Supremes, nëse i referohemi nenit 118, paragrafi 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe provave që u janë bashkëngjitur shkresave të lëndës, rezulton se parashtruesit të ankesës, me njoftimin e KQZ-së që ka të bëjë me moscertifikimin e Listës Serbe dhe kandidatëve të këtij subjekti, si dhe vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nuk i është cenuar apo prekur një e drejtë themeores, andaj konstaton se ankesa e LVV-së është e palejuar.

    Me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, është përcaktuar se PZAP-ja si organ i përhershëm për vendosjen lidhur me ankesat e lejuara, përcakton dhe përkufizon në mënyrë të qartë se në cilat raste vendimet e KQZ-së i nënshtrohen procedurës së ankesës, ndërsa neni 63, paragrafi 3 i këtij Ligji, përcakton se “Vendimi i Komisionit nuk i nënshtrohet ankesës, përveç nëse nuk parashihet qartë me ligj“.

    “Në këtë kontekst nga përmbajtja e kësaj dispozite ligjore rezulton se me njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 23.12.2024, që ka të bëjë me mos certifikimin e subjektit politik Lista Serbska dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, si dhe vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) Anr.12/2024, të datës 25.12.2024, nuk është vendosur lidhur me çështjet për të cilat është përcaktuar mundësia e paraqitjes së ankesës nga ana e palës ankuese në këtë rast”, thuhet në vendim.

    Në fund, thuhet se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i ka përcaktuar autoritet të plotë KQZ-së në nxjerrjen e legjislacionit plotësues përmes vendimeve, udhëzimeve dhe rregulloreve, me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, andaj edhe vendimi i atakuar si i tillë nuk prek ndonjë të drejtë themelore të ankuesit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark